Nga Fieri ku pa nga afër procesin për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të PS, kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla u ndal edhe te zgjedhja e presidentit të vendit.
Ai u shpreh se nuk e kupton pse PD u tërhoq nga marrëveshja e arritur në konferencën e kryetarëve ndërsa shtoi se orët në vijim duhen përdorur me përgjegjësi në mënyrë që të mos digjet pa kandidatë edhe raundi i dytë.
“Konstatoj me keqardhje që nga ana e opozitës nuk ka një qasje për të marrë përgjegjësinë për të prezantuar kandidaturave. Nuk e kuptoj pse PD u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Orët në vijim duhen përdorur me përgjegjësi. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit.
Si e kam thënë ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me PD dhe dy grupet e tjera që dy raundet i takojnë propozimeve të kandidatëve nga opozita. Në rast se në raundin e tret opozita nuk do e marrë përgjegjësinë në raundin e katërt do të zgjidhet presidenti apo presidentja e opozitës dhe do vazhdojmë regjistrimin e kandidatëve të propozuar prej nesh”, u shpreh Taulant Balla.
Ai foli edhe për procesin e zgjedhjes së drejtuesve të PS ku u bëri thirrje kandidatëve të dërgojnë platformat e tyre. “Vijojmë takimet me strukturat e PS në Fier dhe në të gjithë bashkitë e tjera. Apeli im është që për çdo djalë apo vajzë, burrë apo grua që dëshiron të marrë përgjegjësi brenda PS është një garë kombëtare ku në synojmë 61 burra dhe gra që duan të marrin drejtimin e strukturave të PS.
Sot duam të jetë një proces përzgjedhës dhe të marrim kohën e duhur. Natyrshëm do të vlerësohen në bazë të platformave dhe asaj që përfaqësojnë. Ky proces vijon me shumë seriozitet. Ne mirëpresim platforma brenda afatit që ne kemi thënë dhe këto platforma të shkojnë ose në zyrën tonë ose në emailin përkatës”, u shpreh Balla.