MENU
klinika

"U krye!"

Fitoi 93,45% të votave të “Foltores”, por Sali Berisha flet si kryetar i PD

23.05.2022 - 08:57

Nga sot, Sali Berisha është kryetari i Partisë Demokratike. Ai rikthehet në krye të selisë blu pas një periudhe 9- vjeçare kur drejtimi i selisë blu u mor nga Lulzim Basha.

Berisha mori 40820 vota kundrejt kundërshtarit të vetëm Ibsen Elezi, i cili mori 2532 vota. Komisioni i operacioneve elektorale në Partinë Demokratike njoftoi dje se procesi i votimit në 108 qendra votimi që u ngritën në të gjithë vendin nisi në orën 8:00 dhe ishte parashikuar që të mbyllej në orën 18:00. Por më vonë me një vendim të dytë pas kërkesës së shumë degëve të PD-së, procesi i votimit për kryetarin e 4 viteve të ardhshëm të partisë më të madhe në opozitë u shty deri në orën 20:00.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni i Operacioneve Elektorale në PD, në të gjithë vendin dje votuan 43680 anëtarë të PD-së me të drejtë vote, nga të cilat 40820 vota shkuan për Sali Berishën, 2532 për kundërshtarin e vetëm, Ibsen Elezi, dhe 328 vota të pavlefshme.

Kujtojmë që është thuajse e njëjta pjesëmarrje demokratësh sa në referendumin e 18 dhjetorit kur demokratët iu drejtuan kutive të votimit për të votuar shkarkimin e Lulzim Bashës. Kujtojmë që në referendumin e 18 dhjetorit të 2021 morën pjesë 43 860 anëtar demokrat me të drejtë vote.

Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga PD, në qershor të vitit të kaluar, kur Lulzim Basha u rikonfirmua për një mandat tjetër 4-vjeçar në krye të PD-së, votuan 41097 anëtarë nga 75.767 anëtarë të regjistruar. Vota të pavlefshme rezultuan 413, vota të vlefshme ishin 40684. Kandidati Fatbardh Kadilli mori në atë kohë 781 vota, Edit Harxhin 983 vota, Agron Shehaj 6038 vota dhe Lulzim Basha 32882 vota.

PREMTIMI

Pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve Berisha doli në një deklaratë për mediat ku u shpreh se kjo që ka ndodhur në një vit me lëvizjen e tij, është mrekullia e vërtetë e shqiptarëve e shekullit XXI që do fusë Shqipërinë në histori.

“U krye. U krye jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e shqiptarëve në shekullin e 21. Kam një përulje të madhe dhe një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata burra dhe gra, djem dhe vajza që në një hark kohor ngadhënjyen në një proces që do regjistrohej në historinë e lirisë së shqiptarëve të shekullit të 21. 31 vite me parë një mik i madh i kombit tonë, Xhim Bejkler, do t’i thoshte shqiptarëve se ju do të jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Anëtarët e PD-së, njerëzit e idealeve më të larta më fisnike bërën historinë në një proces të mrekullueshëm.

Ndaj edhe mirënjohja shkon drejt atyre. Kam mirënjohje të pakufishme për anëtarët që sot, këtë ditë të 22 majit lanë të gjitha obligimet dhe votuan për të zgjedhur kryetarin e PD-së. Ky besim i jashtëzakonshëm i tyre është për mua detyrim i madh, shumë i madh, por unë kam bindjen se së bashku me ju ne do t’ia dalim. Ne jemi në mision. Ne jemi burra dhe gra e djem dhe vajza që kemi për pasion lirinë dhe mision proceset që njohi PD, t’i njohë shoqëria mbarë shqiptare dhe të çlirojmë Shqipërinë që kurrë nuk e meriton. Mirënjohja shkon për të rinjtë. Ishin ata promotorët kryesor të kësaj lëvizje. Betimi im është: do bëj gjithçka që ëndrrat e tyre të bëhen realitet. Ai që realizon ëndrrat e tij është i detyruar të bëjë pafundësisht gjithçka për të realizuar ëndrrat e të tjerave. Një vit më parë gazetarët më pyetën. Çfarë mendon për rikthimin tënd dhe a parashikon Berisha të rikthehet në krye të PDsë. Përgjigjja ime ishte kjo: Ever say never. Ndaj edhe unë do t’i them sonte çdo të riu dhe të reje shqiptare. Çdo demokrati ever say never. Ne do fitojmë. Përshëndes Ibsen Elezin, i cili si demokrat zhvilloi një garë të qytetëruar” – tha Berisha.

Në maj të vitit të kaluar, përmes një postimi në “Twitter”, sekretari i shtetit, Antony Blinken, njoftoi shpalljen e Berishës person të padëshiruar në SHBA bashkë me familjen e tij. Ndërkohë më pas ambasadorja e SHBA në Shqipëri, por edhe zyrtarë të lartë të SHBA, i kërkuan Bashës që të mos lejonte Berishën të futej në Parlament.

Në pamundësi për të bërë një gjë të tillë, më 9 shtator të vitit 2021, Basha lajmëroi pezullimin e liderit historik të PD nga Grupi Parlamentar Demokrat. Vendimi i Bashës u kundërshtua menjëherë nga Sali Berisha, por edhe një grup prej 14 deputetësh të PD-së duke e akuzuar se mori vendim personal. Ndërkohë në kundërpërgjigje Berisha nisi lëvizjen e tij që e quajti “Foltore”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN