Telefonat në “Kulliye”, kompleksi i madh presidencial turk me 1100 dhoma, bien vazhdimisht ndërsa liderët dhe zyrtarët perëndimorë po bëjnë thirrje për të gjetur përgjigjene një pyetjeje urgjente: cili është çmimi i Presidentit Recep Tayyip Erdogan për të mos penguar anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Shumica e liderëve të NATO-s i kanë pritur dy aplikantët krahëhapur. Ndryshe nga shumë anëtarë të kohëve të fundit—më të fundit janë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, vendet nordike kanë aftësi të avancuara ushtarake dhe do të ndihmonin në forcimin e krahut të saj verior.
Dhe vendimi i tyre për t’u bashkuar me NATO-n është një goditje për Rusinë dhe luftën e saj kundër Ukrainës. Por Erdogan i habiti aleatët e tij në fillim të këtij muaji kur tha se kundërshtonte aplikimin.
Ende nuk është e qartë saktësisht se çfarë dëshiron ai: kufizime ndaj armiqve të tij jashtë vendit, armët amerikane, vëmendja politike apo favorizimi i Vladimir Putin, liderit të Rusisë, të cilin ai ende e quan mik?
Ai ka akuzuar dyshen, veçanërisht Suedinë, si “një vatër të terrorizmit” për strehimin e anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), kryengritësve në rajonet kryesisht kurde të Turqisë dhe pasuesve të Fethullah Gulen, të cilët ai i ka akuzuar për nxitjen e grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016.
Pra mund të ngrihen akuza kundër shumë anëtarëve të NATO-s – jo më pak Amerikës, e cila ka armatosur degën siriane të PKK-së për të luftuar kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik dhe është shtëpia e vetë Gulen.
Dallimi është se kur aplikojnë vendet e reja, rregullat e NATO-s kërkojnë që të gjithë anëtarët ekzistues të mbështesin aplikantin. Greqia, për shembull, e ndaloi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut për një dekadë për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi emrin e aleatit të ri.
Tani Erdogan kërkon të shfrytëzojë krizën më të mprehtë në sigurinë europiane që nga fundi i Luftës së Ftohtë për të fituar avantazhe politike. Më 21 maj ai bisedoi me Jens Stoltenberg, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, si dhe me Sauli Niinisto, presidentin finlandez dhe Magdalena Andersson, kryeministren suedeze.
Nuk kishte asnjë shenjtë të përparimit. Zyra e Erdoganit shkroi në Twitter se Turqia nuk mund të përgjigjej pozitivisht përpara se nordikët të tregonin solidaritet me Turqinë “për sa i përket çështjeve themelore, në veçanti luftën kundër terrorizmit”. Ai i tha Finlandës, se priste “respekt” dhe “mbështetje” për shqetësimet e saj të sigurisë.
Turqia kërkoi që Suedia “të ndërmerrte hapa konkretë” kundër PKK-së dhe degëve të saj dhe të hiqte embargon e armëve që i kishte vendosur Turqisë. Sipas një liste të shpërndarë nga media pro-qeveritare e Turqisë, kërkesat e Erdogan përfshijnë shtypjen e gylenistëve në mërgim; ndërprerja e ndihmës për Sirisë verilindore, të cilën Turqia e konsideron si një zgjatim i PKK-së; dhe ekstradimin e më shumë se 30 simpatizantëve të dy grupeve.
Megjithatë, Erdogan mund të jetë duke e tepruar me kërkesat e tij. As Suedia dhe as Finlanda nuk ka të ngjarë t’i ekstradojë ata në një vend që ka arrestuar më shumë se 300,000 njerëz – nga militantë të armatosur deri te studentë dhe politikanë me akuza për terrorizëm që nga viti 2016.
“Ekziston mundësia e një kompromisi diplomatik, por është larg nga të qenit i sigurt,” tha Paul Levin. drejtor i Institutit të Studimeve Turke të Universitetit të Stokholmit.
Lufta kundër PKK-së përfshin çështje themelore të identitetit kombëtar për Turqinë, tha Levin, por shumë suedezë e shohin mbështetjen për fjalën e lirë dhe solidaritetin si një pjesë themelore të identitetit të tyre gjithashtu.
Kjo do ta bëjë më të vështirë për secilën pale gjetjen e një kompromisi.
Kundërshtimet e Turqisë mund të kenë më pak të bëjnë me Suedinë dhe Finlandën sesa me Amerikën. Erdogan është ndjerë i përbuzur nga presidenti Joe Biden, i cili ka mbajtur një distancë në kontrast me Donald Trump, i cili e mbështeti atë.
Erdogan nuk ishte në mesin e 100 liderëve botërorë të ftuar për të marrë pjesë në videon e Biden “samiti për demokracinë” vitin e kaluar. Turqia ishte gjithashtu e zemëruar që Amerika vendosi sanksione dhe e nxori atë nga programi për të ndërtuar avionin luftarak F-35 në përgjigje të vendimit të Turqisë për të blerë sistemin raketor të mbrojtjes ajrore S-400 të prodhuar nga Rusia.
Marrëdhëniet janë përmirësuar kohët e fundit dhe një marrëveshje me Turqinë për të blerë 40 avionë të rinj F-16 së bashku me mjete për të përmirësuar 80 avionë luftarakë, duket se ka fituar një farë mbështetje në Uashington.
Ndoshta, disa mendojnë se Erdogan po përpiqet të përdorë levën e tij në NATO për të përshpejtuar marrëveshjen për F-16. Ka më shumë gjasa që kundërshtimi i tij të zemërojë edhe më shumë Kongresin.
Turqia do të donte gjithashtu që anëtarët e tjerë të NATO-s të rifillonin shitjet e armëve që u ndaluan pjesërisht pasi ajo nisi një ofensivë ushtarake kundër kurdëve në Siri. Britania hoqi ndalimin në fund të vitit të kaluar.
Arsyeja e fundit është se Erdogan po i bën një nder Putin, ose se ai po shpreson për një të tillë. Marrëdhënia midis të dy lidërve mbetët e paqëndrueshme dhe politika e Turqisë në luftën e Ukrainës ka qenë e tensionuar.
Turqia kundërshton pushtimin e Rusisë dhe i ka shitur Ukrainës dronët e famshëm Bayraktar tb-2. Por ka refezuar vendosjen e saksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe në vend të kësaj gjykon veprimet ruse.
Erdogan e ka pranuar se po ndjek një “politikë të ekuilibruar”.
Suedia dhe Finlanda kishin shpresuar që të përfundonin shpejt negociatat me NATO-n dhe të nënshkruanin protokollin e anëtarësimit përpara samitit të aleancës në Madrid më 29-30 qershor (ratifikimi dhe anëtarësimi zyrtar do të zgjaste disa muaj).
Por kjo perspektivë po zbehet. “Kjo është si një thikë e ushtrisë zvicerane për Erdoganin – një mjet shumëfunksional për të marrë disa lëshime nga suedezët, ose për të nxitur ndjenjat nacionaliste, ose për t’u përballur me Joe Biden,” tha Eric Edelman, një ish-zyrtar i Pentagonit dhe ish-ambasador në Turqi dhe Finlandë.
“Unë jam i sigurt se ai do ta zvarritë këtë të paktën deri në samitin e Madridit.”
Kjo do të shqetësojë edhe më shumë Suedinë dhe Finlandën. Angazhimi i tyre për t’u bashkuar me aleancën ka zemëruar Rusinë, e cila ka deklaruar se do të marrë masa. Derisa të përfundojë aplikimi i tyre, ata nuk mbrohen nga neni 5 i traktatit të NATO-s, i cili thotë se një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve. Mbështetja e Erdogan shton rëndësinë e garancisë së përkohshme të sigurisë të ofruar nga Amerika dhe disa aleatë të tjerë si Britania.
“Ne do të punojmë së bashku për të qëndruar vigjilentë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë sonë të përbashkët dhe për të penguar dhe përballur çdo agresion, ndërkohë që Finlanda dhe Suedia janë në këtë proces pranimi,” deklaroi Biden më 19 maj pasi mirëpriti Niinisto dhe zAndersson në Shtepinë e Bardhë.
Biden, megjithatë, ka thënë se nuk do të udhëtojë në Turqi për të ndërmjetësuar një marrëveshje. Zyrtarët e tij të lartë kanë folur me togerët e Erdoganit, por administrata po qëndron neutrale. Jake Sullivan, këshilltari i Biden për sigurinë kombëtare, tha se mosmarrëveshja përfshin Turqinë dhe dy vendet nordike.
“Kjo nuk është një çështje e SHBA-së, ne duam që kjo çeshtje të zgjidhet në një mënyrë që të dy vendet të bëhen pjesë e aleancës.
Dhe ne jemi të bindur se kjo do të ndodhë.”
Ashtu si në negociatat me pengmarrësit, Amerika mund të hiqet si indiferente me shpresën për të ulur “çmimin” e Erdogan.
Por Edelman, për shembull, mendon se Biden do t’i duhet të telefonojë Kulliye: “Presidenti është udhëheqësi i aleancës dhe ai ka thënë vazhdimisht se ‘Amerika është rikthyer’. Ai duhet të veprojë si lider i aleancës”.
Burimi: The Economist