Pas shfaqjes së rasteve të para të lisë së majmunëve në Gjermani, ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach tha se po përgatiten masa të tjera kontrolli.
Pas shfaqjes së rasteve të para të lisë së majmunëve në Gjermani, ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach deklaroi se Gjermania po përgatit masa kontrolli.
Aktualisht, rekomandimet për izolimin dhe karantinimin janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Robert Koch, tha Lauterbach në kuadër të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.
Ai mendon se masat do të prezantohen shpejt. Përveç kësaj, po shqyrtohet mundësia e dhënies së rekomandimeve të vaksinimit për njerëzit me rrezik të veçantë. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për vaksinimin e popullatës në përgjithësi, theksoi politikani i SPD-së. Ai tha se mbështet veprime të vendosura. Epidemia globale është aq e pazakontë sa që tani duhet të reagojmë shpejt dhe fuqishëm.
Lauterbach theksoi se sipas njohurive të deritanishme, infektohen kryesisht meshkujt që kanë pasur kontakt seksual me meshkuj të tjerë.
Tani bëhet fjalë për t’iu qasur me sinqeritet grupeve në rrezik. Kjo nuk duhet të keqinterpretohet si stigmë.
Virologët: nuk ka pandemi për t’u frikësuar
Virologu Schmidt-Chanasit nuk sheh rrezik të përhapjes në shkallë të gjerë të lisë së majmunit.
Schmidt-Chanasit i tha radiostacionit gjerman Deutschlandfunk se nuk duhet pasur frikë se mos kalohet në një pandemi. Lija e majmunit është shumë e vështirë për t’u transmetuar, pasi infeksionet ndodhin përmes kontaktit me mukozën.
Prandaj, shkencëtari pret që shpërthimi i sëmundjes të frenohet. Megjithatë, virusi duhet të studiohet mirë për të kuptuar më mirë rrugët e transmetimit, theksoi Schmidt-Chanasit.
Dobia e vaksinimit me vaksinat ekzistuese po diskutohet aktualisht – veçanërisht për njerëzit në rrezik dhe njerëzit në kontakt.
Infeksionet me virusin, me origjinë normalisht nga Afrika Perëndimore dhe Qendrore, janë zbuluar ditët e fundit në vende të ndryshme, përfshirë Gjermaninë. /DW