MENU
klinika

Finalja e Champions, formacionet

Liverpool për hakmarrje, Real Madrid për lavdi

28.05.2022 - 13:13

Kanë kaluar katër vite që kur rezultati 3-1 në Kiev mundësoi të 13-tin Champions të Real Madridit. Moment që përkon me natën e makthit të Loris Karius, i cili hapi rrugën e fitores për Benzema dhe shokët e tij të skuadrës.

Në “Stade de France – Saint-Denis” përsëritet e finalja mes emrave të njëjtë. Liverpool dhe Real Madridi kthehen për t’u përballur në aktin e fundit të edicionit aktual të Champions League, duke ndjekur respektivisht kurorat e 7-të dhe të 14- të respektivisht.

Një sfidë që përsëritet shpesh, e inskenuar edhe në çerekfinalet e edicionit të kaluar me kalimin e raundit që iu buzëqeshi spanjollëve, mjeshtër të vërtetë në finale.

Në 16 raste (finale), të bardhët kanë humbur vetëm tri herë, e fundit prej të cilave më 27 maj 1981 në duart e Liverpool. Rezultati 1-0, i vulosur nga Kennedy në skenën e “Parce des Princes” të Parisit, rastësisht i njëjti qytet që do të presë aktin e fundit sonte.

Për më tepër, “Los Blancos” kanë eliminuar radhazi dy skuadra angleze, kampionët në fuqi të Chelsea dhe Manchester City në këtë edicion, me Ancelottin në kërkim të triumfit kundër Klopp.

Nga ana e tij, gjermani dhe “Reds” janë të etur për hakmarrje. Nuk mund të harrohet dot ajo që ndodhi me Salah, i cili u dëmtua thuajse qëllimisht nga Sergio Ramos dhe e pa finalen e vitit 2018 më së shumti nga pankina. Dëmtimi e detyroi egjiptianin të largohej nga fusha në lot.

“Faraoni” do të jetë rregullisht në vendin e tij në treshen sulmuese të të tijve, e kompletuar nga Mané dhe Luis Diaz. Fabinho do të jetë truri i mesfushës, i ndihmuar nga Henderson dhe Keita.

Konate dhe Van Dijk do të përbëjnë dyshen e qendërmbrojtësve, Alexander-Arnold dhe Robertson do të jenë dy “pistonët” e krahut. Pas mbrojtjes së kuqe, i zakonshmi Alisson.

Ancelotti është gati për të nxjerrë Valverden në treshen sulmuese, në të djathtë, së bashku me qendrorin Benzema dhe në të majtë Vinicius Junior. Treshja e mesfushës është e paprekshme: Modric dhe Kroos përkrah Casemiro. Linja mbrojtëse do të përbëhet nga Carvajal, Militão, Alaba dhe Mendy, përpara Courtois.

Ja formacionet e mundshme:

LIVERPOOL (4-3-3): Alisson; Alexander-Arnold, Konaté, Van Dijk, Robertson; Henderson, Fabinho, Keita; Salah, Mané, Diaz.

REAL MADRID (4-3-3): Courtois; Carvajal, Militão, Alaba, Mendy; Modric, Casemiro, Kroos; Valverde, Benzema, Vinicius Junior.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Perlat” e këtij edicioni, për kë votoni?

Një shqiptar mes 10 golave më të bukur të UECL