MENU
klinika

30 vjetësh pas Dolly

Pse nuk kemi klonuar ende një njeri?

29.05.2022 - 10:38

Në vitin 1996, delja Dolly bëri bujë në mbarë botën, pasi u bë gjitari i parë që u klonua me sukses nga një qelizë e kultivuar në laborator. Shumë njerëz menduan në atë kohë se ai moment, do të shënonte fillimin e një epoke të artë të klonimit.

Madje ishin të shumtë ata që spekuluan se kloni i parë njerëzor, duhet ishte me siguri vetëm disa vite larg. Pati nga ata që sugjeruan se klonet njerëzore mund të luanin një rol në zhdukjen e sëmundjeve gjenetike.

Të tjerë mendonin se procesi i klonimit, mund të eliminonte përfundimisht defektet e lindjes (pavarësisht një studimi nga një grupi shkencëtarësh francezë në vitin 1999, që zbuloi se në fakt klonimi mund të rrisë rrezikun e defekteve të lindura ose kongenitale).

Që nga ajo kohë ka pasur pretendime të ndryshme – të gjitha të pabazuara – për programe të suksesshme të klonimit njerëzor. Në vitin 2002, Brigitte Boisselier, një kimiste franceze, pretendoi se ajo dhe një ekip shkencëtarësh kishin sjellë me sukses në jetë njeriun e parë të klonuar, të cilin ajo e quajti Eva.

Por Boisselier nuk ishte e gatshme – ose më saktë në gjendje – të jepte ndonjë provë për këtë. Prandaj besohet gjerësisht se ajo po gënjente. Por pse pas gati 30 vjetësh pas Dolly, nuk ka ndodhur ende klonimi i një njeriu? A ka ndodhur kjo për arsye kryesisht etike, a ka pengesa teknologjike, apo thjesht nuk ia vlen që të bëhet diçka e tillë?

“Klonimi” është një term i gjerë, duke qenë se mund të përdoret për të përshkruar një sërë procesesh dhe qasjesh. Por synimi në çdo rast është të prodhohen “kopje gjenetikisht identike të një entiteti biologjik”, sikurse e përcakton Instituti Kombëtar i Kërkimeve mbi Gjenomin Njerëzor (NHGRI) në SHBA.

Çdo tentativë për klonimin e njeriut, ka shumë të ngjarë të përdorë teknikat e “klonimit riprodhues”, një qasje në të cilën do të përdoret një “qelizë somatike e pjekur”, me shumë mundësi një qelizë e lëkurës. ADN-ja e nxjerrë nga kjo qelizë, do të vendoset në vezën e një dhurueseje, të cilës “i është hequr bërthama e saj që përmban ADN”.

Më pas veza do të zhvillohet në një epruvetë, përpara se të “implantohet në mitrën e një femre të rritur”. Por ndërsa shkencëtarët kanë klonuar shumë gjitarë, duke përfshirë lopët, delet, dhitë, lepujt dhe macet, njerëzit nuk kanë hyrë ende në këtë listë.

“Unë mendoj se nuk ka asnjë arsye pozitive për të prodhuar klone njerëzore”- thotë Hank Greely, profesor i së drejtës dhe gjenetikës në Universitetin e Stenfordit, i specializuar në çështjet etike, ligjore dhe sociale që lindin nga përparimet e bioshkencës.

Sipas tij klonimi i njeriut është një veprim veçanërisht dramatik. Problemet etike rreth klonimit njerëzor janë të shumta dhe të ndryshme, dhe përfshijnë “rreziqet psikologjike, sociale dhe fiziologjike”. Këtu përfshihet edhe ideja se klonimi mund të çojë në një “probabilitet shumë të lartë” të humbjes së jetës, por edhe të nxisë shqetësimet rreth përdorimit të klonimit nga mbështetësit e eugjenikës.

Për më tepër, pretendohet se klonimi shkel “parimet e dinjitetit njerëzor, lirisë dhe barazisë”.

Përveç kësaj, klonimi i gjitarëve ka sjellë historikisht shkallë jashtëzakonisht të larta të vdekjes dhe anomali në zhvillimin e kloneve. Një nga problemet kryesore sa i përket klonimit njerëzor, është se në vend të krijimit të një kopjeje fizike të një personit origjinal, ai do të prodhonte një individ me mendimet dhe opinionet e tij.

“Ne të gjithë i kemi njohur klonet. Binjakët identikë janë klonet e njëri-tjetrit. Ndaj të gjithë e dimë që klonet nuk janë i njëjti person”- thekson më tej Greely. Sipas tij një klon njerëzor, do të kishte vetëm të njëjtën përbërje gjenetike si dikush tjetër. Por ata nuk do të ndanin gjëra të tjera si personaliteti, morali apo sensi i humorit:ato do të ishin unike për të dyja palët.

Njerëzit janë shumë më tepër sesa thjesht një produkt i ADN-së së tyre. Ndërsa është e mundur të riprodhohet materiali gjenetik, nuk është e mundur të përsëriten saktësisht mjediset e jetesës, të krijohet një edukim identik, apo që dy njerëz të ndeshen më të njëjtat përvoja jetësore.

Pra në rast se shkencëtarët do të klononin një njeri, a do të kishte ndonjë përfitim, shkencor apo të ndonjë lloji tjetër? “Nuk ka asnjë që ne duhet të jemi të gatshëm ta shqyrtojmë ëtë gjë”- shprehet Greely, që shton se shqetësimet e natyrës etike do të ishin të pamundura të anashkaloheshin.

Por nëse do të hiqeshin tërësisht nga ekuacioni konsideratat morale, atëherë Greely thotë se “një përfitim teorik, do të ishte krijimi i njerëzve gjenetikisht identikë për qëllime kërkimore”. Ideja e përdorimit të embrioneve të klonuara për qëllime të ndryshme nga krijimi i foshnjave, si për shembull prodhimi i qelizave burimore embrionale njerëzore, identike me qelizat e një donatori, u diskutua gjerësisht që në fillim të viteve 2000.

Por gjërat morët një hov të ri pas vitit 2006, kur u zbuluan të ashtuquajturat qeliza staminale pluripotente të induktuara (iPSCs). Këto janë qeliza “të kultivuara”, që janë ri-programuar që t’i ngjajnë qelizave në zhvillimin e tyre të hershëm.

Zbulimi u bë nga Shinja Jamanaka, studiues japonez i qelizave burimore dhe fitues i çmimit Nobel në vitin 2012. Sot iPSC-të mund të përdoren për kërkime në modelimin e sëmundjeve, zbulimin e barnave medicinale dhe mjekësinë rigjeneruese.

Marrë me shkurtime nga LiveScience – Bota.al