MENU
klinika

"Një marifet... për më shumë lekë"

Pse për BUTRINTIN, nuk vendosin profesionistët?!

30.05.2022 - 17:53

          Akademiku, studiues i arkitekturës popullore, inxhinier e restaurues, Emin Riza shprehet se për trashëgiminë kulturore në vend, tregohet pak vëmendje dhe organet shtetërore, nuk po e kryejnë si duhet punën për monumentet e kulturës. Në intervistën për gazetën “SOT”, Riza thotë se Butrinti është një kryevepër e antikitetit me një rëndësi të madhe, por kjo që po ndodh sot, sipas tij, me menaxhimin, është një skandal. Ai thekson se Butrinti është detyrë e shqiptarëve, e shtetit shqiptar. Me kritika, profesori Riza shprehet dhe për Institutin e Monumenteve të Kulturës. Nga bashkimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, sot kemi Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Por, sikur thotë ai, me ligjin e ri ndryshoi emri, por IMK është drejt shkatërrimit të plotë, duke sjellë pasoja të pakthyeshme të injorimit të detyrimeve profesionale, që ka shteti shqiptar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Emin Riza është studiues i arkitekturës popullore, inxhinier e restaurues. Punonjës shkencor e specialist restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës, si dhe autor i shumë projekteve dhe drejtues i punimeve restauruese. Ka përgatitur dosjet, për cilësimin e Gjirokastrës dhe Beratit, si pasuri botërore në UNESCO./Konica.al

-Profesor, ju trashëgimisë kulturore në vend i keni kushtuar dekada vite punë. Çfarë rëndësie ka për ju, Butrinti, në trashëgiminë kulturore?

Butrinti është një kryevepër e antikitetit, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne shqiptarët. Përpjekjet që po bëhen sot gjoja për ta ruajtur atë nga të ashtuquajtura edhe grupe profesionistësh, duke iu larguar detyrës themelore që është e specialistëve shqiptarë, është për mendimin tim, një marifet: po e them që nuk ka lidhje me përpjekjet e karakterit shkencor për ruajtjen e së kaluarës, por bëhet vetëm për ta paraqitur Butrintin, si një burim të ardhurash. Duhet patjetër që të mos zbatohet ai synim dhe t’i mbetet Butrinti, specialistëve shqiptarë të fushës së caktuar. Butrinti është detyrë e shqiptarëve, e shtetit shqiptar. Është pasuri shqiptare, brenda territorit shqiptar. E shpallur monument kulture nga shqiptarët, që prej shpalljes e deri më sot, e mirëmbajtur. Sot dalin dhe flasin gjëra, që s’ka kuptim.

-Tema e menaxhimit të parkut të Butrintit, ka sjellë reagime të specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore. Ka pasur edhe specialistë, që janë shprehur se ministria po heq dorë dhe po ia kalon të tjerëve. Ju çfarë mund të na thoni?

Këta thonë që ata janë specialistë, kemi fonde do të bëjmë këtë dhe atë, por këtu është mosfunksionimi i organeve tona shtetërore. Ato duhet të ishin pa diskutim, ndërhyrësit e menjëhershëm të bllokimit të kësaj. Kjo është një dëmtim i pakthyeshëm, i një vlere të papërsëritshme. Kjo që po ndodh me Butrintin, është një dëmtim.

– Marrëveshja për administrimin e nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të parkut kombëtar të Butrintit, lidhet ndërmjet ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Organi më i lartë vendimmarrës i fondacionit është bordi, i përbërb nga 5 anëtarë, mes tyre është dhe ministrja e Kulturës, por ka vetëm një arkeolog. Sa është kjo, shqetësuese, për ju?

Patjetër, një bord që ka lidhje me punën me trashëgiminë kulturore, duhet të ketë studiues të kësaj periudhe dhe restauratorë, të paktën dy. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ketë dhe të tjerë, unë po them minimumi dy. Ne kemi Neritan Cekën, etj, që duhet të ishin marrë parasysh çfarë kanë thënë më parë, për trashëgiminë kulturore. Kjo që po ndodh me Butrintin është skandal për nivelin kulturor të kombit shqiptar sot, që është përgjegjës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, që nuk i përket historikisht vetëm shqiptarëve, por i përket mbarë Evropës dhe veçanërisht, kur janë të periudhave shumë të hershme dhe kuptueshëm, shumë të rralla.

-Ju keni qenë dikur, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, si punohej asokhe për parkun e Butrintit?

Unë s’jam i asaj fushe të arkeologjisë, por Butrinti ka qenë një nga ansamblet monumentalë nga më të rëndësishmit dhe të një periudhe historike, që për arsye të kuptueshme, ka lënë pak gjurmë. Vlera e tij, nuk është vetëm kombëtare, por dhe europiane dhe me gjerë. Përgjithësisht, objektet ishin në gjendje të mirë, në kuptimin që kishin ruajtur autenticitetin në shkallë të theksuar, kishte mirëmbajtjen, specialistë për të bërë ndërhyrjet e duhura. Me që po flasim për monumentet, e kam thënë dhe herë tjera dhe e përsëris: restuarim, nuk do të thotë ta bësh si ka qenë, por ta ruash ashtu siç është. Restaurim, nuk do të thotë rindërtim, sepse nuk ka vlerë, duhet ta ruajmë siç na vjen nga e kaluara. Ndërhyrjet, janë për të bërë ruajtur gjendjen ekzistuese, jo për të bërë shtesat. Mund të bëhet një botim, vizatim, por jo të prekësh monumentin.

-Nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) është bërë me dije edhe për hartimin e planit të menaxhimit të integruar, për qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës. Ju keni përgatitur dosjet për cilësimin e Gjirokastrës e të Beratit, pasuri botërore prej UNESCO-s. Sa ka risk, nëse nuk merren parasysh zërat e specialistëve dhe profesionistëve të fushës?

Mund të ketë risk, pse jo! Unë kam ardhur në punë me monumentet e kulturës, në vitin 1962. Atë kohë, na caktuan mua, Aleksandër Meksin dhe Pirro Thomon, sepse kishte thënë Enver Hoxha atëherë, në një takim me Gani Strazimirin dhe na ndanë. Mua më caktuan arkitekturën populloren kryesisht me banesat. Gjirokastra, nuk ishte shpallur qytet-muze. Pas disa vitesh, e shpalla Gjirokastrën me nismën time, sigurisht duke marrë miratimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, por shumë thoshin atëherë: Gjirokastra, nuk ka asnjë vlerë, por ti e ke shpallur për t’i bërë qejfin Enver Hoxhës. Pra, shqiptarët i dinë të gjitha, por shumicën e dinë gabim. Por unë vazhdova punën, kam bërë monografi, artikuj, jam marrë me klasifikimin e tipologjisë banesës gjirokastrite, etj. Tashmë, Gjirokastra është pasuri botërore dhe është shpëtuar.

-Nëse nuk do ishte shpallur qytet-muze, siç ju pohoni, çfarë do kishte ndodhur ndër vite, me Gjirokastrën?

Nëse nuk do ishte shpallur, atëherë dhe do ishte shpallur më vonë, sigurisht, mund të ishin bërë dëmtime më të mëdha dhe mund të ishin të tilla, që ajo mund të kishte humbur vlerat. Gjirokastra ka një përparësi tjetër të rëndësishme, sepse banesa gjirokastrite është një banesë vetëm në hapësirën shqiptare, ashtu si ndodhet dhe banesa tiranase. Banesa tiranase dhe gjirokastrite janë të ndërtuara, që në fillesat e tyre, nga shqiptarët për shqiptarët.

-Dikur dhe ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe prej dekadash, specialist në fushën e trashëgimisë kulturore, si e keni parë rolin e ministrisë së Kulturës?

Ministria e Kulturës ka pasur raste që ministra ose ministre, të lidhura me monumentet e kulturës kanë vlerësuar specialistët e fushës, njësitë e të cilave e kryeson IMK, që aktualisht është drejt shkatërrimit të plotë, duke sjellë pasoja të pakthyeshme të injorimit të detyrimeve profesionale që ka shteti shqiptar, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të shumë shekujve, që nga shfaqja e veprimtarisë e kombit shqiptar. Gjendja është katastrofike.

-Pse kjo gjendje, sipas jush?

Lexova një artikull, që kam bërë dhjetë vite para dhe me të vërtetë, gjendja është katastrofike. Duke qenë se në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të zhvilluara, nuk ka institucione, që përgatisin restaurues, as Shqipëria nuk ka, ndaj institucioni që duhet të përcaktojë mirëmbajtjen e monumenteve, etj., duhet të jetë IMK, që sot me ligjin e ri, ka emër tjetër. Instituti i Monumenteve të Kulturës është në rënie pikiadë, për arsye sepse drejtorët e institutit, ka vite që nuk caktohen sipas atij rregulli që ne kishim vënë dikur: që drejtuesi i IMK-së duhet të dalë nga punonjësit e institutit, por filloi t’i caktojë ministria. Ministrat dhe ministreshat, në radhë të parë vënë të njohurit e tyre. Por, rënia e IMK-së është e rëndësishme, ka humbur gjurmimi i gjendjes së monumenteve, kanë humbur ndërhyrjet mirëmbajtëse, që duhet të jenë të vazhdueshme gjatë gjithë kohës. Për ndërtimet e çfarëdo lloji, duhet që sapo të shikohen prishje të vogla, menjëherë të ndërhysh, që ndërpresin vazhdimin e shkatërrimit dhe mbajtjen gjallë, në mënyrë figurative, të atij ndërtimi, që është një dëshmi historik0-kulturore, jo vetëm për shqiptarët, por dhe për Evropën, në përgjithësi.

-Në rast se do të vijojnë këto problematika, në fushën e trashëgimisë kulturore, çfarë sjell kjo?

Monumenti kur, pjesërisht fillon të humbasë vlerat origjinale… është e pakthyeshme origjinalja. Njësoj si të presësh një qenie të gjallë. Vlerat e monumentit, duhen ruajtur në gjendjen e tyre, ky është thelbi i restaurimit, ta ruajmë siç është monumenti, jo ta bëjmë siç ka qenë. Këtë e ka thënë figura të shquara. Ta restaurosh, do të thotë ta ruash siç na vjen prej kohës në momentin e shpalljes monument kulture dhe jo ta bëjmë siç ka qenë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Butrinti fsheh të shkuarën greke”

“The Times”: E vërteta u takon arkeologëve vendas