MENU
klinika

Abuzimi me vajin e misrit: 500 lekë litri!

Braçe: Blini vajin e ullirit tonin, i jashtëzakonshëm për t’u ushqyer dhe kursyer

31.05.2022 - 10:26

Deputeti socialist, Erion Braçe ka reaguar pas vëzhgimit të Report Tv nga gazetarja Eliza Gjediku për abuzimin që tregtarët po bëjnë me çmimin e vajit të misrit, produkt që është i pakontrolluar nga Bordi për çmimet. Me anë të një video në Facebook, Braçe i bën thirrje qytetarëve që të blejnë vaj ulliri në vendin tonë në mënyrë që të kursejnë dhe të ushqehen shëndetshëm pasi shitet 100-150 lekë më lirë se vaji i misrit.

“Çfarë t’ju them? Natyrisht që Bordi i çmimeve bëri mirë që vuri në kontroll çmimin e vajit të lulediellit, por mesa duket qenka kompensuar me çmimin e vajit të misrit. E kisha dëgjuar edhe këtë fakt. Bordi bëri një ushtrim jetik për vajin e lulediellit, analizoi blerjen dhe vuri nën kontroll çmimin. Një thirrje kam, nga Lushnja në Divjakë, Berat, Fier, Dumre, sipër në Lezhë keni vaj ulliri me 400-450 lekë/litër. Sa të blini vaj misri me 500-550 lekë, shkoni e blini vajin tonë të ullirit, është i jashtëzakonshëm për t’u ushqyer dhe për të kursyer siç duket qartë nga çmimet tani”, tha Braçe.

Nëse përpara se të niste lufta dhe kriza e çmimeve, vaji i misrit shitej nëpër supermarkete dhe dyqane ushqimore 240 deri në 280 lekë litri, një vëzhgim i Report Tv zbulon se çmimi sot ka kapërcyer në vlera rekord prej 450-500 lekë për litër. Në muajin maj vaji i misrit është zhdoganuar me 228 lekë litri, ndërkohë që qytetarët po e blejnë deri në 500-550 lekë, pra 2 herë më shumë sesa çmimi me të cilin importohet.

Sipas të dhënave të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në total nga janari në maj janë zhdoganuar 474.870 litra vaj misri, me çmim mesatar 245 lekë/litri. Çmimi më i lartë i importit është regjistruar në muajin mars me 366 lekë/litri, muaji ku lufta në Ukrainë, tronditi tregjet ndërkombëtare duke shtrenjtuar menjëherë produktet ushqimore dhe jo vetëm.

Sipas të dhënave të Doganës, Shqipëria nuk ka kontrata importi të drejtpërdrejta me Ukrainën, Rusinë apo Bjellorusinë për vajin e misrit. Dy shtetet prej nga importohet vaji i misrit, janë Italia dhe Turqia, ku vetëm në 5 muaj janë importuar 283,774 litra nga Italia  dhe 165,585 litra nga Turqia. Ukraina që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të vajit të misrit, grurit dhe lulediellit, ka ulur furnizimet në Evropë, edhe shtetet kanë rritur çmimin e këtij produkti, por me dyfishim të vlerës, siç po ndodh në Shqipëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paradoksi me çmimet e prodhimit

Ulliri më i shtrenjtë, vaji më i lirë