MENU
klinika

Paradoksi me çmimet e prodhimit

Ulliri më i shtrenjtë, vaji më i lirë

04.09.2018 - 12:15

Çmimet e ullirit janë rritur, ndërsa ato të vajit të ullirit kanë rënë. Ky është konkluzioni, deri diku paradoksal, që del nga të dhënat e Institutit të Statistikave për çmimet e produkteve bujqësore vitin e kaluar.

Instat bën të ditur se çmimi i ullinjve u rrit me afërsisht 7% krahasuar me vitin 2016. Ndërkohë, çmimi i vajit të ullirit pësoi rënie me afërsisht 2% krahasuar me një vit më parë. Afërsisht i njëjti paradoks, por në kahun e kundërt vlen edhe për raportin e çmimeve mes rrushit dhe verës. Ndërsa çmimi i rrushit u ul me 3.6%, çmimi i verës shënoi rritje me 13.4%. Kontradiktat mund të shpjegohen me faktin se një pjesë e madhe e prodhimit të verës dhe vajit të ullirit bëhet me lëndë të parë nga importi. Gjithashtu, një rol në ecurinë e çmimeve ka padyshim edhe konjuktura e konkurrencës në treg. Megjithatë, sidomos në rastin e vajit të ullirit një tendencë e kundërt e çmimit të produktit me lëndën e parë ngre dyshime për një shkallë të lartë të falsifikimit të produktit, siç është provuar shpesh nga analizat e institucioneve dhe nga investigimet e mediave.

Sipas Instat, çmimet e produkteve bujqësore vitin e kaluar pësuan një rënie të lehtë në vlerat mesatare. Megjithatë, shifrat nuk japin sinjale indirekte për ndonjë rritje spektakolare të ofertës së këtyre prodhimeve në treg. Për më tepër, shumë prej produktet më të rëndësishme në dietë, si perimet, frutat apo mishi u shtrenjtuan, ndërsa çmimet pësuan rënie për drithërat, bimët foragjere dhe qumështin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN