MENU
klinika

Historia e famulltarit të Tiranës

Çfarë i kërkoi Dom Shtjefëni, Enver Hoxhës…

03.06.2022 - 12:00

       NIKOLLË LOKA

Av. ALFDRED DUKA

NIKOLIN KURTI

Pjesa e gjashtë

PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?

-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –

Vijon nga numri i kaluar

Afrimi me italianët është motivuar edhe nga nevojat e shumta ekonomike të Kishës Katolike Shqiptare!

Edhe me studime në shërbim të kombit të vet

Në burgjet shqiptare, edhe në vitet e para pas çlirimit, zbatohej praktika e shërbimit shpirtëror për të burgosurit, të cilin komunistët fillimisht nuk e shfuqizuan. Kurti si drejtues i Kishës Katolike, e kërkoi zyrtarisht këtë të drejtë dhe meqenëse nuk kishte marr përgjigje, i ishte drejtuar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë. Dom Shtjefni i drejtohet Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare për t’i dhënë leje që të jepte meshë në burg për të burgosurit katolikë, pasi në burgun politik të Tiranës, gjendeshin afër njëqind vetë të besimit katolik.

Tiranë, 2 Qershor 1945

Zyra Famullitare e Kishës Katolike

Tiranë Prot. nr.177/45

Komandës së Përgjithshme N.Ç. Shqiptare Tiranë

Tiranë

Në burgun politik të Tiranës gjinden afër njëqind vetë të besimit katolik.

Tue kenë se janë shejtnimi i ditës së diellë, i nënshkruemi, ka nderen me kërkue prej Asaj Komande të Përgjithshme, lejen me muejtë me shkue vetë personalisht atje, ose me çue ndonjë prift tjetër, për çdo muaj me thanë Meshë, me rrëfye e me zhvillue vetëm e vetëm çka asht shërbim fetar.

Njëkohësisht, kërkojmë nji autorizim prej asaj Komande të Përgjithshme, me shkue në Burgun politik herë qi caktohet vendimi i Gjyqit për vdekjen e nji katolikut. Këtë leje e kërkojmë për të pasë mundësinë me i dhanë të dënuemit, që me kohë shartet e ngushëllimit të Fes.

Kryetari i Komitetit Katolik të Tiranës

Dom Shtjefën Kurti

Meqenëse problemi nuk kishte marr zgjidhje, kishte biseduar në telefon me Zyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ku kishte kërkuar një takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Spiro Moisiun. Meqenëse në ditën e caktuar nuk kishte mundur ta takonte Moisiun, i ishte drejtuar me një letër private. Dërgimi i një letre private do të thotë se Shtjefën Kurti kishte njohje me Spiro Moisiun dhe kërkonte angazhimin e tij si person për zgjidhjen e problemit. Por, duke qenë një problem shumë delikat, kleriku Kurti, nuk kishte mundur ta merrte përgjigjen. Shteti kishte nisur kufizimin e veprimit të fesë në sferën shoqërore dhe procesi kishte filluar nga institucionet: burgjet, shkollat etj.

8. III. 1945

Private Pt. Gjen. Major Spiro Moisiut

Kryetar i Shtatmadhorisë së U.K

Tiranë

Zoti Gjeneral!

Kam ardhë tash do kohë, pasi kishte kërkue lejen telefonish prej jush, me bisedua për ç’ka ma poshtë; por edhe pse erdha në kohën e caktueme prej Jush, pasi prita nja treçerek orët, pa më lajmue askush, ktheva në detyrën t’ime.

Çështja asht kjo:

Unë kam pasë bë nji kërkesë pranë P.T. Komandës së Përgjithshme të UNÇ që me 2 Qershor 1945 me letër Pr. Nr. 177/45, qi me më lejue ka nji herë në muej me vajtë në Burgun Politik, për me zhvillue shërbimin fetar katolik qi gjendet n’atë Burg, të cilët janë ma se njëqind. Deri sot nuk m’asht përgjegjë as pozitiv dhe as negativ. Prap kam bë me datën 28 qershor të k.v. nji të njëjtë kërkesë nëpërmjet të Ministrisë së Dreitësis prej kah e dij se juridikisht mvaremi; edhe prej Saj deri sot asnjë përgjigje nuk m’asht sjellë.

Deshta t’i lutem, Zoti Gjeneral, mbasi me vështirësi po mundohem me ju folë gojarisht, megjithëse kisha me pasë nevojë me Ju shtrue edhe tjera nevoja të Zyrës qi kam, që të më lejoni me meshue e me e krye të tjerat shërbime fetare, si asht rrëfimi e kungimi, në Burgun Politik me rastin e Shën Mëris me 15 gusht.

Marrë rastin, Zoti Gjeneral, me ju tregue konsideratën t’eme ndej personin t’Uej, dhe njiherit me Ju falenderue për çka jenu t’ue dashtë me ba mbi kërkesën qi ju paraqita.

Me nderime të veçanta!

Famullitari

Dom Shtjefën Kurti

Problem mjaft delikat ishte kërkesa që të dënuarve me vdekje t’u kryheshin shërbimet e fundit shpirtërore dhe klerikët të merrnin pjesë në momentet e fundit të jetës së tyre. Meqenëse problemi kishte ngarkesë të madhe politike, i ishte drejtuar Kryeministrisë, por nuk kishte marr përgjigje.

Heshtja qeveritare lidhej edhe me faktin se ekzekutimet bëheshin natën në vende të fshehta, dhe po në fshehtësi bëhej varrimi i të ekzekutuarve, në mënyrë që ata të mbeteshin pa një varr të njohur.

Zyra Famullitare e Kishës Katolike

Tiranë, 16.1.1945

Pr. nr. 31/45 K.N.C.

Kryeministrisë së Qeveris Demokratike Shqiptare-Tiranë

Kjo Zyrë Famullitare e Tiranës, ka mësue prej fletores “Bashkimi”, Nr.16 data 20.1.1945, mbas vendimit gjyqësore të Drejtësisë, kje ekzekutue i quajtuni inxhinier Leonardo Tomaso dhe asnji prej nesh nuk kje thirrë n’atë rasë qi t’a asistonte të dënuemin në dedikun e fundit të jetës së tij.

Asht kenë zakon në të tilla raste me grishë kryetarin e fesë së besimit të dënuemit e aj i nepte atij ngushëllimet e fesë si edhe i shërbente shartet e fundit gjatë ekzekutimit dhe së mrami i bante salikime të e zakonshme privatisht.

I nënshkruemi lut at Dikaster të Naltë të disponojë ku duhet qi nder raste tjera të na thrrasin, mbasi për ne katholikët asistenca në momentet e fundit ka një randësi kryesore.

Rasti tjetër kishte të bënte me një katolik shqiptar. Në letrën për Ministrinë e Drejtësisë, shkruan:

Pas dhënjes së dënimit me vdekje për Bernard Lacën, në bazë të një vendimi gjyqësor, Don Shtjefni i ishte drejtuar Ministrisë së Drejtësisë që t’i krijohet mundësia t’i kryente shërbimet e fundit shpirtërore, para se ta merrnin për ekzekutim:

Dje gjyqi ushtarak i Tiranës dënoj me vdekje Bernard Lacën. Asht ba zakon tash shumë kohe mos me thirrë priftin katolik për me i ba të gjykuemit, në dekikun e fundit, shartet e fesë.

I lutemi atij Dikasteri të Naltë të Drejtësisë me ndërmjetsue ku duhet, qi si në këtë rasë, ashtu edhe në rase të tjera eventuale, të thirret me kohë prifti katolik, për me i administrue atij shartet e fesë, si edhe me i dhanë ngushëllimet e ritit, tue përgatitë për dekë.

Famullia e Tiranës nën drejtimin e Don Shtjefnit interesohej për kushtet e jetesës së të burgosurve katolikë dhe për tu ardhur sado pak në ndihmë, kishte grumbulluar ndihma prej qytetarëve. Në një letër drejtuar Drejtorisë së Burgut, ai kërkon që ato ndihma t’ia dorëzoj Drejtorisë së Burgut, që t’ua shpërndajë katolikëve të dënuar.

Zyra Famullitare ka nderin me i dorëzue asaj Drejtorije gjanat më poshtë, me lutje Ajo t’ua ndajë besimtarëve katolikë të burgosun aty, me rastin e festave të Krishtlindjes: Këmisha 12 copë, telina 8, pantallona 8, setra 6, jelekë 2, fanela 5, telina t’leshta 1, çorape pambuku, 11 palë, çorape leshi 4 palë, peshqirë 2, Mblojë shtrati 1, jamullija 3, këpucë 1 palë.

Në mes të mirënjohjes dhe mosmirënjohjes!

Qysh në vitet e para të pasçlirimit tendenca edukuese me ideologjinë marksiste-leniniste, synonte që ta kufizonte vazhdimisht rolin e institucioneve fetare në procesin edukativ, përfshi dhe shkollat që administroheshin nga komunitetet fetare. Autoritetet shtetërore deklaruan se i vetmi autoritet që ishte përgjegjës për edukimin e fëmijëve dhe të brezit të ri ishte Partia. Me vendimin Nr.5, datë 12.4.1945 të Këshillit të Ministrave, ishte vendosur që të gjitha shkollat fillore në Shqipëri të ishin shkolla shtetërore.

Ai vendim parashikonte shtetëzimin e të gjitha shkollave fillore private (më 6 mars 1946 citohet edhe dekreti përkatës për gjimnazet). Heqja e mundësisë për të përgatitur klerikë të rinj çonte çdo ditë e më tepër drejt “vdekjes së fesë”. Mbyllja e shkollave katolike ishte një masë që synonte largimin e të rinjve nga feja dhe konsiderohej si hap i parë drejt pengimit të përgatitjes së klerikëve të rinj, një masë që do t’i jepte rezultatet e veta për një periudhë afatgjatë. Po atë ditë, Ministria e Arsimit njofton shkollat fetare katolike mbi vendimin e qeverisë.

Tiranë, më 12. XII. 1945

Urdhnit të Motrave Stigmatine

Urdhnit të Motrave Servite

Tiranë

Lënda: Mbi mbylljen e shkollave private

Ju njoftohet se, në vështrim të dispozitave të dhauna nga Ministria e Arsimit, asht i ndaluem kategorish funksionimi, në çdo formë qoftë, i shkollave fillore e foshnjore private.

Tue paravue sa më sipër, edhe shkolla foshnjore që Ju drejtoni, nuk mund të vazhdojë e hapun ma gjatë.

Dëshirojmë me ju kujtue se, edhe ma parë, Ju ka qenë komunikue nga an’e këtij Seksioni që duhej të mbyllnit foshnjoren t’Uaj, për deri më sot kemi konstatue se nuk asht ba kurgja në atë drejtim.

Prandaj e shofin të nevojshme me theksue, për të fundit herë që të mbyllni foshnjoren në fjalë.

Për Komitetin në fjalë.

Për Komitetin Ekzekutiv të KNÇl të N/Prefekturës së Tiranës:

Kryetari Sekretari Vangjel Noti Ali Bakiu

Meqenëse me ligj deri në këtë kohë nuk ishin mbyllur shkollat foshnjore, Dom Shtjefni bën kërkesë për hapjen e tyre, në ditët e para të nisjes së vitit të ri shkollor.

Tiranë 25.IX.1945

Zyra Famullitare Katolike

Tiranë

Prot. Nr. 304/45

Z. Ministrisë s’Arsimit

Tiranë

Tue kenë se koha e vitit shkollor asht në të hapun, i nënshkruemi ka nderen me i lutë atij Dikasteri të naltë qi t’iu napi lejen Instituteve të Murgeshave të Tiranës me hapë shkollat foshnjore: Murgeshat Servite e Stigmatine për kalamaj shqiptarë dhe Murgeshat Ancelle për kalamaj italianë.

Kemi uzdajë që lutja do të ketë një rezulatat të favorshëm, mbasi edhe prindët e fëmijëve insistojnë pa da që t’i hapin ato shkolla.

Kryetari i Komunitetit Katholik

Don Shtjefën Kurti

Pas kësaj letre, tërhiqet vëmendja se ai vendim i Ministrisë së Arsimit i ishte drejtuar dhe Kishës Katolike për zbatim. Në shkresë kërkohet mbyllja e menjëherëshme e foshnores. Në ato kushte, kisha merr vendim që në vend të shkollës të funksiononte një “Recreatorium”. Në këtë rast, ndonëse nuk mund të bëhej fjalë më për mësim, ndihmoheshin familjet dhe fëmijët mund të kalonin disa orë në mënyrë aktive dhe të organizuar nën përkujdesjen e murgeshave.

Kjo zgjidhje u bë nga kisha, nisur nga dëshira për t’i shërbyer në njëfarë mënyre komunitetit, por edhe duke qenë në pajtim me ligjet, pasi “Recreatoriumi” nuk ndalohej. Kisha po shërbente dhe pse shërbimet e saj nuk po vlerësoheshin, shiheshin me dyshim dhe ishin të survejuara. Ishte një bashkëpunim i imponuar nga dëshira për t’u shërbyer sado pak njerëzve. Klerikët katolikë shqiptarë e kryen atë detyrë deri në minutat e fundit, edhe pse u denigruan. Duhej vullnet dhe dashuri për të punuar në ato kushte, që vetëm njerëzit e pajisur me shumë besim mund ta kishin.

Tiranë, 14. XII. 1945

Zyra Famullitare e Kishës Katolike

Tiranë

Prot. Nr. 391/45

Komitetit Këshillit N.Ç të N/Prefekturës Tiranë

Seksionit të Arsimit

Në lidhje me shkresën Tuej Res.138/I dt. 12.XII.45 kena nderin me ju njoftue se kjo Famulli, prej së cillës mvaren Motrat Servite dhe Stigmatinet, në bazë të shkresës së Këshillit të Ministrave, me vendim 5.5.dt. 12.IV.45, i ka mbyll shkollat e saj dhe foshnjoret. Sot ne nuk mbajmë shkollë, por kena vetëm nji “Recreatorium” për fëmijët e besimtarëve, të cilët në mungesë të lulishteve popullore, largojnë fëmijët e vet me luejt e për mos me u sjellë rrugëve e në rrezik t’akcidenteve.

Na duket se “Ricreatorium” i jonë nuk asht në kudnërshtim me dispozitat e Ministrisë, mbasi ajo nuk asht shkollë, dhe m’anë tjetër ajo asht nji ndihmë për familjet e vobegta dhe në këtë kuptim të merret në konsideratë.

Famullitari – Dekan

Dom Shtjefën Kurti

Pasi ishte shqyrtuar shkresa e dërguar nga Dom Shtjefën Kurti, ishte dhënë leja për Recreatoriumin. Dhe për të qenë më i qartë në kërkesën e tij dhe në përputhje me ligjin, kleriku Kurti dërgon një shkresë tjetër me emrat e fëmijëve që përfitojnë :

Tiranë 16. II.1946

Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë

Pr.Nr.49/46

Komuniteti Ekzekutiv të K.N.Ç. të N/Prefekturës

Seksioni i Arsimit

Tiranë

Përgjigje e shkencës s’Uej Pr.Nr.138/III e 75 Res.

Si përgjegjës i Servite (Jo Stigmatine, si gabimisht në shkresën t’Uej) dhe prandaj dhe i Receatorum-it, i nënshkruemi ka nderen me i dërgue listën e parë të fmive qi u shkruan, pas letrës qi morën, në këtë Recreatorium.

Me radhë, tue u shkrue fmijë të tjerë, do të jetë detyrë e jona me e mbajt në korent mbi emnat e tyne atë Seksjon t’Arsimit.

Niko Kota i Vasilit e i Theka lin, më 30.12.42, Rr. “Skënderbej” nr.30
Aneta Kota i Vasi. i Thek. lin. 5.3.43 Rr. “Skënderbej” nr.30
Seti Burnazjan i Atin e Lit, lindun më 4.8.42 Rr. Dibra nr.100
Roba Doda i Nikolla e i Domenika, lindun 27.X.43 Rr.Durrësit nr.40
Angjelina Doda i Nikolla e Domenika, lin. 10.VI.42 Rr. Kavajës nr.15
Mariza Gjuca, Ndoc e Leze lin. 7.4.43, Rr. Kavajës nr.15
Agetina Kola e Zef e Vitore lin.7.1.43 Rr. Kavajës nr.45
Paskuale … Ndoc e Luqija lin. 17.6.44, Rr. Kavajës nr.45
Gjovalin Pepa Ndoc e Antonjeta lin. 18.6.43, rr. Kavajës nr. 40
Mimi Luca i Dhimitër e Bazilik lin. 24.7.43, Rr. Kavajës nr. 20
Antonjeta Brahimi Pashk e Marija lin.8.X.43, Rr. Kavajës nr.15
Nikoleta Brahimi Pashk e Marija lin. 7.XI.44. Rr.Kavajës nr.15
Shqype Trabanari Shaban e Lesia lindur 25.6.45. Rr. Dibrës nr. 12
Rilindje Trabanari Shaban e Lesia lin. 17.3.43 Rr. Dibrës nr.12
Cefer Shjaku i Enver e Servete lin.2.3.44 Rr. Dibra nr.13
Angjelin Selva i Teodor e i Nine lin.27.7.43. Rr. Reshit Petrela nr. 33
Liza Haxhimihajli i Mihal e Vite lin.14.V.42. Rr. Dhimitër Korona nr.17.
Lina Haxhimihajli i Mihal e Vite lin 9.9.43. rr. Dhimitër Korona nr.17
Xhaneta Haxhimihajli i Mihal e Vite lin. 1.X.44. Rr.Dhimitër Koronanr. /Memorie.al
Famullitar – Dekan

Don Shtjefën Kurti

Vijon numrin e ardhshëm

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen