MENU
klinika

Për të gjithë ata që 'vdesin' për "Reels"

Instagram vjen me ndryshime të reja!

04.06.2022 - 07:56

Meta ka prezantuar ndryshime të reja për veçorinë e videove Reels në Instagram dhe Facebook që janë të ngjashme me ato të TikTok. Në Instagram, Meta i ka zgjatur Reels në 90 sekonda, duke u dhënë përdoruesve më shumë kohë për t’u shprehur dhe për të promovuar markat dhe produktet e tyre. Përveç kohës së zgjatur, Reels i janë shtuar edhe stickers që kanë qenë ekskluzive për Instagram Stories. Gjithashtu veç titrave, përdoruesit do të mund të përdorin sondazhe, stickers dhe emoji në Reels.

Instagram po zbaton edhe veçorinë Template, duke i lejuar krijuesit të rikrijojnë një Reel bazuar në një shabllon ekzistues. Me një shtypje të butonit “Use Template”, ata do të jenë në gjendje ta modifikojnë postimin me përmbajtjen e tyre. Për më shumë origjinalitet, ata mund të përdorin audion e tyre përmes veçorisë Import Audio.

Ndërkohë, përdoruesit e Facebook tani do ta kenë më të lehtë skedulimin e postimeve të tyre në Reels, duke përdorur versionin e Desktopit. Meta po nxjerr gjithashtu mjete për prerjen e videove në Creator Studio për krijuesit, që t’i shkurtojnë dhe modifikojnë videot e tyre më të gjata deri në Reels 60 sekondash. Ashtu si Messenger po bëhet më shumë si WhatsApp, Facebook dhe Instagram po bëhen si TikTok, ndoshta edhe duke e tejkaluar atë.

Ndërkaq, sjellim në vëmendje se WhatsApp me sa duket do të vijë me një risi të re. Së bashku me mundësinë e përdorimit të një llogarie të vetme në dy telefona të ndryshëm, mundësia për të redaktuar mesazhet pas dërgimit është një nga funksionet më të kërkuara mes mbi 2 miliard përdoruesve të WhatsApp në botë.