MENU
klinika

"Më pak shpenzime, për pasojat e krizës"

Paketa e mbështetjes, Shqipëria në fund të listës

07.06.2022 - 09:28

Mbështetja që qeveria ofroi për kategoritë në nevojë pas rritjes së çmimeve si pasojë e krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë, është më e ulëta në krahasim me vendet e rajonit.

Në raportin e saj të fundit, Banka Botërore vë në dukje se paketa e mbështetjes e ofruar për të përballuar efektin e rritjes së çmimeve, ishin më të larta në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

RAPORTI I BB

Konkretisht, Shqipëria ka shpenzuar 1.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), ku pjesën më të madhe e zë mbështetja për sektorin energjetik për të mbajtur të pandryshuar tarifat e aplikuara për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut mbështetja financiare e ofruar nga qeveria, së bashku me përjashtimet fiskale, subvencionet dhe përfitimet sociale ishte 4.9 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Në vend të dytë rënditet Serbia, e cila shpenzoi 2.5 për qind të PBB. E lartë mbështetja ishte edhe në Kosovë, ku shpenzimet për të përballuar efektet negative të krizës ishin 2.3 për qind të PBB. Vendi ynë renditet në fund të listës, së bashku me Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën.

PAKETA

Paketa e rezistencës sociale e prezantuar nga qeveria në muajin mars kishte një efekt financiar rreth 50 miliardë lekë, ose gjysmë milioni dollarë. Por pjesa dërrmuese e kësaj fature shkoi për sektorin energjetik, për të mos ndryshuar çmimin e energjisë. Ndërsa ndihmë e drejtpërdrejtë për pensionistët dhe kategoritë në nevojë ishte bonusi në vlerën e 3 mijë lekëve, ose 9 mijë lekë për 3 muaj, që qeveria akordoi si kompensim për rritjen e çmimeve që pësuan produktet e shportës. Pjesë e paketës ishte edhe rimbursimi i vlerës së biletës për udhëtarët për të mbajtur të pandryshuara çmimet, si dhe fondi 1.45 miliardë lekë si mbështetje për fermerët me naftë pa taksa. Kujtojmë që edhe gjatë pandemisë, Shqipëria ofroi mbështetjen më të ulët në raport me vendet e rajonit.