I ashtuquajturi i “forti” i Niklës, arrin t’i mbijetojë sërish një atentati që synonte eliminimin e tij, rreth tri vite pas një tentative tjetër për ta vrarë atë.
Plumbat e armëve të zjarrit e “falën” sërish Marklen Hakën, i cili arrin t’i mbijetojë tentativës së radhës për ta ekzekutuar.
ATENTATI
Marklen Haka ishte duke u kthyer në shtëpi me makinën e tij, në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, kur një person që lëvizte në këmbë i është afruar dhe e ka qëlluar nga një distancë e afërt me armë zjarri tip pistoletë. Plumbi e ka kapur në nofull duke e lënë të plagosur rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në orën 15:00, në hyrje të fshatit Nikël në Fushë-Krujë. Kanë qenë miqtë e tij, të cilët e kanë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Në vendin e ngjarjes mbërriti Policia që nisi menjëherë nga puna për zbardhjen e ngjarjes.
Dëshmitarët kanë deklaruar se një djalë me kapele dhe me syze dielli ka qëndruar afër vendit të ngjarjes për afro 30 minuta dhe në momentin që Marklen Haka është shfaqur me makinë, ai iu afrua dhe e qëlloi me pistoletë.
Sipas tyre, autori është larguar më pas me shpejtësi duke menduar se objektivi kishte ndërruar jetë, sepse fytyra iu mbulua komplet nga gjaku. Policia ka mbledhur edhe disa kamera sigurie të bizneseve që ndodhen në zonë, me qëllim për t’i përdorur për të mësuar më tepër detaje rreth autorit. Nga ana tjetër, grupi hetimit ka marrë në pyetje disa nga miqtë dhe të njohurit e Marklenit, pasi vetë ky i fundit e ka pasur të pamundur të japë dëshmi për shkak se gjendja shëndetësore nuk ia lejonte.
“I FORTI NIKLËS”
Marklen Haka është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai, i cili njihet dhe me emrin Mariglen Haka, është arrestuar disa herë, por ka arritur të dalë duke sfiduar organet e drejtësisë. Në dosjen e Hakës janë shënuar veprimtari të shumta kriminale, duke filluar nga atentate që kanë pasur për shënjestër edhe atë vetë e deri në vrasje që ky i fundit ka kryer. Ai njihet si pjesë e “Grupit të Niklës”, disa anëtarë të të cilit janë vrarë nga grupe kriminale kundërshtare.
Si u organizua atentati në vitin 2019 që i vrau hallën
Në shtator të vitit 2019, plot 100 plumba u shkrepën nga katër armë të ndryshme automatike në drejtim të Marklen Hakës, në derën e shtëpisë së tij. Ngjarja ndodhi në muajin shtator të vitit 2019. Si pasojë e plumbave të lëshuar drejt banesës, mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha.
Atentatorët kishim mundur të hynin në thellësi të fshatit Zezë të Fushë-Krujës, aty ku jetojnë anëtarët e familjes Haka. Asokohe u tha se gjithë rruga për të mbërritur te 3 vilat e fisit Haka, është e monitoruar 24 orë me kamera sigurie. Viktima, 50 vjeçe, dyshohet se u qëllua aksidentalisht, pasi ajo hapi derën e jashtme të shtëpisë, ndërsa vetë Marklen Haka ishte në oborr. Në vendngjarje u sekuestruan më shumë se 100 gëzhoja të qëlluara nga katër armë të ndryshme automatike. Në lidhje me atentatin e parë, autorësia e të cilëve nuk është zbuluar ende, Marklen Haka tregoi kronologjinë e ngjarjes.
“Më datë 21 shtator 2019, kam shkuar rreth orës 2100 në shtëpi, ku kishin ardhur për vizitë motra ime dhe halla ime, Shpresa Basha. Kemi qëndruar të gjithë së bashku për darkë, aty ishte edhe djali i xhaxhait tim, Egustian Haka. Gusti doli për të parë ndeshjen Inter-Milan. Ai është kthyer rreth orës 23:00 dhe ka parkuar automjetin para shtëpisë sime. Erdhi tek unë dhe më tha se te skarpati i lumit, kishte dëgjuar zhurmë. Më ka thënë hajde të dalim të shikojmë njëherë. I kam thënë Gustit dhe nipit Ervis Basha të marrin nga një elektrik dhe të kontrollonim skarpatin e lumit.
Të dy kanë dalë nga banesa duke kontrolluar, ndërsa unë me hallën, Shpresën, kemi dalë te porta kryesore. I kam thënë Shpresës të kthehet në shtëpi, por ajo nuk më dëgjoi. Pasi kam bërë 4-5 hapa nga porta kryesore, kam dëgjuar breshëri automatiku: po qëllohej drejt meje. Kam ndjerë që u plagosa te krahu i djathtë. Kam ikur me vrap, kam hyrë te shtëpia e xhaxhait dhe i kam kërkuar atij të më dërgonte në spital, pasi po humbisja shumë gjak. Familjarët ishin të hutuar, pasi po kërkonin Ervisin dhe Gustin. Unë kam telefonuar shokun tim, Indrit Rrajën, që të vinte me makinë dhe të më dërgonte në spital. Nuk i kam parë personat që më qëlluan, pasi ishte errësirë. Dua të sqaroj se unë nuk kam asnjë konflikt dhe nuk dyshoj tek askush”, thoshte Haka.