13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është se është shtuar një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr. KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim nw Këshillin e Ministrave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave.
KLGJ vendos riorganizimin e gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, nga njëzetë e dy gjykata të rretheve gjyqësore në trembëdhjetë gjykata të tilla, si më poshtë:
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, me seli në qytetin Berat dhe kompetencë tokësore në bashkitë Berat, Dimal, Kuçovë, Skrapar dhe Poliçan;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, me seli në qytetin Peshkopi dhe kompetencë tokësore në bashkitë Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me seli në qytetin Durrës dhe kompetencë tokësore në bashkitë Durrës, Shijak, Kavajë dhe Rrogozhinë;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me seli në qytetin Elbasan dhe kompetencë tokësore në bashkitë Elbasan, Cërrik, Belsh, Peqin, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me seli në qytetin Fier dhe kompetencë tokësore në bashkitë Fier, Patos, Roskovec, Lushnje, Divjakë dhe Mallakastër;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me seli në qytetin Gjirokastër dhe kompetencë tokësore në bashkitë Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë dhe Dropull;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me seli në qytetin Lezhë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Lezhë, Mirditë dhe Kurbin;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me seli në qytetin Korçë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Korçë, Maliq, Pustec, Kolonjë, Devoll dhe Pogradec;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, me seli në qytetin Kukës dhe kompetencë tokësore në bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me seli në qytetin Sarandë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Sarandë, Konispol, Finiq dhe Delvinë;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me seli në qytetin Shkodër dhe kompetencë tokësore në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me seli në qytetin Tiranë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Krujë;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me seli në qytetin Vlorë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Vlorë, Selenicë dhe Himarë.
KLGJ ka vendosur gjithashtu riorganizimin e gjykatave të apelit të juridiksionit të përgjithshëm, nga gjashtë gjykata apeli, në një Gjykatë Apeli të Juridiksionit të Përgjithshëm, që organizohet dhe funksionon në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, me seli në qytetin Tiranë.
Riorganizimin e gjykatave administrative të shkallës së parë, nga gjashtë gjykata administrative në dy gjykata të tilla, me kompetenca tokësore si më poshtë:
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me seli në qytetin Tiranë dhe kompetencë tokësore që përfshin rrethet gjyqësore, Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Korçë.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnje, me seli në qytetin Lushnje dhe kompetencë tokësore që përfshin rrethet gjyqësore Berat, Fier, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë.