MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Dyshja më e çuditshme e kësaj pranvere

11.06.2022 - 08:22

Nga Skënder Minxhozi

Janë miq apo armiq? Me shumë gjasë është e para dhe jo e  dyta, por kandidatura e një mjeku gjysëm të panjohur për pak i futi në krizë të thellë. Berisha dhe Meta kanë shkëmbyer këto orë mesazhe të përziera me mjaltë dhe pelin bashkë, pasi kreu i shtetit firmosi me urgjencë dekretin e shkarkimit të Bajram Begajt nga posti i shefit të shtabit, çka i hapi rrugë zyrtarizimit të presidentit të ri në Kuvend.

Vetëm në një republikë bananesh të Amerikës së Jugut firmosen kështu dekretet, tha Berisha pasi u njoh me veprimin e Ilir Metës. Një koment që s’do të kishte habitur askënd nëse do përdorej kundër Ramës, por që la gojëhapur shumëkënd pasi u përdor kundër njeriut që përbën sot dhe nesër të vetmen shpresë për opozitën shqiptare dhe vetë Berishën.

Nga ana e tij Ilir Meta nuk u shqetësua aspak nga pezmatimi i aleatit të tij. Madje me gojën e bashkëshortes Kryemadhi e ftoi Berishën që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për anullimin e procedurës. Doktori vërtet mund të kapet gafil siç ndodhi me dekretin nga Stambolli,  por nuk është as i marrë, as i paditur.

Ai e ka të qartë se një ankimimin e dekretit Begaj në Kushtetuese, do ta vendoste njëherësh kundër qeverisë, Presidentit dhe ndërkombëtarëve që shpejtuan të përshëndesin zgjedhjen e Begajt. Më tej akoma, duke e hedhur në gjyq Metën (e jo Ramën) për shkak të Bajram Begajt, Sali Berisha mund ta maiste përtej pikës së lejuar raportin me Ilir Metën. Një marrëdhënie esenciale për të tashmen dhe të ardhmen e Berishës dhe partisë së vet të rithemeluar.

Nuk ka qenë e rastit që ish-kryeministri po i kalon orët që pasuan, duke e minizuar sherrin me presidentin dhe duke lëshuar drejt tij mesazhe dashurie në distancë. Paçka se vetë Meta bën indiferentin ndaj kësaj grishjeje të Doktorit, madje gjen kohë të shkojë edhe në ambasadën amerikane për një bisedë miqësore me “guvernatoren” Kim.

Ka pak gjasa që çarja mes Metës dhe Berishës, e krijuar nga votimi i Presidentit të ri, të jetë e paakthyeshme dhe e pariparueshme. Gjithçka flet për një krizë pranverore mes dy të “dashuruarish” të hershëm, që ndajnë interesa të ngjashme prej kohësh që s’mbahen mend. Dyshja Berisha-Meta është aleanca më e fortë, më jetëgjatë dhe më solide që ka prodhuar politika shqiptare pas vitit 1991. Jo rrallë në marrëdhënie të ashpërsuara mes tyre, ata i kanë bashkuar megjithatë fije të dukshme dhe të padukshme interesash të momentit apo edhe afatgjata.

Nuk ishte e rastit që i vetmi lider i majtë në 30 vitet e fundit që arrriti të bëjë pa asnjë mëdyshje një koalicion qeverisës postzgjedhor brenda pak orësh me Sali Berishën, ishte Ilir Meta. Megjithëse ishin sharë e nakatosur ku s’thuhet mes tyre gjatë fushatës (Sali Gërdeci dhe Ilir floriri)!

E tillë parashikohet që të mbetet kjo marrëdhënie edhe deri në vitin 2025, kur të dy, si Meta ashtu dhe Berisha, e dinë se përballë Ramës kanë ndonjë shans për të fituar vetëm nëse nuk ndahen e armiqësohen.  Përndryshe kryeministri i sotëm nuk ka më asnjë pengesë drejt mandatit të katërt.

Episodi i zgjedhjes së Begajt, më shumë sesa një krizë raportesh mes Berishës dhe Metës, është pasoja e një kandidature që e gjeti të papërgatitur Sali Berishën.  Ndërkohë që tjetri, me nuhatjen e tij të njohur politike, nuk ngurroi asnjë çast që të ulë në zyrën e Presidentit shefin e shtabit që e kishte zgjedhur dhe dekoruar me dorën e vet. Të gjithë dolën të fituar nga kjo ngjarje përveç Berishës, por e ardhmja opozitare i takon sërish dyshes më të habitshme, që janë të destinuar të shkarkojnë të gjitha municionet që u kanë mbetur në xhepa kundër kësaj qeverie në tre vitet e ardhshme. Sherri për Begajn ishte një shi vere si ky që ra këto orë. Para na pret një verë e nxehtë dhe e thatë.