Kreu i Dhomës së Avokatisë në Tiranë, Fatmir Braka ka treguar arsyet e vendimit të avokatëve për të bojkotuar seancat gjyqësore në mes të debateve për Hartën e re Gjyqësore.
I ftuar në emisionin “Open”, Braka tregon se në të gjitha takimet që ata kanë zhvilluar me qeverinë dhe grupe të tjera interesi, zëri i avokatëve nuk është dëgjuar dhe nuk janë marrë parasysh asnjë nga shqetësimet që ata kanë ngritur.
Sipas tij, qytetarët do e mirëkuptojnë vendimin e avokatëve për të bojkotuar seancat gjyqësore, me shpresën që qeveria të bëjë ndryshime.
“Ne menduam bojkotin si të vetmen rrugë, në situatën që u ndodhëm, pasi bëmë disa takime, ku nuk u mor parasysh asgjë në 6 takimet në rrethe. Duke qenë se parashtruam shumë probleme, u duk sikur do merrnin parasysh shumë, por e vërteta është që reflektuan vetëm në një që për ne nuk është asgjë, shtuan Gjykatën e Sarandës. Në këtë kontekst, në një mbledhje të hapur me gjithë kryetarët e avokative të rretheve vendosëm bojkotin. Në këto rrethana u bë bojkoti, pasi asnjëherë nuk u dëgjuam.
Ky problem nuk ka lidhje aq shumë me avokatët, se sa me qytetarët, sepse bëhet fjalë me drejtësinë, marrjen e drejtësisë. Qytetarët janë plotësisht dakord me ne, sepse bojkoti do të sjellë të mira, nëse do të ketë ndryshime. Është absolute që Shqipëria do të funksionojë me Gjykatë Apeli. Kemi shembull të pastër Gjykatën e Apelit Administrativ, ku u tha se gjyqet do të zgjidhen në Apel për 30 ditë. Shumë e kënaqshme po të ndodhte kjo, por sot unë them se kanë akoma çështje të 2017 që nuk mendohet të hyjnë për gjykim. Është një katastrofë”, shtoi Braka.