Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Dritan Abazoviç kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Kiev.
Ata do të zhvillojnë takime të nivelit të lartë me Presidentin Volodymyr Zelensky dhe do të vizitojnë disa nga zonat e dëmtuara nga lufta e Ukrainës me Rusinë.
Ka qenë kryeministri i Malit të Zi që ka shpërndarë në rrjetin social Twitter një foto nga rrugët e Kievit.
Ndërkohë në Instagramin e tij është publikuar një video ku shihen dhe shoqëruesit e kryeministrit Rama, dhe ku bie në sy prezenca e ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Veç ministres Spiropali në krah të Ramës shihet edhe Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri dhe Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm.
Ndërkohë për të mbarë vajtur sigurinë e kryeministrit në udhëtimin drejt Ukrainës janë gjendur edhe forcat RENEA.