Nëntë muaj pas fillimit të Lëvizjes së tij të Rithemelimit , Sali Berisha ia ka dalë ta ndajë PD-në në më shumë se dy pjesë, shuma e të cilave është sot me pak se kur ishin bashkë. Ia ka dalë të marrë pjesën e tij më të madhe duke kalëruar turbullirën që krijoi vetë dhe dobësitë e palës tjetër në PD. Ka fituar një vendim jo të formës së prerë të gjykatësit të shkallës së parë, që ia njeh atij logon dhe siglën e PD-së, vendim të cilin e ka ekzekutuar si përmbarues i vetvetes, siç nuk bën vaki në ndonjë shtet ligjor, pa pritur gjykatën e Apelit.
Më tej zoti Berisha ka zhvilluar zgjedhje me mbështetësit e tij nga baza në majë, ka krijuar trupën e tij të të zgjedhurve që u janë mbivendosur në çdo nivel forumeve të ligjshme të PD-së zyrtare të drejtuar sot nga zoti Alibeaj. Së fundi është zgjedhur vetë kryetar i Partisë Demokratike të Rithemeluar dhe po provon të sillet si shef i opozitës. Në përmbledhje, mund të themi se i ka dalë në krye planit të tij për të pasur një subjekt politik mburojë të personalizuar për të sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kompleksuar drejtësinë shqiptare. Po të mbetet PD ky subjekt aq më mirë për të.
Në gjithë këtë udhëtim, plot me fitore nga pikëpamja e planit të tij, nuk ka marrë dot atë që do ta kurorëzonte lider të opozitës në kuptimin institucional të fjalës: grupin e deputetëve, shumica e të cilëve e kanë refuzuar në çdo etapë lëvizjen e tij. Do ta kishte marrë edhe këtë po ta kishte vetë në dorë, po të mos pengohej nga rregullorja e Kuvendit, ligji dhe kushtetuta, po të gjente një shteg nga ku mund të diktonte me arbitraritet. Njëlloj siç ka bërë me Kryesinë e Partisë, me Këshillin Kombëtar, me Kolegjin e kryetarëve.
Shumica antiberishiste në grupin parlamentar të PD-së ka mbetur sot e kësaj dite dëshmia unike se në çdo forum dhe institucion politik të elitës së partisë, ku të zgjedhurit e të emëruarit janë në një numër të tillë sa mund të identifikohen me lehtësi nga çdo vëzhgues , PD e ish kryetarit Basha ka pasur shumicën.
Rithemelimi që pretendon Berisha nuk ka shkrepur e nuk shkrep. As në atë pjesë të PD-së që nuk e kapërcen dot vijën ndarëse që lidhet me marrëdhëniet me SHBA e BE, as në radhët e demokratëve që nuk e shohin atë si të ardhmen e PD-së. Aq më pak mund të shkrepë në bllokun e madh të elektoratit gri, që nuk e ka honepsur ndonjëherë berishizmin si sjellje, si mënyrë të menduari e të vepruari. Në ato pak raste kur pjesë të këtij elektorati janë afruar e kanë votuar PD-në, e kanë bërë për shkak të pranisë së flukseve liberale në këtë parti.
Tani që ka marrë çfarë ka dashur, Berisha po përballet e do të vijojë të përballet me të vërtetën e narratives së tij plot me manipulime e gënjeshtra, me të cilën ka tërhequr pas vetes një numër të madh demokratësh. Nuk mund ta di sa do të jenë dakord këta demokratë me një parti të izoluar nga SHBA, Britania e Madhe dhe me gjasë edhe Partia Popullore Europiane. Mund të këtë firo, mund edhe të mos ketë. Zgjedhja mbetet e lirë. Por që nuk do të shtohen, këtu as rrjedh as pikon, siç thotë fjala.
Ndërsa PD e Berishës duhet të ruhet nga firot, problemi në PD e drejtuar nga zoti Alibeaj është përfaqësimi politik i përditshëm i mbështetësve. Të cilët, edhe po të marrim për bazë kampionin e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, dukshëm të neglizhuar nga PD zyrtare, janë disa qindra mijëra në shkallë vendi. Në një PD të reformuar e moderne, në marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe BE, këtyre qindra mijërave mund t’u bashkohen demokratët e zhgënjyer me të dyja palët aktuale, që janë gjithashtu me mijëra.
Në fakt problemi më i madh politik i kohës sonë në Shqipëri, që lidhet me sfidën e zhbllokimit të rrotacionit të pushtetit, është përfaqësimi politik i mbarë elektoratit opozitar, më i madh se kurrë sipas shumë sondazheve që kryhen në vend, rezerva e artë dhe e vetme për të mundur PS e Edi Ramës në kutitë e votimit.
Shumë prej këtyre opozitarëve, për të mos thënë shumica, janë pa parti për momentin. Merret e mirëqenë se kanë refuzuar e refuzojnë qeverinë që ka bërë e bën çmos me lloj-lloj mjetesh ti ketë me vete. Në anën tjetër, PD nuk i ka bindur. Ca më pak në këtë periudhë kur s’dihet ku ka kokën. Ndaj edhe janë shtuar së fundi. E vërteta është se PD zyrtare, siç e quajmë për efekt të betejës ligjore në proces, nuk e ka konsumuar përpjekjen e saj për tu bërë e pëlqyeshme për ta, shprehëse e interesave, shijeve dhe pritshmërive të tyre. Ka mundësi ta bëjë këtë, veçanërisht tani kur ndarja ka qartësuar e hequr plot pengesa që e kanë mbajtur elektoratin gri larg saj. A ka një plan PD zyrtare për tu bërë tërheqëse, zëri , shpresa dhe besimi i opozitarëve të papërfaqësuar? Plan mund të ketë, por veprim politik jo.Për asgjë pothuajse.
Në të vërtetë, ndërsa Berisha me të tijtë janë në një aktivitet politik intensiv në Tiranë e jashtë Tiranës, PD-në e Alibeajt e shohim të fokusuar në Kuvend ( dhe mirë bën), ndërsa zhvillon shumë pak takime, veprimtari, jetë politike me bazën, me qytetarët. Momenti, pritja e vendimit të gjykatës se Apelit e justifikojnë disi këtë “ frenim”. Por jo plotësisht dhe jo gjatë. Politika zien në media, në rrjete. Jo vetëm ata të zonës gri, por edhe të angazhuarit duken sikur nuk kanë një subjekt që i përfaqëson në këtë periudhë. Janë plot demokrate e demokratë të mirëshkollur, profesionistë të respektuar në profesionet e tyre, me profil intelektual, mendjehapur, të cilët mbajnë gjallë në media e në rrjete një si plebishit të vlerave perëndimore e kombëtare.
Ata kanë mbështetur e promovuar gjithmonë dhe sidomos që nga shtatori i vitit të shkuar një PD euroatlantike që sheh nga e ardhmja. Në këtë moment duket se atyre u mungon partia në kuptimin që kemi për partitë si institucione që mblidhen, komunikojnë, mbajnë qëndrime, përcaktojnë objektiva, nxjerrin botime, udhëzime, e tjerë e tjerë. Aktualisht ngjan të kemi një shumicë deputetësh dhe qindra mijëra demokratë e opozitarë të qeverisë pa parti. Është një ngjarje e rrallë për tu studiuar, që përveç integritetit të tyre, tregon fuqinë e kauzës që i mban bashkë në distancë, edhe si të ndryshëm.
Ka qenë dhe është zakon që partia kërkon njerëz. Për momentin jemi në zakonin e kundërt: njerëzit kërkojnë partinë. Që nuk duhet të vonohet të dalë nga zyrat, të zbresë në fushë, në detyrë.