MENU
klinika

Datat kur do të mbahet

Festivali “Sunny Hill” do të organizohet në Tiranë dhe në Prishtinë

20.06.2022 - 10:19

Festivali Sunny Hill do të organizohet edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë. Lajmi bëhet me dije nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili shkruan se “Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht.

“Sunny Hill Festival – Edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë!

A jeni gati për një super verë elektrizuese në të dyja kryeqytetet shqiptare?

Jam shumë i lumtur që edicioni special i këtij viti i “Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht.
Një super lajm për të gjithë! BASHKË!”, shkruan kryebashkiaku Veliaj.

Kujtojmë që më 14 qershor Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali lajmëroi se ai nuk do organizohej në Prishtinë.

Në faqen zyrtare të festivalit u konfirmua se ky organizim ishte zhvendosur në Tiranë.

Ai tha se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.

Në letrën që ai ua ka dërguar krerëve të shtetit dhe zyrtarëve tjerë institucionalë, të cilën e ka publikuar në “Facebook”, thuhet se edhe pse janë në vitin e tretë të pritjes për përgjigjen përfundimtare për dhënien e një hapësire në shfrytëzim të platformës së festivalit, kjo kohë, sipas tij, ka qenë e pamjaftueshme për institucionet të marrin një vendim përfundimtar, i cili do t’ia lejonte festivalit përgatitjet për mbajtjen e këtij edicioni.

“Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet. Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë, e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij”.

Më poshtë, ai thotë se vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit i festivalit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurosh si dobi direkte për imazhin e shtetit, si dhe ka sjellë deri në 10 milionë euro për ekonominë e Prishtinës. “… mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës”, tha ai.

Mesa duket zgjidhja është gjetur dhe festivali do mbahet në të dyja kryeqytetet.

Kush e organizon dhe çfarë qëllimi ka Festivali

Sunny Hill është festival që organizohet nga Dua Lipa dhe i ati i saj, Dukagjin Lipa. Të ardhurat e fituara nga biletat e shitura shkojnë për “Sunny Hill Foundation”, fondacioni që u themelua rreth 5 vite më parë.

Ceremonia hapëse e tij u organizua përmes koncertit që Dua mbajti në Prishtinë më 9 gusht asokohe, ku premtoi se gjithë të ardhurat do të shkonin për bamirësi. Në gusht të vitit 2018, Sunny Hill Foundation dhuroi 100,000 euro për bamirësi, evente kulturore dhe shkolla të muzikës në Kosovë. Vjet, në konferencën për shtyp para festivalit, Dua Lipa u shpreh se do të dhurohen 150,000 euro për të ndërtuar Sunny Hill Academy – një qendër e re e artit dhe inovacionit.

Edicionet e kaluara kanë qenë të mrekullueshme, duke marrë madje edhe vëmendjen e tabloideve të huaja si: “New York Time”, “The Guardian”, “Vogue”, “MTV”, “BBC”, “Reuters” dhe dhjetëra media tjera.

Kjo pa dyshim ka shërbyer si promovim shumë i mirë që i është bërë Kosovës edhe nga artistët ndërkombëtarë të ftuar. Sipas asaj që deklaroi sot Dukagjin Lipa, vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit ka qenë rreth 23 milionë euro si dobi direkte për imazhin e shtetit, mbi 10 milionë euro për ekonominë e kryeqytetit si dhe promovim i vlerave më të mira të kulturës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Më lehtë e harxhojmë lekun në Shqipëri”

Gazetari: Sunny Hill në Tiranë, se i kanë ofruar më shumë para