Nedim Bajrami mbylli një sezon me ulje ngritje, por në asnjë moment, askush nuk dyshon në aftësitë e tij. Fantazisti kuqezi vërtetoi edhe një herë se ka shumë potencial në këmbët e tij.
Kur është në formë të mirë fizike mund të ndryshojë fatet e një sfidë, këtë e vërtetoi në më shumë se një herë gjatë këtij sezoni. Sky Sport, konfirmon se Nedim Bajrami ka përfunduar në radarët e Fiorentinës, klub që në fakt e ka kërkuar edhe më herët.
Ndryshe nga Empoli ku luan si trekuartist, Fiorentia e sheh te Bajrami një opsion për sulmues krahu. Fiorentina nuk është i vetmi klub që kërkon shërbimet e Bajramit por në radhë të parë duhet kuptuar se çfarë plani ka presidenti Corsi, në një kohë kur këtë verë nga Empoli largohet një titullar si Kristjan Asllani.