MENU
klinika

Romancë

Dashuria pasionante e Maria Kallas

25.11.2018 - 09:18

Një histori dashurie e krahasueshme me tragjeditë greke, ashtu si origjina e tyre greke, dashuria e Maria Kallas dhe Aristotel Onasis…

 

Është një nga historitë e dashurisë më të famshme, por njëherazi edhe më të trazuarat: bëhet fjalë për historinë e dashurisë së sopranos së njohur Maria Kallas dhe miliarderit Aristotel Onasis. Një histori dashurie e krahasueshme me tragjeditë greke, njëlloj si origjina e tyre greke, e cila arriti kulmoi kur Onasis u martua me Zhaklin Kenedi (Jacqueline Kennedy), duke e zhytur kësisoj Divën e muzikës në depresion.

Artistja e jashtëzakonshme

Pajisur me një zë të veçantë, i cili kombinonte një timbër unik me një volum të fortë, një zë i fuqishëm dhe plot elasticitet, Maria Kallas njihet si sopranoja më e famshme në botë.

Pas suksesit të saj si artiste, qëndron një jetë intensive, por e trazuar me pikënisje nga mosha e hershme: ndarja e prindërve dhe largimi i herë pas hershëm nga i ati, me të cilin kishte një marrëdhënie të veçantë, konfliktet me nënën e saj, por mbi të gjitha dashuria e pamundur me Onasis, lanë gjurmët e tyre të përjetshme. Aristoteli ishte një pronar anijesh shumë i pasur dhe financier, i dhënë pas jetës lukzose dhe femrave të bukura.

Në vitin 1945, ai u martua me Athina Mary Livanos, vajza e pasanikut Stavros Livanos, me të cilin pati dy fëmijë. Në vitin 1957, u divorcua nga gruaja, por megjithatë vijoi të frekuentonte ambjentet mondane të asaj kohe.

Takimi i parë

Takimi i parë midis Kallas dhe Onasis u zhvillua në vitin 1957 në një pritje në Venecia, në Hotel Danieli organizuar në nder të saj nga Elsa Maxëell. Të dy u takuan sërish në dhjetor 1958, kur Onasis shkoi ta përgëzonte bashkëatdhetaren në dhomën e saj të zhveshjes pas debutimit triumfues të Kallasit në koncertin “Nata e Madhe e Operës në Paris”.

Vitin pasues, Onasis organizoi një darkë në nder të saj, në Dorchester Hotel në Londër, me rastin e premierës “Medea” me Cossotto në Covent Garden. Madje, Onasis u fotografua ndërsa, në kohën e përshëndetjeve, ai u përpoq ta mbante Kallasin me vete, ndërsa i shoqi mbante gëzofin në duar.

Një muaj më vonë, të dy kaluan së bashku pushimet verore në jahtin “Christina” duke udhëtuar në det së bashku me Uinston Çërçillin dhe gruan e tij, si dhe me personalitetet më në zë ndërkombëtarë.

Pas dy javësh, me t’u rikthyer jahti në Monte Karlo, Maria Kallas ishte e dashuruar marrëzisht me miliardierin dhe kishte vendosur të ndahej përgjithmonë nga i shoqi Battista Meneghini.

Një histori e trazuar

Bashkimi mes Kallas dhe Onasis çoi në polemika të shumta, si për shkak të gjendjes së tyre martesore (të dy të martuar), si për shkak të diferencës së tyre të moshës (ajo ishte 36, ai 53). Historia e tyre, e cila zgjati 10 vjet, ishte një histori intensive, por shumë e trazuar, e mbushur me xhelozi, grindje, tradhëti. Pasaniku i anijeve greke e mbajti atë larg skenave, si dhe martesën që i premtoi nuk ia dha kurrë.

Nga historia e tyre e dashurisë lindi një fëmijë, Homeri, i cili fatkeqësisht vdiq disa orë pas lindjes për shkak të problemeve me aparatin respirator.

Në vitin 1966, Maria Kallas hoqi dorë nga kombësia amerikane dhe kombësia italiane për t’u kthyer në kombësinë greke, me shpresën që ta mbyllte karrierën e saj në bukuri me një martesë të re. Aristotel Onasis jo vetëm refuzoi ta legalizonte bashkimin e tyre, por në vitin 1968, ndoshta

për shkak të mosmarrëveshjeve me partneren e tij, si dhe për t’i dhënë një shtysë gjendjes së tij ekonomike, vendosi të martohej me Zhaklin Kenedi, vejushën e John Fitzgerald Kennedy.

Perëndimi i sopranos

Prej këtu filloi perëndimi gruadual i fatkeqes Maria Kallas: sopranoja u tërhoq në apartamentin e saj parizian, duke shmangur kontaktet me të njohurit dhe miqtë, madje në nëntor 1974 vendosi të tërhiqej nga skena pas turneut në Sapporo me tenorin Giuseppe Di Stefano.

Goditja përfundimtare i erdhi në mars të vitit 1975, kur mësoi vdekjen e Onasis. Dy vjet më vonë, Maria Kallas vdiq: gjendja e saj fizike ishte përkeqësuar prej kohësh.

Raporti mjekësor shënonte arrestin kardiak si shkaktar të vdekjes, duke mohuar thashethemet për vetëvrasje. Mosfunksionimi i rëndë i gjëndrave tek e reja dhe humbja drastike e peshës përfliten shpesh si shkaqet e vdekjes së saj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët