Nga Frrok Çupi
Sa shkon këtu fjala ‘mirë’ për aktin e vetëvrasjes?! Nuk po them se ‘punë e madhe’ pse disa bëjnë vetëvrasje, natyrisht. Por edhe ndonjë gjë ‘tragjike’ në rastin tonë të ‘vetëvrasjes’ nuk është. Sepse nuk po flas për ata që vuajnë nga depresioni, skizofrenia, borxhi, alkoolizmi, varësia nga droga, të pastrehët ose një kombinim i të gjithave. Po flas për vetëvrasjen e njerëzve të famshëm; këta që kanë grumbulluar shumë pasuri, shumë pushtet, shumë mëkate…, prandaj edhe shkojnë deri në vrasjen e vetes.
Këta i kemi rreth nesh, ose çdo natë në ekranet e televizionit, ose në konferenca, ose në karshillëk me njerëzit. Po vrasin veten dy presidentë, disa ministra, duzina me servilë dhe hajdutë, duzina me të pakënaqur me këtë jetë ku ‘të tjerë po vjedhin në vend që të vjedhim ne’. Pasi kryen krimet e korrupsionit, vjedhjes dhe minimit të demokracisë, këta nuk u ndalën dot, por i kanë hyrë luftës ‘deri në fund’. Ndërsa marrin me vete qindra, sa naivë aq edhe ‘braca’ të vegjël që janë mësuar të fusin duart në xhepat e shtetit.
Pse kryen vetëvrasje presidenti sapo del nga zyra?
Sot është data 24 e muajit qershor, fiks për 30 ditë presidenti i Republikës lë zyrën dy katesh në Bulevardin e Madh, ndërtuar si një barakë për ambasadën e BS në vitin 1959, ku as ambasada vetë nuk u vendos kurrë. Atë ditë, dmth., 24 korrik, ka deklaruar ai, ‘do të niset për në flakën e Revolucionit’. Ka lënë edhe një pikë- takimi me presidentin e parë pas vitit 1992, dhe duket fiks si një nga takimet entuziaste të disa nordikëve etj., që kam parë dikur duke iu afruar Kanalit të Korinthit për të vrarë veten.
Vetë dhuna për marrjen e pushtetit, që këta duan ta quajnë ‘revolucion’ është fundi i tyre. Kthehen, nëse do të kthehen, pikërisht aty ku kanë kryer krimet, mbi njeriun e vjedhur, të dhunuar dhe të mashtruar prej tyre. Edhe sikur të mos ishte Shtetet e Bashkuara, që po ruan vendin tonë dhe rajonin prej kërcënimit të Metës e Berishës, vetë populli shqiptar është aq i gërditur prej tyre saqë nuk do të duronte asnjë minutë. Por gjithë bota e di se po pritet momenti kur fajtorët e mëdhenj të tre dekadave në vend, të japin llogari dhe të dorëzojnë mallin e vjedhur.
Këta e mendojnë vetëvrasjen e tyre një akt heroik dhe plot lavdi. Shkuan dhe erdhën disa herë nga Baku me idenë ku ta gjejnë vendin e sulmit apo të vetëvrasjes, por në fund u kthyen në ‘Korinth’, në kanalin e shekullit 19. Pas datës 24, sapo të shfaqen në rrugët e qytetit duke kryer akte dhune dhe terrorizmi, aty do të kenë edhe fundin. Vetëvrasja e tyre vjen natyrshëm, si në një nga novelat e Albert Kamysë:
‘Miku im- thotë Kamy- kishte një karrierë publike shumë të suksesshme; por që kishte hyrë në një errësirë e cila po e pushtonte. Në momentin që mora telefonatën për të më thënë se ‘kishte vdekur’, aty mendova se mund të ishte vetëvrasje’.
Por pse marrin të tjerë me vete?
Momenti kur ‘të lavdishmit’ kthehen në mizorë dhe marrin peng viktimën, këtu e keqja kap kulmin. E njëjta ndodhi në netët e egra të vitit 1991, natën pasi u shemb monumenti i diktatorit. Njëra nga anëtaret e Byrosë Politike, që strehohej në një apartament afër selisë së PD, papritur kreu peng marrjen. Teksa po ndahej nga familjarët diku në korridorin e ngushtë për t’u transferuar në një bazë më të sigurt, byroistja rrëmben një fëmijë të familjes, e fut në gji dhe del në rrugë… Do ta qëllonin demokratët.
Ja kështu po e marrin këta të dy , ‘njeriun e vogël’, popullin e vjedhur dhe të rrahur po prej tyre. Tani i thonë popullit “Do të të vijmë në krye, të të çojmë atje në shpellën ku na dole duarsh”. Ajo shpella është aty prej tre dekada: me zjarrin e luftës civile, me grusht shteti, me dhunë dhe djegie, me vjedhje të pronës publike dhe floririt të Thesarit, me vrasje qytetarësh e dëshmitarësh, me frikë se ‘po na vijnë ata’…
‘Shqipëria në rrezik!’ kanë shpallur moton e fundit politike, me mendjen e tyre do t’i dëgjojnë njerëzit dhe njerëzit do ta ngrenë e ta çojnë Shqipërinë ku e kishin degdisur këta.
Kryetari (gjasme kryetar) i PD po i thotë kryetarit të LSI ‘të jap ca anëtarë të PD’, ‘mos më kallëzo edhe po shkove në burg’. Njeriu qenka veç mall në mendjen e atij që shkon drejt fundit të vet. Vetë PD-në e ka marrë peng ‘në një hapësirë të vogël, dhe po e çon në vetëvrasje.
A ka filozofi ndër këta njerëz? Po, ka, dhe kjo është filozofia e vetëvrasjes. Personazhi i Kamysë kishte bërë një pyetje para se të kryente aktin: “A ia vlen, pse dhe si ia vlen të jetohet jeta pa famën e mëparshme?’.
Këta dy tanët, plus ‘famës së pushtetit’ kanë edhe barrën e krimeve kundër njerëzimit, barrën e korrupsionit e të vjedhjes dhe të shkatërrimit të vendit.
A ka të pafajshëm mes atyre që u shkojnë pas për në ‘atë botë’?
Naivët quhen edhe të pafajshëm, për shembull, edhe budallenjtë; këta veç duartrokasin triumfin e mashtruesit. Të pafajshëm në krim janë edhe njerëzit ‘e fiksuar’. Këta vuajnë nga ‘obsesioni i Paskalit’. Paskali një parisien i lodhur, vetëm një herë e pa veten duke u mbytur në Senë; por gjithë jetën i dukej sikur në anën e majtë të karrocës kishte humnerë. Edhe këta të fiksuarit e Berishë- Metës, një herë e panë veten duke ‘shirë’ mbi pronën e tjetrit, e tani janë fiksuar se mund të vjedhin gjithë jetën.
Njerëzit e pambrojtur këta i tundojnë drejt vetëvrasjes duke iu tundur kartën e ‘dashurisë së pa shpërblyer’. Ishte një herë një djalosh, Verteri i Ri, tregon Gëte, i veshur me xhaketë blu dhe pantallona të verdhë. Ky kreu vetëvrasje, e kreu sepse nuk e duroi dhimbjen e një dashurie të pashpërblyer. Djemtë në të gjithë Europën nisën të vishen me bluza blu dhe pantallona të verdha.
Me këtë sy e shikojnë Saliu dhe Iliri turmën e viktimave të tyre: Të gjithë njësoj, të gjithë besnikë, të gjithë borxhli për dashurinë e ngrirë. Këta të dy po u thërrasin të organizohen kundër Amerikës, kundër paqes në Ballkan, kundër stabilitetit drejt e në ‘lavdinë e parë’.
Në fakt, nuk janë heronj romantikë që e kryejnë vetëvrasjen për shkak të lavdisë, këta e kryejnë vetëvrasjen si aktin e fundit të mëkatit: O fitojnë mbi popullin dhe mbi Amerikën, o shpallen heronj…
Vallë, të tjerët pse i marrin me vete?