MENU
klinika

Ronaldo sërish i pari

10 sportistët më të kërkuar në Google

26.06.2022 - 13:05

Tashmë të gjithë e dinë që mbreti i rrjeteve sociale nga sportistët është Cristiano Ronaldo. Por prestigjiozja britanike “The Mirror” ka publikuar një artikull ku zbulon 10 sportistët më të kërkuar në Google përgjatë një muaji të plotë.

Edhe këtu udhëheq Cristiano Ronaldo i cili gjithnjë tërheq vëmendje maksimale, ndërsa në këtë renditje bëjnë pjesë edhe yje të Formula 1, basketbollit apo futbollit amerikan. Ndërkaq, Lionel Messi përfundon jashtë podiumit duke mbajtur vetëm vendin e pestë.

Sa i takon renditjes së plotë, ajo nis me Connor McGregor, yllin e UFC që mban vendin e dhjetë, teksa emri i tij kërkohet në 3.1 milionë raste përgjatë një muaji. Për të vazhduar në vend të nëntë me Aaron Rodgers, protagonistin e futbollit amerikan, emri i të cilit kërkohet 3.7 milionë raste përgjatë një muaji.

Në vendin e tetë, renditet kampioni aktual i Formula 1, Max Verstappen me emrin e holandezit që kërkohet në 3.8 milionë të rasteve përgjatë një muaji. Pas Verstappen, vjen sërish një personazh i Formula 1. Fjala është për shtatë herë kampionin e Botës, Lewis Hamilton me britanikun që kërkohet në 3.9 milionë të rasteve përgjatë një muaji.

Në vend të gjashtë, renditet sërish një lojtar i futbollit amerikan si Tom Brady, emri i të cilit kërkohet në 4.3 milionë të rasteve. Vetëm vendi i pestë për Lionel Messi, që kërkohet në 4.5 milionë të rasteve përgjatë një muaji, ndërsa në vend të katërt renditet ylli i NBA, Lebron James, që kërkohet në 5.3 milionë të rasteve.

Ndërkohë, në shkallën më të ulët të podiumit gjendet Neymar, me lojtarin e PSG që kërkohet në 5.8 milionë të rasteve përgjatë një muaji, ndërsa pas yllit brazilian vjen një tjetër protagonist i futbollit amerikan. Fjala është për Ryan Ramczyk që kërkohet në 6.1 milionë të rasteve përgjatë një muaji.

Sakaq, i pari dhe me një diferencë të madhe është Cristiano Ronaldo. Emri i sulmuesit të Manchester United kërkohet në 11 milionë raste përgjatë një muaji.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN