MENU
klinika

Analiza e REL

Bashkimi i tregut Shqipëri-Kosovë vetëm në letër

27.06.2022 - 17:18

Xhorxhina Bami, nga Tirana, jeton në Prishtinë qysh në vitin 2015. Fillimisht ka studiuar, ndërsa në dy vjetët e fundit është e angazhuar si gazetare në një rrjet rajonal të lajmeve.

Për të punuar dhe qëndruar në Kosovë, 25-vjeçarja – si çdo qytetar tjetër që nuk është shtetas i Republikës së Kosovës – duhet të pajiset me leje të përkohshme qëndrimi dhe leje të punës, ashtu siç e parasheh Ligji për të huajt në Kosovë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Xhorxhina tregon se procedurat për sigurimin e këtyre lejeve janë më të thjeshta në dy vjetët e fundit, nëse krahasohen me periudhën e mëparshme.

“Unë, para një muaji, e kam bërë aplikimin për të marrë lejen e qëndrimit për pesë vjet dhe ma kanë aprovuar javën e kaluar. Në këtë rast më është dashur kontrata e punës dhe kontrata e banesës, ose një vërtetim që jam duke jetuar ligjërisht në Prishtinë ose në ndonjë qytet tjetër në Kosovë”, tregon Xhorxhina.

Sipas Ligjit në Kosovë, i huaji mund të punojë në bazë të lejes së dhënë për qëndrim, e cila përfshin edhe lejen për punë.

Xhorxhina thotë se, deri këtë vit, ka pasur leje njëvjeçare qëndrimi. Ajo tregon se procedura për sigurimin e saj deri në vitin 2020 ka qenë më e komplikuar, pasi janë kërkuar më shumë dokumente, përfshirë: dëshminë që posedon mjete të mjaftueshme për jetesë, që nuk përbën kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik ose shëndetin publik, sigurimin shëndetësor e të tjera.

Procedura duket se ka nisur të thjeshtëzohet nga koha kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkim të tregut të punës.

E njohur si Marrëveshja për Mobilitet në Punë, ajo parasheh që qytetarët e Shqipërisë që duan të punojnë në Kosovë, nuk kanë nevojë të pajisen me leje qëndrimi, përkatësisht leje të punës dhe anasjelltas.

Marrëveshja, megjithatë, nuk zbatohet në formën siç është, pasi lejet e qëndrimit vazhdojnë të kërkohen në të dyja anët.

Marrëveshja është nënshkruar qysh në mbledhjen e gjashtë të përbashkët ndërmjet dy qeverive, e cila është mbajtur më 2 tetor të vitit 2020, në Tiranë.

Pra, në bazë të saj, punëkërkuesit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë mund të punojnë apo të marrin shërbime në agjencitë përkatëse për punësim në të dyja shtetet, pa pasur nevojë për leje pune apo procedura tjera ligjore.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë vetëm lehtësimin e procedurave për pajisjen e shtetasve të Shqipërisë me leje qëndrimi, por nuk tregojnë se kur mund të nisë zbatimi i Marrëveshjes për Mobilitet në Punë, e cila nuk kërkon fare leje qëndrimi.

“Për t’u pajisur me leje qëndrimi të përkohshme, shtetasit [e Shqipërisë] duhet të kenë vetëm dokumentin e udhëtimit të vlefshëm dhe adresën e saktë të qëndrimit në territorin e palës tjetër, e vërtetuar me dokumentin përkatës [kontratë qiraje, ose certifikatë e pronësisë, ose deklaratë noteriale]”, thuhet në deklaratën e MPB-së.

Shpëtim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për zhvillimin e masave aktive të tregut të punës dhe analiza në Agjencinë e Punësimit të Kosovës, thotë se për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Mobilitet në Punë nevojitet eliminimi edhe i disa procedurave të tjera, por nuk i specifikon ato.

“Ka lehtësim të procedurave, por ende ka punë… Sepse, krejt Marrëveshja e Mobilitetit nënkupton një bashkëpunim shumë të ngushtë në mes të Agjencisë së Punësimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë”, thotë Kalludra.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se, javën e kaluar, Agjencia e Punësimit e Kosovës dhe Agjencia e Punësimit e Shqipërisë kanë mbajtur një takim rreth kësaj marrëveshjeje, nga i cili “nuk ka dalë diçka konkrete”.

Takimi i radhës, thotë Kalludra, do të mbahet në fund të korrikut.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar prononcim edhe nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) në Shqipëri, por nuk ka marrë përgjigje.

Me rregullat aktuale në Shqipëri, të huajt që kërkojnë të pajisjen me leje pune në këtë vend, mund të aplikojnë online në portalin e-Albania.

Aplikuesi, i cili mund të jetë vetë personi i huaj apo edhe punëdhënësi i tij, përveç kërkesës në gjuhën shqipe, duhet të dorëzojë online edhe dokumente, si: kontrata e punës, kualifikimet profesionale e të tjera.

Nëse AKPA-ja vlerëson se dokumentacioni i paraqitur është i plotë, ajo e pajis të huajin me leje pune brenda dhjetë ditësh. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin e shqyrtimit të dokumentacionit për ripërtëritjen e lejes së punës.

Sa shtetas të Shqipërisë janë pajisur me leje qëndrimi në Kosovë?

Në një raport të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës bëhet e ditur se në vitin 2021, leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë kanë marrë 1,203 persona me shtetësi shqiptare. Prej tyre, 638 kanë qenë për bashkim familjar dhe 543 për leje pune.

Në vitin 2020, leje qëndrimi në Kosovë kanë marrë 940 shtetas të Shqipërisë, ndërsa në vitin 2019 ky numër ka qenë 204.

Në raport nuk specifikohet nëse këta persona kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë apo u është vazhduar leja.

Mbi 120 marrëveshje mes Kosovës e Shqipërisë

Marrëveshja për Mobilitet në Punë është në mesin e 127 marrëveshjeve në fusha të ndryshme – duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi – që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar që nga viti 2014, kur edhe kanë filluar të mbajnë mbledhje të përbashkëta.

Nga këto marrëveshje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 75 janë duke u zbatuar dhe se ato kanë lehtësuar jetën e qytetarëve të të dyja anëve, por nuk i ka specifikuar cilat.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur më 20 qershor mbledhjen e fundit, ku kanë nënshkruar 19 marrëveshje të tjera në sektorë të ndryshëm.

Qeveria e Kosovës ka thënë se marrëveshjet e memorandumet ndërqeveritare janë arritur në fushën e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe drejtësisë.

Ndërkohë, Xhorxhina thotë se për lejen 5-vjeçare të qëndrimit, që tashmë i është aprovuar, duhet të caktojë edhe një termin për fotografi dhe shenja të gishtërinjve, por aktualisht, sipas saj, nuk ka terminë të lirë.

“Kjo është shumë problem, sepse ka shumë njerëz [që bëjnë kërkesa] dhe kanë shumë pak kapacitete”, thotë ajo.

Xhorxhina thotë se meqë është në procedurë të marrjes së lejes, qëndrimi i saj në Kosovë është i ligjshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lëvizjet do të kontrollohen vetëm me kamera

‘Shkrihen’ kufinjtë mes Shqipërisë dhe Kosovës