Shkrimtarët e ekzistencializmit, qenë ata që perceptuan realitetin e egër, tjetërsues, të epokës. Vepra e tyre, si bosht i një letërsie përfaqësuese të shekullit të ri (shekulli i njëzetë), erdhi me thirrjet e mëdha, mes rreshtash: për njeriun, për botën e tij të brendshme nën kërcënimin serioz të shoqërive moderne… ose “asgjësuese”./Konica.al
I tillë ishte Kafka.
Si vepra më e njohur e tij, mbetet tregimi i shkurtër me emërtimin “Die Verëandlung” (“Metamorfoza”), romani i pambaruar, “Der Prozess” (“Procesi”) dhe “Das Schloß” (“Kështjella”). Kafka është simboli i rrethanave të rëndomta deri në absurditet dhe sureale, të mbiquajtura “kafkiane”, zakonisht të hasura në veprat e tij.
Franz Kafka (i lindur më 3 korrik, 1883 në Pragë, Austro-Hungari, sot Republika Çeke; vdiq më 3 qershor, 1924 në Vjenë të Austrisë) ishte një nga shkrimtarët e historive të shkurtra, ndër romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX.
Njihet specifikisht për boshtin dhe mënyrën unike të stilit të të shkruarit. Disa prej shkrimeve të tij mbetën të pambaruara dhe u botuan pas vdekjes së shkrimtarit, megjithëse dëshira e vetë autorit ishte që ato të asgjësoheshin – vepra që në fakt, u bënë çelësi dhe simboli i ekzistencializmit.
Njeriu nuk është asgjë në botën moderne. Të paktën si person, ai vlen pak. Në radhë të parë është e rëndësishme që e gjitha, pra shoqëria në përgjithësi të funksionojë. Ky besim gjeti shprehje ekstreme në lëvizjet totalitariste të shekullit të 20-të: nacionalsocializmi dhe komunizmi. Por edhe pse shtetet e organizuara në mënyrë demokratike e kanë zbutur disi këtë program të rreptë p.sh. me programe sociale. apo kanë zbutur mjaft sistemin e tyre juridik, ndjenja e pafuqisë së individit, e përshkruar nga Kafka, vazhdon të ekzistojë ende sot. Në mënyrë paradoksale edhe shoqëritë në të cilat njerëzit gëzojnë liri të mëdha, mbartin një lloj tmerri. Fenomeni me të cilin është marrë vazhdimisht Kafka, i trazon njerëzit ende sot. “Autoritetet pjesërisht shihen si kërcënuese, e pjesërisht vihen në lojë. E gjitha kjo shkakton mungesë orientimi. Këto janë përvoja të modernes, që vazhdojnë deri sot dhe të cilat, një autor si Kafka i ka paraqitur në mënyrë të shkëlqyer dhe ekzemplare.”
Në vitin 1921, Kafka shkruan në ditar se edhe për shkak të metaforave “sillet dëshpërueshëm në letërsi”, ndërsa me absurdin ka luajtur mu si një surrealist. Të rikujtojmë se në “Procesi”, perëndesha e drejtësisë mban në dorë peshore, ndërsa te sytë – shami, e krahët i ka te thembrat. Me fjalë të tjera, drejtësia është e verbët, ndërsa krahët gjithmonë na frikësojnë se do të fluturojnë në drejtim të panjohur. Perëndesha e drejtësi edhe sot nuk na përgjigjet pyetjeve: Nga buron tjetërsimi në botën e urryer? Si është e mundur që në renditjen e lirë të miliarda informatave, të jetojmë me ndjenjën e të qenit të painformuar? Si ndodh që në botën virtuale të kemi ndjenjën e reales? Por, ndër absurdet e qytetërimit të sotëm, bën pjesë mbase pasqyra më absurde, më kafkiane: i ngulim sytë në ekrane, e aktivizojmë “trurin”, plotësisht e lëmë pas dore trupin dhe një ditë, të gjithë shndërrohemi në njerëz statikë me koka të mëdha dhe me gjymtyrë të vogla të atrofizuara. Pothuajse plotësisht shndërrohemi në kandrra kafkiane. A thua atëherë “Metamorfozën” do ta lexojmë si një prozë kryekëput realiste?
Identiteti kompleks i Kafkës, është fenomen i modernes. Kafka ishte hebre, Kafka ishte avokat, Kafka ishte shkrimtar. Kafka vinte nga Praga, ai ishte çek dhe gjerman. Një kompleksitet që gjen e gjen pasqyrimin në letërsinë e tij. Atë të shekullit të 20-të, kur njeriu po përballej me një botë të re antivlerash…/Konica.al