MENU
klinika

Arsyet

Zgjohesh çdo mëngjes me dhimbje koke? Ja pse

05.07.2022 - 16:44

Dr. Kathleen Mullin, një neurologe dhe specialiste e dhimbjes së kokës në Institutin e Kërkimeve Klinike në New England ka treguar për New York Times pse kaq shumë njerëz përjetojnë dhimbje koke kur zgjohen.

Pijnë kafe, ndryshojnë jastëkun, pozicionin e gjumit, por jo. Zgjohen me dhimbje sërish.

Dr. Mullin shkroi se shpesh një nga shkaqet më të zakonshme është kafeina, ose mungesa e saj. “Ndonjëherë arsyeja për dhimbjen e kokës në mëngjes është se keni fjetur vonë dhe keni pirë kafe vonë”, tha ajo.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se kushdo që pi kafe rregullisht vuan nga dhimbjet e kokës në mëngjes. Sekreti është tek sasia. Mjekja sqaron se vetëm njerëzit që pijnë rregullisht më shumë se 200 miligramë kafeinë në ditë, që është e barabartë me rreth dy ose tre filxhanë, mund të vuajnë nga kjo lloj dhimbje koke kronike.

Por çfarë të bëni nëse ky është problemi juaj?

Duhet të reduktoni dalëngadalë marrjen e kafeinës, mundësisht në më pak se 200 miligramë në ditë.

Po kafeina nuk është i vetmi shkak.

Ndër shkaqet e tjera të mundshme të dhimbjeve të kokës në mëngjes është apnea e gjumit, e lidhur me gërhitjen dhe zgjimet e natës. Nëse diagnostikohet apnea e gjumit, ajo trajtohet me një pajisje presioni të vazhdueshëm të rrugëve të frymëmarrjes ose një mbrojtës të veçantë të gojës dhe dhimbja e kokës zakonisht zhduket.

Mbrojtësit e gojës gjithashtu mund të parandalojnë kërcitjen e dhëmbëve, që është një tjetër shkaktar i dhimbjeve të kokës në mëngjes.

Së fundi, Dr. Mullin tregon se marrja e tepërt e barnave mund të jetë gjithashtu një shkak i shpeshtë i dhimbjeve të kokës në mëngjes. Mund të ndodhë kur një pacient merr qetësues dhimbjesh si aspirina, acetaminofeni ose ilaçe anti-inflamatore jo-steroide si ibuprofeni për 15 ose më shumë ditë, ose kur ai merr ilaçe kundër dhimbjeve si opioidet ose triptanet për 10 ose më shumë ditë.

“Pacientët nuk e kuptojnë se barnat e thjeshta si Advil, Tylenol dhe Excedrin janë fajtorët kryesorë”, tha Dr. Mullin për NYT.

Për të parandaluar dhimbjet e kokës në mëngjes, është e dobishme të reduktoni medikamentet, nëse është e mundur, duke i marrë ato më pak se tre herë në javë.