MENU
klinika

Analiza e VOA

A e rrezikon përkrahjen për Ukrainën dorëheqja e Johnson?

08.07.2022 - 18:42

Britania është ndër dhuruesit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Kryeministri Boris Johnson ishte ndër udhëheqësit e parë perëndimorë që vizitoi Kievin pas nisjes së sulmeve të Rusisë. Pas dorëheqjes së djeshme të kryeministrit britanik, një nga pyetjet kryesore që po bëhet është a rrezikohet me këtë ndihma ushtarake për Ukrainën?

Në fillim të muajit prill, kryeministri i Britanisë së Madhe eci nëpër rrugët e kryeqytetit ukrainas, Kiev së bashku me presidentin e vendit, Volodymyr Zelenskyy. Vizita u bë vetëm disa ditë pasi trupat ruse ishin tërhequr nga periferitë e kryeqytetit ukrainas. Të dy udhëheqësit krijuan një lidhje të ngushtë miqësore.

Të entjen, kryeministri Johnson bëri këtë premtim në fjalimin e tij të dorëheqjes.

“Më lejoni t’i them tani popullit të Ukrainës, ne, në Mbretërinë e Bashkuar, do të vazhdojmë të mbështesim luftën tuaj për liri, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha kryeministri i dorëhequr britanik, Boris Johnson.

Presidenti ukrainas, Zelensky ofroi këtë lëvdatë për homologun e tij britanik.

“Edhe pse kjo dorëheqje është pasqyrim i pozicionit të shoqërisë britanike, aftësia dhe karizma e udhëheqësve të shtetit janë gjithmonë të një rëndësie të veçantë. Sidomos në këto kohë, në kohën e luftës së gjerë anti-evropiane të Rusisë, e cila filloi një sulm ndaj gjithë Evropës përmes vendit tonë. Pra, nuk është për t’u habitur që ukrainasit ndjejnë mirënjohje personale ndaj Borisit”, tha presidenti Zelensky.

Shumë ukrainas të tjerë shprehën keqardhje për dorëheqjen e kryeministrit britanik.

“Britania do të ofrojë mbështetje të mëtejshme. Por, nuk do të jetë në të njëjtën mënyrë siç ishte me Boris Johnson-in. Mund të themi se ai është mik i vendit tonë”, thotë banori i Kievit, Dmytro Usikov.

Britania është e dyta në botë, pas Shteteve të Bashkuara, në sasinë e ndihmës ushtarake që i ka dhënë Ukrainës, duke përfshirë raketa antitank, artileri dhe, së fundmi, sisteme të avancuara që lëshojnë shumë raketa përnjëherësh, ose MLRS. Në të njëjtën kohë, qindra trupa ukrainase po trajnohen në Britani.

Në tërësi, zoti Johnson premtoi 2.8 miliardë dollarë mbështetje ushtarake krahas 1.8 miliardë dollarëve ndihmë humanitare dhe ekonomike për Ukrainën.

Por, pyetja kryesore që është nxitur nga dorëheqja e zotit Johnson është nëse largimi i tij nga qeveria, do të sjellë ndryshim në nivelin e mbështetjes së Britanisë për Ukrainën. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë, thotë analisti John Kampfner.

“Nëse marrim parasysh standardet e këtij konflikti, përkrahja ka qenë aq e suksesshme sa ka qenë qasja e çdo vendi, por edhe vet brenda Britanisë, përkrahja për Ukrainën ka mbështetje popullore, gjithashtu,” vlerëson analisti Kampfner.

Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace, theksoi përkrahjen ndërpartiake për mbështetjen ushtarake të dhënë Ukrainës.

“Britania është në tërësi përkrah tyre. Ndihma që ne i japim Ukrainës nuk është vetëm çështje e një personi, nga vetëm unë, apo kryeministri, është qëndrim gjithpërfshirës i Britanisë”, tha zoti Ëallace.

Rusia në anën tjetër e mirëpriti dorëheqjen e zotit Johnson. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se morali i dorëheqjes ishte “mos kërkoni të shkatërroni Rusinë”.

Kryeministri Johnson gjithashtu kërkoi të ripozicionojë Britaninë në çështje të tjera të sigurisë, duke theksuar rëndësinë e të ashtuquajturit pakti AUKUS me Australinë dhe SHBA-në në rajonin e Indo-Paqësorit. Por, roli i Britanisë në këtë nismë është i kufizuar, vlerëson analisti Kampfner.

“Kjo zhvendosje e vëmendjës drejt Azisë dhe veçanërisht fuqisë dhe kërcënimit që paraqet Kina, vlerësim që u parashtrua në ‘Rishikimin e Integruar’ të qeverisë para më shumë se një viti, është një gjë e rëndësishme. Por, në këtë rast, Britania mund të luajë rol vetëm krahas vendeve të tjera të paktit AUKUS, Shtetet e Bashkuara në veçanti, por edhe Australia, Japonia; Bashkimi Evropian është gjithnjë e më shumë një lojtar i rëndësishëm, dhe e njëjta mund të thuhet edhe për vende si Koreja e Jugut”, thotë analisti Kampfner.

Pas dorëheqjes së tij, zoti Johnson bisedoi me një numër udhëheqësish botërorë. Ndër të parët ishte udhëheqësi ukrainas, Zelensky. Pasi ritheksoi mbështetjen e Britanisë për Ukrainën, ai e mbylli bisedën duke i thënë presidentit ukrainas: “Ti je hero, të gjithë të duan”./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“The Times” i jep përgjigje të gjitha dilemave

Çfarë ndodh pas dorëheqjes së Johnson?


Rusia aktivizon “Oreshkin”

Paralajmërimi ogurzi që vjen nga Ukraina!

Shefi i NATO-së takohet me Trump në Florida!

Çfarë diskutuan Mark Rutte dhe presidenti i zgjedhur i Amerikës

Analiza e DW: Si do të veprojë qeveria

A mund të arrestohet Benjamin Netanyahu në Gjermani?

Netanyahu “barazohet” me Putinin

E ardhmja e Izraelit varet “në fije të perit”

Çfarë dimë për raketën ruse ‘Oreshnik’!

Putin: Asnjë komb tjetër nuk ka armë si tonat

Dy sekretarë të tjerë mund të kenë fatin e Gaetz

Bie “ushtari” i parë i Trump, Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen