Prokuroria e Durrësit vijon hetimet për incidentin e ndodhur në sheshin e kontejnerëve, ku rezultoi i hapur një kontejner me banane ardhur nga Ekuadori, brenda të cilit mungonin disa arka me banane.
Për këtë ngjarje janë arrestuar 20 persona, punonjës sigurie dhe përfaqësues të kompanisë “Ziko Sh.p.k”, por grupi i hetimit po punon për të zbuluar rolin. Të arrestuarit kanë mohuar të jenë të përfshirë në këtë incident, që prokuroria dyshon se ka të bëjë më trafikimin e kokainës, ndërsa përgjegjësit mund të zbulohen nëpërmjet kamerave të sigurisë që ndodhen të instaluara në portin e Durrësit.
DËSHMITË
Burime nga Prokuroria thanë për gazetën se vendi ku ndodhej dhe ka qëndruar për tetë ditë kontejneri nuk kapej nga rrezja e kamerave, çka e bën edhe më të vështirë zbulimin e personave që kanë marrë 49 arkat me banane, brenda të cilave dyshohet se kishte kokainë. Agjenti i shitjeve, shtetasi Nazmi Algjata dhe agjenti tjetër i shitjeve të kësaj kompanie, Altin Muhametaj, kanë mohuar të kenë lidhje me hapjen e kontejnerit, duke deklaruar se gjithë porosia është bërë online.
“Gjithçka është bërë online, s’kemi pasur kontakt fizik me kontejnerin. Si mund të kemi hapur kontejnerin ne?! Nëse do ta kishim konstatuar ne kontejnerin të hapur, do ta kishim raportuar ne, sepse ne mbajmë përgjegjësi për ngarkesën. Nëse kemi porositur kaq tonë banane dhe në magazinë mbërrijnë më pak, si e justifikojmë ne?! S’kemi asnjë lidhje me këtë punë”, kanë deklaruar përfaqësues it e kompanisë “Ziko”.
Kontejneri ka mbërritur me datë 8 korrik në portin e Durrësit. Prokuroria ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po i ekzaminojmë ato. Janë shumë orë filmime (të paktën 200 orë), të cilat duan kontrolluar me shumë kujdes.
MBËRRITJA E KONTEJNERIT
Tetë ditë para se të kryheshin arrestimet, kontejneri me banane i ardhur nga Kolumbia për llogari të kompanisë së Trifon Muratajt, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qëndruar në portin e Durrësit pa hyrë në skanerit portual. Shkak për këtë është bërë mosmbërritja e porositësit të frutit tropikal. Pas kësaj, punëtorët kanë shkuar për të kryer zhdoganimin e mallit, por rezultoi se kontejneri ishte hapur tanimë dhe se 49 arka me banane mungonin. Kontejnerët vulosen me plumb me numrin përkatës serial, por në këtë rast, kanë munguar elementet e sigurisë. Gjatë qëndrimit në pritje për të kaluar procedurën e zhdoganimit dhe për pasojë kalimin në skanerin e portit, është ndërhyrë në kontejner, duke tërhequr arkat me banane, të cilat dyshohet të jenë mbushur me kokainë nga Amerika Latine.