Piktor dhe profesor në Akademinë e Arteve të Shqipërisë. Agim Zajmi është skenografi më i vlerësuar në teatrin shqiptar, me më shumë se 300 skenografi. Kreu studimet e larta për pikturë, skenografi-kostumografi në Shën-Petersburg, Rusi, studime që ai i mbaron në Akademinë Imperiale të Arteve të Shën-Petërbourg në vitin 1961. Në të njëjtin vit, fillon punë si skenograf në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe pak më vonë, punon kryesisht në Teatrin e Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë. Të shpeshta janë punët edhe me teatrot kombëtare të Prishtinës në Kosovë, Shkupit në Maqedoni dhe Malit te Zi. Dekan dhe profesor në Akademinë e Arteve të Shqipërisë, në Tiranë.
Pjesa më e madhe e veprave shqiptare dhe të huaja, vënë në skenën e Teatrit Kombëtar, janë krijime të piktorit e skenografit të talentuar Agim Zajmi. Gjithashtu një punë të madhe bëri Agimi edhe në fushën e kostumografisë. Si një njohës i thellë i etnografisë shqiptare ai dha në skenën e Teatrit Kombëtar, jo vetëm mjediset, por veshjet e detaje të ndryshme që mbushnin skenën duke dhënë me sa më shumë realitet jetën shqiptare. Agim Zajmi ka qenë profesor në Akademinë e Arteve në Tiranës. Për dekada me radhë, ai përgatiti piktorët e ardhshëm në Akademinë tonë të Arteve me durimin dhe thjeshtësinë që e karakterizonte. Si piktor, ai ka ekspozuar punimet e tij në Francë, Itali, Angli, Greqi, Turqi, Austri, etj.
Mbi 40 vjet pune të pandërprerë dhe me krijimtari të pasur, ai ka realizuar më shumë se 250 projekte në skenografi, nga dramaturgjia kombëtare dhe ajo botërore, në bashkëpunim me shumë teatro në hapësirën shqiptare, siç u përmendën më lart.
Bashkëpunim më të frytshëm e ka pasur me regjisorin Pirro Mani, me mbi 40 projekte. Agim Zajmi është shquar edhe si një nga kostumografët më në zë të teatrit shqiptar me mbi 300 realizime, ku bie në sy skicimi i kostumit përkitazi karakterit të personazhit, kohës, mjedisit, deri te trajtimet e lira simbolike dhe alegorike. Skenografia e tij shquhet për gjuhën e re që solli në vitet ’60-të e më tej, me fuqinë e ideve, simbolikën e qartë, frymën epike përmes një realizimi të ashpër (“Qielli i kuq’, “Përkolgjinajt”, ‘Besa e madhe”, “Përmbytja e madhe”). Elementet e formave ekspresive përdorur prej tij, alegoritë, të pasura me një semantikë të begatë që ka përfshirë gjetjen skenografike, trajtimin e dekoreve, kostumografinë, konceptin arkitektonik të hapësirës teatrore, dritëhijet dhe ngjyrat në ndriçim (“Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”).
Agim Zajmi e çliroi skenën nga mbingarkesa e objekteve përshkrimore nga shfajet natyraliste, si në dramnat “Këneta”, “Hijet e natës”, “Toka e jonë”, apo “Familja e peshkatarit”, ku artistii dha më shumë dinamikë dekoreve, përmes teknikave bashkohore. Krahas skenografisë dhe kostumografisë, Agim Zajmi shquhet edhe si piktor kavaleti, me shumë peizazhe, tablo kompozicionale, portrete etj. Nga pikturat e tij, mund të përmendim: “Dedë Gjoluli”, “Ganimet Tërbeshi”, “Fushë-Kosovë”, “Vasil Laçi” etj.
Aktualisht, disa prej veprave të piktorit janë të ekspozuara ne sallën e pritjes (për delegacionet e huaja) në Kryeministrinë e Shqipërisć. Ndërsa, rreth 40 piktura dhe skenografi, janë pjesë e fondit kombëtar të Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë.
Çmimet ndërkombëtare dhe kombëtare:
Është fitues i shumë çmimeve kombëtare në pikturë dhe skenografi. Për merita si artist është nderuar:
Fitues i çmimit KULT, 2008, Skenografi më i mirë i vitit.
Çmim i parë në pikturë me pikturen “Fushë Kosova”, 1989
Çmim i parë në skenografi, me shfaqen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Prishtinë, festivali i Kragujevacit, 1976
Çmimi i parë në Bienalen e Rajsburgut, Poloni me shfaqen “Rinoceonti”, Eugjen Jonesko, 1996
Fitues i medaljes “Naim Frashëri”, 1968
Çmim i dytë në pikturë me portretin e “Vasil Laçit”, 1972
Çmim i dytë në pikturë me portretin e “Ganimet Tërbesha”, 1981
Çmim i dytë në pikturë me kompozimin e “Ded Gjo Luli”, 1984
“Artist i Merituar i Republikës së Shqipërise”, më 1975
“Artist i Popullit të Republikës së Shqipërisë”, më 1991
Në vitin 1995 i jepet titulli “Profesor” (për shërbimin ndaj popullit shqiptar, duke përgatitur dhe nxjerrë në jetën shoqërore shqiptare, artistë dhe skenografë të rinj).s
Krijimtaria shkencore-artistike:
Është hartuesi i kapitullit “Problemet e skenografisë dhe komponenteve të saj” e përfshirë në veprën “Baza teorike e arteve figurative” – tekst për studentët e Akademisë së Arteve të Shqipërisë. Mbron tezat shkencore dhe artistike, si: “Zhvillimi i artit shqiptar”, “Universiteti i Algjerit” dhe “Krijimtaria e piktorit Vangjush Mio, në Ankara, Turqi”.
Agim Zajmi u nda nga jeta, më 3 nëntor 2013 në Tiranë.