Federata e Futbollit të Kosovës do të organizojë të shtunën, më 23 korrik, një turne kushtuar legjendës Fadil Vokrri, me rastin e ditëlindjes së tij. Në këtë turne do të marrin pjesë veteranët e Kosovës, veteranët e Shqipërisë, veteranët e Llapit dhe veteranët e Prishtinës.
Në ndeshjen e parë të turneut do të takohen Llapi-Prishtina, në orën 17:30, ndërsa në orën 19:00 do të zhvillohet ndeshja Kosovë-Shqipëri. Ky turne do zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të ftuar do të jenë familjarët e Legjendës dhe ish-bashkëlojtarët, si Ramadan Cimili, Erdogan Celina, Skënder Shëngyli, Esat Mehmeti, Rafet Prekazi dhe shumë të tjerë.
Po ashtu, të ftuar janë edhe drejtues të institucioneve të nivelit lokal të Podujevës (vendlindja e Vokrrit) dhe Prishtinës, si dhe atyre të nivelit qendror. FFK po ashtu u bën ftesë publike të gjithë dashamirëve të futbollit që të jenë të pranishëm në këtë turne, që në mënyrë sa më madhështore të nderohet vepra dhe karriera e legjendës shqiptare.