Këngëtarja Rita Ora do të jetë në Tiranë më 6 shtator.
Ky lajm u bë me dije dje nga drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të qytetit në bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari.
Tashmë, Rita Ora do të mbajë një koncert në Tiranë.
Raportohet se koncerti do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të ‘Tirana European Youth Capital 2022’.
Mirëpo, së fundmi ka reaguar edhe vetë Rita Ora.
“Jam shumë e emocionuar dhe e nderuar të njoftoj se do të kthehem në Tiranën time të dashur. @erionveliaj më ka ftuar të performoj në një koncert falas për të festuar për Tiranën e Shqipërisë si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022! 6 shtator në Sheshin Skënderbej,” -ka shkruar Rita.
Jo vetëm kaq por pak më parë, ajo ka publikuar edhe disa video në Story.
“Kjo është për njerëzit, të gjithë janë të mirëpritur, të sjellim atmosferë të mirë, të kalojmë kohë të mirë. Kam disa surpriza për ju. Ju nuk do të dëshironit t’i humbisnit. Shihemi atje. Ju dua shumë”, tha Rita në videon që publikoi.
Rita gjithnjë ka treguar se është krenare që është shqiptare dhe madje e ka thënë shpesh, ashtu sikurse bëri së fundmi për një revistë australiane.
“E lindur në një familje të shquar kosovaro-shqiptare në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës tashmë të pavarur, në vitin 1990, Rita Sahatçiu ishte ende foshnjë kur familja – nëna e saj, Vera, babai, Besniku dhe motra, Elena – u larguan nga shtëpia e tyre. Luftërat Ballkanike të dekadës po shpërthyen. Ata kërkuan azil politik në Londër, ku Besniku bleu pijetoren ‘The Queens Arms’ në Kilburn, në Londrën Veriore”, tha ajo.