Shkëndija ka marrë një fitore të rëndësishme në Letoni, në aktin e parë të turit të dytë të Conference League. Takimi i luajtur në Daugavas Stadions ndaj Valmieras përfundoi 1-2.
Shkëndija do merrte avantazhin në minutën e nëntë, pas një aksioni interesant. Doriv do tregohej i saktë, duke dërguar topin pas shpinës së portierit.
Një shpërqëndrim i momentit në fundin e pjesës së parë do i kushtonte shumë skuadrës së Shaqirit. Një rrëmujë në zonë shfrytëzohet më së miri nga Gueye, që vendos ekuilibrat.
Shkëndija do insistonte për të gjetur sërish epërsinë dhe do ia dilte. Pas një assisti të Nafiut, Sindrit Guri do koordinohej në mënyrë perfekte dhe do realizonte me kokë.
Ndërsa Drita bën befasinë në Belgjikë. Skuadra nga Gjilani ia doli të marrë një barazim pa gola në transfertën ndaj klubit të mirënjohur, Antëerp, në të cilin militon edhe mesfushori i mirënjohur Radja Nainggolan dhe drejtohet nga Van Bommel.
Skuadra e drejtuar nga Ardijan Nuhiji ishte vendosur mjaft mirë në fushë dhe jo vetëm ia doli të mbrohet mirë, por pa shpesh edhe nga porta kundërshtare, duke ia dalë ta godasë plot 5 herë atë.
Megjithatë, në fund pati vetëm barazim pa gola, duke bërë që çështja e kualifikimit të vendoset një javë më vonë në “Fadil Vokrri”, aty ku gjilanasit do të shpresojnë të ndihmohen edhe nga mbështetja e tifozërisë.