Vanesa Sono ishte vetëm 13 vjeç kur fitoi edicionin e gjashtë të “Gjeniut të vogël”, pas pjesëmarrjes në një aktivitet në qytetin e Sarandës. Tashmë pas disa vitesh ajo është 20 vjeç dhe ka arritur një sukses të vërtetë pasi kënga e saj “Slay me” është trasmetuar në BBC.
Teksa ishte e ftuar në emisionin “ABC e Mëngjesit”, Vanesa foli për rrugëtimin e saj në Britani dhe tregoi se po bën çmos që të ndjekë hapat e Rita Orës dhe Dua Lipës, të cilat e kanë nisur karrierën nga i njëjti vend.
“Jam shumë shumë krenare, nuk e prisja që do të ndodhte kaq shpejt. Kënga ‘Slay me’ e mori vëmendjen që doja nga BBC. Shpresoj që të më presin gjëra të mrekullueshme. Nuk dua të flas para kohe, do ta lë punën të flas vetë. Unë po bëj çmos që të jem në hapat e Rita Orës, Dua Lipës dhe shpresoj që të kem fatin e njëjtë”- u shpreh Vanesa.
Ajo ka folur dhe për mbështetjen e prindërve si dhe për paragjykimet në vendin e huaj.
“Kur u dha për herë të parë në BBC kemi qënë në makinë bashkë me mamin dhe babin. Ishte një moment shumë i rëndësishmë për mua. Herë të tjera e kam dëgjuar nga laptopi. Mami dhe babi sigurisht që janë mbështetësit e mi më të mëdhenj, ata kanë bërë gjithçka për mua që nga ardhja në Angli. Mami dhe babi u ndjen shumë të lumtur, babi u përlot pak se është tip i ndjeshëm si mua. Të them të drejtën ka pasur paragjykimi se është ai steriotipi që ke ardhur nga Shqipëria. Po unë nuk e kam vrarë mendjen se jam krenare që jam shqiptare”- përfundoi Vanesa.