MENU
klinika

Shtypi italian, 1924

Tre fakte… mbi gjendjen e tensionuar në Shqipëri

24.07.2022 - 14:39

         Nga: Aurenc Bebja, Francë – 24 Korrik 2022

“La Nuova Italia” ka botuar, të dielën e 8 qershorit 1924, në ballinë, intervistën e Xhemil Dinos (ambasadorit shqiptar në Paris) në lidhje me gjendjen e tensionuar asokohe në Shqipëri, që, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar:


Zanafilla e mosmarrveshjeve shqiptare

Deklarata të ministrit të Shqipërisë në Paris

Ne e pamë me vend t’i kërkojmë Legatës Shqiptare në Paris një sqarim për situatën shumë të rëndë që është krijuar së fundmi në Shqipëri.

Ne u pritëm nga ministri (ambasadori) Xhemil Dino, i cili me mirësjelljen e zakonshme na dha deklarata të qarta dhe të sakta, të cilat kanë një vlerë të veçantë për Italinë.

“Situata aktuale, – na tha Xhemil Dino, – krijohet nga tre fakte: zgjedhja e regjimit, skicimi i kufijve shqiptarë, lufta për zgjedhjen e kryeqytetit.

Përsa i përket regjimit, më duhet të deklaroj se kjo çështje daton që prej tërheqjes së Princ Vidit. Pas largimit të tij, Shqipërisë iu hoqën befas të gjitha të drejtat e saj, që i ishin dhënë, në koncertin ndërkombëtar, një kombi të formuar. Përballë kësaj, ne e konsideruam të domosdoshme gjetjen e një formule që do të shërbente për të qeverisur. Një formulë që i tregoi Evropës se, pavarësisht largimit të Princit, Kombi dhe Shteti shqiptar vazhdonin të ekzistonin.

Ne zgjodhëm Regjencën e përbërë nga katër personalitete që u përkisnin prirjeve të ndryshme politike ose fetare. Kështu, duke mos na dhënë një formë definitive të qeverisjes, ne po tregonim se një qeveri vazhdonte të ekzistonte.

Por Regjenca, si një formë kalimtare, nuk mund të ekzistojë për një periudhë të gjatë, prandaj Asambleja Kushtetuese vendosi të zgjedhë regjimin që i duhet Shqipërisë.

Pikërisht rreth kësaj zgjedhje filluan mosmarrëveshjet e para midis partive, grupeve dhe fraksioneve.

Disa janë mbështetës të monarkisë e të tjerë, të Republikës. Merrni parasysh, si fillim, monarkinë.

Monarkia, nga pikëpamja etike ideale, do t’i jepte shtetit tonë të vogël një prestigj përfundimtar. Por, në mënyrë të pashmangshme, do të krijonte kontraste që mund të shfrytëzoheshin nga armiqtë tanë të mundshëm.

Shqipëria, siç e dini, është një vend që nuk ka fe shtetërore. Subjektet i përkasin katër feve kryesore: myslimanë; myslimanë protestantë, pra të shkëputur nga Kalifati: ortodoksë dhe katolikë. Një sovran që i përket njërës prej këtyre katër besimeve do të rrezikonte të provokonte – dhe me siguri, do të provokonte – fanatizmin e partizanëve të tre besimeve të tjera. Lufta e prirjeve fetare është shumë e rrezikshme. Pra, nëse, nga pikëpamja e prestigjit jashtë vendit, monarkia është e dëshirueshme, nga pikëpamja e brendshme nuk është e tillë. Dhe pikërisht për të gjitha arsyet që po ju sqaroj, Kuvendi i Tiranës u tregua i gatshëm për shndërrimin e regjencës në Republikë. Në një qeveri republikane, mund të përfshihen lehtësisht anëtarët e të gjitha prirjeve fetare.

Zgjedhja e regjimit dukej se po shkonte drejt zgjidhjes kur rivalitetet partiake u rishfaqën, të cilave iu bashkuan diskutimet mes Shkodrës dhe Tiranës, duke e ndarë Kuvendin Kombëtar, në dy grupe.

Deputetët e Shkodrës, të besimit mysliman, u ngritën kundër deputetëve të qarkut të Tiranës, që në pjesën më të madhe i përkasin fesë katolike (në fakt, këtu është e kundërta). Prej andej, shpërtheu shkëndija që ringjalli gjithë urrejtjen e fraksioneve mbi të cilat dominon hija e Esad Pashës dhe vrasësit të tij, Avni Rustemit.

Të gjithë këtyre elementëve duhet t’u shtojmë edhe pakënaqësinë e krijuar nga vonesa e gjatë, për përcaktimin e kufirit drejt liqenit të Ohrit. Si përfundim populli shqiptar ishte prej kohësh, në një shok emocionial dhe shembulli i Kuvendit Kombëtar, ishte shkëndija që ndezi barutin.”

— Dhe a besoni — e pyetëm — se mund t’i kthehemi shpejt, një gjendje normale?

— Le të shpresojmë! u-  përgjigj ministri (ambasadori), duke na përcjellë.