MENU
klinika

Emrat?!

Autoriteti i Dosjeve: Në listë janë dhe 4 deputetë,ish bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit

26.07.2022 - 21:24

Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, i ka kërkuar Kuvendit edhe përmes një qendrimi publik, që të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend, pasi pretendon se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Bordi Autoritetit të Dosjeve i referohet një rasti konkret, kur një politikan i lartë shqiptar me inicialet I.M., rezulton se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndërkohë që verifikimet për këtë rast thuhet se i janë përcjellë edhe Kuvendit.

Përveç këtij rasti sipas autoritetit të dosjeve, janë edhe 4 deputetë të tjerë të zgjedhur në 2017 dhe 2021, që kanë rezultuar sipas dokumenteve që të jenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

”Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, nga 18 parti politike të regjistruara, vetëm dy të tilla, (përkatësisht PDIU, 144 emra dhe Aleanca Popullore për Drejtësi, 141 emra) paraqitën kërkesë për verifikim të kandidatëve për deputetë.

Për zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, vetëm katër subjekte politike (Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare, Partia Bindja Demokratike, Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane, (ABDE), Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë), gjithsej 61 kandidatë, morën në konsideratë këtë proces të rëndësishëm për integritetin e zgjedhjeve.

Autoriteti i është drejtuar me shkresë të gjitha partive politike të regjistruara në zgjedhje (31 gjithsej) që, në zbatim të nenit 30 të ligjit 45/2015, i ndryshuar, të bashkëpunojnë me institucionin për përmbushjen e detyrave për verifikim të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku.

Për zgjedhjet parlamentare 2017 dhe 2021, nga Autoriteti u verifikuan 446 kandidatë për deputetë, ku 441 rezultuan pa dokumente dhe 5 kandidatë për deputetë figuruan bashkëpunëtorë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e Autoritetit të Dosjeve.