Sporti i skive, edhe pse jo ndër më popullorët në vendin tonë, po rrit ndjeshëm ambiciet dhe rezultatet, falë punës së Federatës Shqiptare, që është përqendruar si në evidentimin dhe ndihmën e talenteve që jetojnë dhe janë stërvitur jashtë Shqipërisë, ashtu dhe në natyralizimin e atleteve të huaj që garojnë tanimë për Shqipërinë.
Nga një prej tyre, nga Kili i largët, vijnë rezultate të jashtëzakonshme për ngjyrat kuqezi. Skiatorja Lara Colturi, vetëm 16 vjeç, arrin të triumfojë në garën e saj të parë për Shqipërinë ne Slallomin Gjigant.
Ajo ka bërë një garë të jashtëzakonshme duke lënë pas çdo kundërshtare me më shumë se 6 sekonda. Lara është natyralizuar si shqiptare vetëm pak muaj më parë dhe është vajza e ish-medalistes olimpike italiane, Daniela Ceccarelli, e cila është edhe drejtoresha teknike e Federatës Shqiptare të Skive.
Për t’u theksuar fakti se ajo ka arritur një rezultatet prej 28.5 pikësh, i cili është edhe rekordi i pikëve të një sportisti shqiptar. Lara bashkë me stafin e saj, do të qëndrojnë në Amerikën Latine deri në fund të shtatorit ku do të zhvillojë më shumë se 10 gara për të vazhduar më pas stërvitjen në Itali.