Solidariteti shpesh konsiderohet në BE-së si një vlerë që mbështet bllokun.
Në preambulën e tij, traktati i BE-së thotë se anëtarët e saj do të përpiqen të thellojnë lidhjen mes tyre.
Por përplasjet se si të organizohen në rast se Rusia ndërpret furnizimin me gaz tregon solidaritet nuk mund të merret i mirëqenë.
Në momentin që Komisioni Evropian propozoi një reduktim prej 15 për qind të përdorimit të gazit në të gjithë bllokun – për të ndihmuar në përballimin e racionimit të dimrit në shtetet vulnerabël si Gjermania, Sllovakia dhe Republika Çeke – vendet më të sigurta kundërshtuan. Fjalët jo dashamirës iu drejtuan Berlinit, vendimi i të cilit për t’u mbështetur shumë tek Moska për karburantin e saj dhe për të mbyllur reaktorët e saj bërthamorë tani duket i gabuar.
Ajo që ka ardhur është një kompromis midis qeverive të BE-së, i cili mban objektivin kryesor të reduktimit të energjisë dhe idenë se gazi rezervë duhet të ndahet me ata që kanë nevojë, por që përfshin gjithashtu kaq shumë përjashtime saqë rezultati në botën reale është i paqartë.
Pesimistët dhe skeptikët kanë arritur në përfundimin se kjo është më shumë dëshmi se solidariteti i BE-së është një koncept bosh dhe se blloku nuk do të jetë kurrë më shumë se një treg për mallra dhe shërbime.
Optimistët tregojnë për angazhimin e shteteve të BE-së për të bërë përpjekjet e tyre më të mira për të ndihmuar anëtarët e vaur nga gazi përmes marrëveshjeve dypalëshe kur shpaloset më e keqja e krizës energjetike.
Realiteti është se me çdo krizë të re, BE-ja po përparon përgjatë rrugës së mundimshme drejt një qasjeje më kohezive dhe kolektive. “BE ka kaluar shumë kriza në një periudhë të shkurtër kohore, ka shumë për të mësuar, shumë për të absorbuar,” thotë Maria Demertzis, drejtoreshë e përkohshme e institutit “Bruegel” me qendër në Bruksel.
Në fakt, solidariteti nuk është zakonisht reagimi i parë nga kryeqytetet e BE-së.
Blloku nuk e shfaqi atë as në muajt e parë të pandemisë Covid-19, kur disa nga anëtarët e tij, përfshirë Gjermaninë, vendosën ndalime të eksportit për furnizimet mjekësore.
Në vitin 2015, një sistem për të siguruar që emigrantët nga Siria e shkatërruar nga lufta të shpërndaheshin në të gjithë bllokun, për të lehtësuar presionin mbi shtetet e vijës së parë të Mesdheut, dështoi. U desh kohë – dhe për Greqinë, Portugalinë, Italinë dhe Spanjën shumë vështirësi ekonomike – për të frenuar krizën e borxhit të eurozonës.
Por është joreale të pritet ndryshe.
Solidariteti i BE-së është dhe do të mbetet “i rendit të dytë”, që do të thotë se vjen pas asaj që lidh një komb, shkroi Sophie Pornschlegel, analiste e lartë e politikave në Qendrën e Politikave Evropiane, në një punim të vitit 2021.
Ai “bazohet në reciprocitetin dhe interesin vetjak”, thotë Anke Hassel, Profesoreshë e Politikës Publike në Shkollën Hertie në Berlin. “Ka gjithmonë një ngurrim, në fillim.”
“Koncepti i solidaritetit evokohet gjithmonë në kriza, zakonisht nga një shtet anëtar që ka nevojë për ndihmë,” thotë Hassel.
“Ata e tërheqin këtë kartë dhe më pas vijnë pyetjet: a është ky një problem që e kanë shkaktuar vetë, a mund ta përballojnë vetë? Solidariteti ndodh vetëm nëse problemi i një shteti anëtar është aq i madh sa do të ndikojë tek të tjerët.”
Gjermania, ekonomia e së cilës mund të tkurret deri në 3 për qind nëse Rusia ndalon eksportet e saj të gazit, tani është në pozitën modeste që duhet të kërkojë solidaritet.
Në mënyrë të parashikueshme, kritika me të cilën është përballur për zgjedhjet e saj energjetike është e shoqëruar me pakënaqësi të rrënjosur në mënyrën se si Berlini trajtoi fatin e Greqisë dhe shteteve të tjera jugore me borxhe gjatë krizës së eurozonës.
Dhe më shumë se një herë BE-ja është befasuar me aftësinë e saj për t’u ngritur në këtë rast.
Blloku ka vendosur sanksione kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Sigurimi i vaksinës Covid-19 dhe fondi prej 800 miliardë eurosh për rimëkëmbjen pas pandemisë janë shembuj të tjerë të fuqishëm. Por ajo gjithashtu tregon për një dobësi thelbësore: shumë varet nga vullneti politik i liderëve të BE-së, dhe si rrjedhim nga kush është në pushtet, thotë Pornschlegel. “Në këtë epokë të permakrizës, ne nuk vendosim domosdoshmërisht mekanizma të përhershëm kohezioni.”
Hassel është më optimist.
“Bota është bërë shumë më e ndërvarur, këto momente solidariteti ndodhin më shpesh dhe siç ndodhin, paketat e solidaritetit në BE do të bëhen më thelbësore,” thotë ajo. “Do të jetë një proces gradual”.
Burimi: Financial Times
Përktheu dhe përshtati: Konica.al