MENU
klinika

Përkon me 100-vjetorin

Amerika Latine kërkon Botërorin 2030, 4 shtete bashkë

03.08.2022 - 14:40

Pas 16 vitesh që zhvillohej për herë të fundit, më saktë, Brazil 2014, Amerika Latine kërkon të rikthejë Botërorin në këtë continent. Argjentina, Kili, Uruguaj dhe Paraguaj kanë zyrtarizuar kandidaturën e përbashkët për organizimin e Kupës së Botës 2030.

Kjo shënon edhe 100-vjetorin e edicionit të parë, që u mbajt në Montevideo (Uruguaj), kompeticion që u fitua nga kombëtarja vendase. “Ky nuk është një projekt qeveritar, por një ëndërr e një kontinenti”, u shpreh Alejandro Dominguez, president i CONMEBOL ((Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut).

Ne jemi në këtë vend historik ku filloi gjithçka”, shtoi ai gjatë konferencës për shtypin të mbajtur në stadiumin “Centenario” në Montevideo, ku Uruguaj mposhti Argjentinën 4-2 në finalen e parë në histori.

Dominguez vijoi edhe më tej: “Do të ketë edicione të tjera të Kupës së Botës, por njëqindvjetori do të festohet vetëm një herë!” Në projektin e katër shteteve janë përcaktuar 14 stadiume që do të presin 48 kombëtaret që do të marrin pjesë.

Nëse projekti realizohet dhe përzgjidhet nga FIFA, do të ishte edicioni i gjashtë i mbajtur në Amerikën e Jugut pas Uruguaj 1930, Brazil 1950, Kili 1962, Argjentinë 1978 dhe Brazil 2014.

Katër shtetet latine do të sfidojnë kandidaturën e përbashkët Spanjë dhe Portugali, teksa Britania dhe Irlanda janë tërhequr nga gara dhe kanë përqendruar forcat e tyre në Euro 2028. Ansa raporton se për organizimin e Botërorin 2030 janë të interesuara edhe Maroku, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.