Gersa Rrudha
Në veprën “Romantizmi në Europë lindore dhe juglindore dhe në literature shqiptare”, shkruar në vitin 1945, Çabej argumenton se Romantizmi, pjellë e thjeshtë e botës së cultures perëndimore, para se të themelohej si shkollë në Gjermani nga fillimi i shek. XIX dhe para se të dilte emri “romantik, që në gjysmën e dytë të shek. XVIII ishte pregatitur si frymë e kohës dhe si atmosferë shpirtërore”. Kjo “frymë dhe atmosferë shpirtërore” që përgatiti terrenin për lindjen e lëvizjeve nacionaliste nëpër Europë, vinte natyrshëm në vazhdën e humanizmit e iluminizmit dhe shprehej në interesin për prejardhjen historike, gjuhën, folklorin, traditat, zakonet dhe tiparet e veçanta që e dallonin një grup etnik nga një tjetër. Falë këtyre lëvizjeve kulturore që u zhvilluan përgjatë gjithë shek. XVIII u bë i mundur krijimi i vetëdijeve “kombëtare”, pra i kombeve, e që pastaj u shndërruan në lëvizje politike të cilat sollën krijimin e shteteve kombëtare.
Shqiptarët nuk bëjnë përjashtim nga kjo skemë. Edhe romantizmi shqiptar si pjellë e thjeshtë e botës së kulturës perëndimore nuk mund ta zinte fillin veçse ndër arbëreshët që për nga pikëpamja kulturore ndodheshin në zemër të Perëndimit. Në veprat e intelektualëve arbëreshë të shek. XVIII i gjejmë të gjitha elementet kulturore që pollën romantizmin. Ishin po arbëreshët që gjatë gjysmës së parë të shek. XIX kaluan nga romantizmi kulturor në një ideologji mirëfilli nacionaliste me kërkesa të qarta politike. Duke filluar nga mesi i shek. XIX kjo lëvizje tashmë ideologjike zuri të përhapej e të hidhte rrënjë dalë nga dalë edhe ndër shqiptarët e Ballkanit. Vetëm fazën e fundit gjysmëshekullore të këtij procesi që në fakt zgjati për më se një shekull e gjysmë ne jemi mësuar ta quajmë Rilindje Kombëtare, e ky është një korrigjim i madh që historiografia jonë duhet ta pranojë sa më parë. Po përse vallë mund të pohojmë një gjë të tillë?
Sistemi kulturor arbëresh mori ato tipare “kombëtare” moderne qysh në shekullin e XVIII, pra një shekull më parë se të niste Rilindja e mirëfilltë kombëtare shqiptare. Pak a shumë ky është thelbi i aksionit kulturor që ndërmerr prof. Matteo Mandalà me librin e tij “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, fryt i shumë zbulimeve të bëra rishtazi. Në raport me gjetjet e reja të materialeve dorëshkrimore (vepra gjuhësore, letrare a historiografike) vihet në diskutim interpretimi tradicional i disa çasteve dhe dukurive kyçe të historisë kulturore shqiptare, duke nisur qysh nga Rilindja, studimi dhe shpjegimi i së cilës na rezulton kështu mjaft i mangët, sidomos për sa i përket fillimeve të saj. Ndërsa Françesko Altimari, i cili konsiderohet si autoriteti më i madh i filologjisë në mesin e arbëreshëve, në veprat e tij arsyeton se duhet të flasim midis të tjerash edhe për “albanizmin”, koncept ky i cili nuk duhet të ngatërrohet me nacionalizmin, sepse koncepti i albanizmit ka të bëjë me njohjen e rrënjëve të popullit dhe historisë tënde. Në këtë kuptim, fjala “rilindje” duhet marrë në numrin shumës, për t’u bërë kështu “rilindjet” arbëreshe, sepse sipas Francesco Altimarit, në histori kemi pasur dy rilindje arbëreshe të cilave u paraprijnë seminaret italo-greke arbëreshe, të cilat u quajtën inkubatorë ideologjik të mendimit albanist.
Nisur nga të gjitha këto informacione dhe dokumente të reja, nuk mund të mos shtrohet pyetja: A është vlerësuar drejt nga studimet e deritashme dhe nga historiografia zyrtare roli dhe kontributi i arbëreshëve në Rilindjen kombëtare shqiptare? Për ta thënë me fjalët e Çabejt, a është vlerësuar drejt ajo “frymë kulturore dhe atmosferë shpirtërore” që vetëm arbëreshët ditën të krijojnë? Procese të tilla epokale si zgjimi i një vetëdije kombëtare dhe krijimi i një kombi kërkojnë kohë që të zhvillohen, kërkojnë truall edhe humus të posaçëm, nuk mbijnë dot si kërpudhat pa shiut. Për më tepër ato duhen krijuar në kohën e përshtatshme, brenda një kuadri historiko-kulturor të caktuar. Po cili vallë ishte ky kuadër?
Njëra nga qëndrat më të hershme ishte kisha e Napolit, e cila nga Altimari cilësohet si pika qendrore kulturore e arbëreshëve dhe vatra e rilindjes arbëreshe. Kjo kishë e ashtuquajtur ‘greke’, e themeluar në vitin 1580, në emër të ortodoksisë, lidhte komunitete etnikisht të ndryshme: p.sh. grekë dhe shqiptarë nën Perandorinë osmanë, grekë dhe shqiptarë nën sundimin venecian, arbëreshë të Italisë, etj. Roli i kësaj kishe u rrit gjatë shekullit XVIII me formimin e Regjimentit Mbretëror Maqedonas (1735), të rekrutuar nga Mbretëria e Napolit kryesisht nga Himara, nga Epiri dhe nga ishujt grekë. Këto dy institucione, njëri fetar dhe tjetri ushtarak, domethënë kisha dhe regjimenti, favorizuan konsolidimin e lidhjeve të brendshme midis arbëreshëve të Mbretërisë së Napolit, sidomos atyre të Siçilisë, të Kalabrisë dhe të Bazilikatës që ruanin ritin fetar grek meqenëse gjendeshin brenda kishës katolike, por edhe midis arbëreshëve dhe shqiptarëve të Himarës dhe të Epirit. Interesi ndaj Lindjes së robëruar nga Perandoria osmane u rrit gjatë shekullit XVIII me lindjen në Evropë, fill pas luftës ruso-turke (1770), të të ashtuquajturit ‘filohelenizëm’, rrymë kulturore që kërkonte mbështetjen e popujve dhe të opinionit publik evropian, sidomos të Rusisë që të bëhej garante e ortodoksisë dhe e lirisë për popullin grek dhe për popujt e tjerë të Lindjes që vuanin nën pushtimin shumëshekullor osman.
Nismëtari i lëvizjes kulturore filoheleniste në Itali dhe në Evropë mund të konsiderohet me të drejtë himarjoti Anton Gjika, i cili më 1771 botoi në një gazetë të Firences një thirrje të zjarrtë për lirinë e Greqisë. Brenda kësaj rryme gjejmë edhe intelektualë arbëreshë, si Josif Buljari, Paskal Baffi, Nikollë Keta. Ky i fundit, që me veprat e tij të shumta letrare, kulturore dhe leksikografike – duhet konsideruar pa hije dyshimi paraardhësi i mirëfilltë i Rilindjes shqiptare, i kushtoi një vëmendje të posaçme politikës së careshës Katerina e dytë në Evropën lindore, duke i çuar asaj përmes një anëtari tjetër të familjes Gjika, Janit, disa vepra të tij letrare. Ishte kjo ndërthurrje e filohelenizmit dhe filoalbanizmit, në ambientin shqiptaro-arbëresh të kishës greke napoletane, ajo që krijoi atë atmosferë të veçantë që përkrahu lindjen e kësaj lëvizjeje intelektuale dhe kulturore që njihet brenda botës sonë si Rilindje. Këtu bëhet fjalë qoftë për rilindjen e parë arbëreshe, të favorizuar nga të dy Kolegjet arbëreshe të Kalabrisë (1732) dhe të Sicilisë (1735) që vënë themelet e ideologjisë albaniste dhe që kanë shtyrë inteklektualët kishtarë arbëreshë të merreshin me thellimin e studimit të identitetit të tyre shqiptar dhe jo grek, qoftë për Rilindjen e mirëfilltë arbëresho-shqiptare. Vetë shfaqja e një fenomeni letrar si De Rada brenda këtij konteksti napolitan duhet parë si shprehje e klimës së veçantë që zotëronte në këtë qytet kosmopolit, i cili ishte jo vetëm ndër qendrat kulturore më të rëndësishme evropiane, por edhe udhëkryq i popujve të Mesdheut.
Jo rastësisht Napoli u bë një pikë takimi mes shqiptarëve, arbëreshëve dhe grekëve që me gjithë dallimet etnike, njiheshin si pjesëtarë të së njëjtës bashkësie fetare, roli kulturor i së cilës deri më sot është nënvlerësuar, por që meriton të çmohet jo vetëm si djep helenizmi, sikurse është mbajtur deri më sot, por edhe si djepi i albanizmit. Pesha që intelektualët arbëreshë arritën të fitonin në Napoli dhe në mjediset intelektuale jugore nga fundi i shekullit XVIII dhe gjatë shekullit XIX lidhet me marrëdhëniet organike që ata vendosën me intelektualët napolitanë më në zë të kohës, disa prej të cilëve kishin vetë prejardhje arbëreshe, si Vincezo Torelli dhe Emanuele Bidera.
Një qendër tjetër e rëndësishme e kulturës shqiptare ishte Seminari Shqiptar i Palermos, i themeluar në 26 nëntor 1734, me nismën e at Xhorxhio Guxetës (1682-1756) nga Piana dei Greçi. Ai themeloi gjithashtu edhe kolegjin e Marias, më 1733 në vendlindje, me qëllim e shenjtë që të përgatiste rininë e ritit greko-katolik për rifillim të misioneve në Shqipëri. “I shtyrë nga zelli i fuqishëm që digjet në shpirtin e njerëzve të mëdhenj kur është fjala për të mirën e përgjithshme të kombit, falë vendosmërisë dhe kujdesit të palodhur, arriti të marrë asokohe nga mbreti i dy Sicilive, Karli i III, lejen për ngritjen e një kolegji ortodoks në Palermo, si dhe një donacion të mjaftueshëm, hequr nga të ardhurat e peshkopëve katolikë që kishin në juridiksion kolonitë arbëreshe.”(218) Nevoja që kishin arbëreshët e ritit bizantin për tu çliruar nga identifikimi me grekët nxiti interes të fortë te intelektualët dhe klerikët arbëreshë, fillimisht të Kalabrisë, më pas të Sicilisë, të vinin në pah veçoritë kulturore dhe gjuhësore të etnisë së tyre duke u quajtur italo-albanesi, ndërsa grekët filluan t`i quanin italo-greci. Domosdoshmëria e kapërcimit të kësaj përzierje të rreme identitare etniko-fetare, si dhe shkëputjen nga ky identifikim i jashtëm që binte ndesh me identitetin e brendshëm, i shtyu qarqet intelektuale arbëreshe të paraprinin që në gjysmën e shekullit të XVIII, disa çështjeve si ajo e rizbulimit te origjinës etnike. Nga ai moment e tutje, falë Guxetës dhe dishepujve e ndjekësve të tij, që drejtuan seminarin arbëresh të Palermos, dallimi etnik por edhe historik brenda së njëjtës kishë katolike të ritit bizantin në Italinë jugore, mes italo-grekëve dhe italo-arbëreshëve u konsolidua dhe u përhap duke u pranuar dhe zyrtarizuar gjithandej, deri dhe në dokumentet papale. Kjo i dha dorë asaj çka mund ta përkufizojmë si “Rilindja e parë” arbëreshe, duke filluar që nga gjysma e shekullit XVIII, veçori e së cilës është tradita e mendimit të transmetuar nga vepra, traktate e dorëshkrime, të cilat qarkulluan mjaftueshëm, së pari mes intelektualëve të shkollës sikulo-arbëreshe, e më pas të asaj kalabro-arbëreshe”. (219) Nis kështu një lëvizje, “që u konceptua si laboratori i parë ideologjik për zbulimin e rrënjëve kombëtare shqiptare në kontekstin arbëresh”. (220)“Këtë fakt e konfirmon edhe A. Lorekio në një shkrim të tij në “La Nazione Albanese”, botim i vitit 1900, kushtuar Seminarit Shqiptar të Palermos. Në këtë shkrim, paraqiten pjesë nga libri i studiuesit Xhuzepe Beniçi nga Piana dei Greçi. Në kapitullin e parë të librit, autori shpreh rëndësinë e krijimit dhe forcimit të një qendre kulturore në Palermo, për ta shndërruar nga një institut i thjeshtë, në një seminar kulturor shqiptar. Beniçi shkruan: “Pa një qendër kulturore kombëtare, asimilimi i këtyre kolonive do të kishte ndodhur me kohë”. (221) Ishte një shqiptar nga Piana dei Greçi, një prift, ai që parashikoi dhe parandaloi shkatërrimin. Për këtë arsye, Gjergj Guxeta dhe vepra e tij përbëjnë nyjën ku lidhet filli i “atmosferës kulturore” që solli Rilindjen. Përveçse themeluesi i Seminarit arbëresh të Palermos (1734), ai përmendet shpesh si prelat me ndikim të madh te bashkëkohësit, madje dhe si njeri i shenjtë, aq sa arbëreshët i kanë kërkuar Vatikanit lumnimin e tij dhe eventualisht shpalljen e tij si shenjt. Por fare pak është folur për veprat që shkroi. Guxeta la disa shkrime dhe vepra me karakter fetar, historik dhe gjuhësor, por vepra më e rëndësishme është padyshim ajo me titullin De Albanensium Italiae rite excolendis ut sibi totique S. Ecclesiae prosint (Ndjekja e ritit nga arbëreshët e Italisë për të ndihmuar veten dhe tërë kishën), shkruar diku nga viti 1735.
“Në këtë vepër autori, pasi përshkruan historinë e ngulimeve arbëreshe, luftërat e Skënderbeut, mërgimin në Itali për të ruajtur besimin e të parëve, ndalet në veçanti në sqarimin e identitetit të arbëreshëve, të cilët asokohe ngatërroheshin me grekët për shkak të ritit bizantin që ndiqnin në kishë. Me një sërë argumentesh historike, etnokulturore, folklorike dhe gjuhësore ai rreket të vërtetojë se arbëreshët janë krejt ndryshe nga grekët, kanë një prejardhje më fisnike, sepse rrjedhin nga maqedonasit dhe epirotët e lashtë, flasin një gjuhë më të fisme se greqishtja etj. Në funksion të kësaj ideje të fundit autori ndërmerr edhe analizën “etimologjike” të rreth 200 fjalëve të shqipes që i nxjerr të prejardhura kryesisht nga maqedonishtja dhe pjesërisht nga latinishtja. Asnjë fjalë nuk i del nga greqishtja, sepse synimi ishte pikërisht ky: të vërtetonte se shqiptarët nuk i lidh asgjë, as për së largu, me grekët.Ishte Guxeta që përdori i pari germën “ë”, e cila duke kaluar nga një autor te tjetri arriti deri në Kongresin e Manastirit”. (222) Guxeta pati marrëdhënie të ngushta e të vazhdueshme me shqiptarët e Ballkanit, gegë dhe toskë. Një pjesë të tyre i kishte pasur nxënës, madje ai zgjodhi si rektor të parë të Seminarit pikërisht një himarjot, Pjetër Andrean. Kishte marrëdhënie edhe me Zmajeviçin, organizuesin dhe drejtuesin e “Kuvendit të Arbënit”. Qysh nga koha e studimeve në Romë kishte lidhur miqësi të ngushtë me ipeshkvin e Shkupit, gjakovarin Gjon Nikollë Kazazi. Ishte pikërisht ky i fundit që në një letër të famshme që i shkruan Guxetës nga Roma në vitin 1743, e njofton me entuziazëm për gjetjen e Mesharit të Buzukut, e i dërgon bashkëngjitur edhe një fragment nga libri. Por sipas B. Demirajt, Guxeta duhej ta njihte veprën e Buzukut, sepse në bibliotekën e seminarit ruhej një kopje me dorë e librit. Megjithatë, merita kryesore e tij, ishte se arriti të formojë rreth vetes një qerthull përkrahësish dhe pasuesish të aftë për të përparuar më tej atë që mund të quhet me plot të drejtë një lëvizje mendore e kurorëzuar në platformën ideologjike të albanizmës.
I pari ishte Paolo Maria Parrino (1711-1765), nxënës i Guxetës dhe pasuesi i Pjetër Andreas në krye të seminarit, i cili e vijoi punën e Guxetës duke shkruar një mori veprash, ku i mëshonte po atyre çështjeve që kishte trajtuar edhe Guxeta. Akoma dhe më i rëndësishëm paraqitet Nikollë Filja (1693-1769), edhe ky nxënës i Guxetës e mbledhësi i parë i folklorit arbëresh. Njihet mbi të gjitha si autor i “Kodikut të Kieutit” (1736-1739), një dorëshkrim që përfshinte vepra të ndryshme në shqip: një katekizëm, një tufë me poezi të Filjes, poezi të Nilo Katalanos dhe Nikollë Brankatit, por mbi të gjitha përmbante një përmbledhje me 18 këngë popullore. Duke filluar me Filjen praktikisht të gjithë autorët arbëreshë të shek. XVIII e XIX deri te Kamarda (1866), do të interesohen për folklorin. Duhet të kalojnë gati 150 vjet nga Kodiku i Kieutit para se edhe shqiptarët në Ballkan më në fund të fillojnë e të mbledhin folklor me Bletën shqiptare të Thimi Mitkos (1878). Dëshmitë më të vjetra e më autentike të folklorit tonë, si baladën e Kostandinit dhe Doruntinës; këngën e Nik Petës, këngën e Pal Golemit, Kostandini i vogëlith etj. i kemi nga arbëreshët. Të mos harrojmë se interesi për folklorin dhe traditat popullore përbënte një nga elementet kryesore të romantizmit dhe të ideologjive nacionaliste. Pa folklor nuk mund të kishte as romantizëm e as rilindje kombëtare. Edhe pse këto fakte njihen nga studiuesit, çuditërisht tekstet tona akademike dhe shkollore e fillojnë historinë e folkloristikës shqiptare me Thimi Mitkon.
Pastaj vjen Nikollë Keta (1741-1803), i njohur si autori më i rëndësishëm dhe më poliedrik arbëresh i shek. XVIII. La disa vepra, por më kryesorja është “Thesar lajmesh mbi Maqedonët” një traktat i vëllimshëm shkruar në italisht ku autori, në vazhdën e pararendësve të tij, rrëfen lashtësinë dhe fisnikërinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Shqiptarët i nxjerr pasardhës të maqedonasve të lavdishëm të cilët nga ana e tyre, së bashku me hebrenjtë, ishin kombi më i lashtë i botës. Sipas tij kishin prejardhje hyjnore sepse lidheshin drejtpërdrejt me gjenezën biblike. Keta shkroi edhe disa vepra të rëndësishme në shqip: vepra teologjike, si Urtësia e kërshte, Ndëlgisa e barisë të gjithë Rruzullimit (Shpjegimi i krijimit të Rruzullimit), Barisia e gjith Rruzullimit (Krijimi i Rruzullimit), dhjetëra poezi lirike me motive laike dhe fetare, si edhe folklor arbëresh. Keta është i pari autor që në mënyrë të vetëdijshme përpiqet të shkruajë një shqipe ndërdialektore. Ai i njihte mirë veprat e autorëve të Veriut, Bardhit, Budit, Bogdanit dhe, sikurse Filja para tij, përdori shumë gegizma, madje edhe paskajoren gege. Është edhe i pari purist që njohim, sepse në gjithë veprën e tij në shqip prej qindra faqesh e mijëra vargjesh nuk gjendet as edhe një italianizëm. Përveç neologjizmave që mori prej Bogdanit, si rruzullim, Hyj etj, iu desh të krijonte vetë dhjetëra të tjerë për të zëvendësuar italianizmat që fshiu dhe për të shprehur konceptet abstrakte teologjike e filozofike të veprave të tij. Pati marrëdhënie të ngushta me shumë shqiptarë nga Shqipëria, sepse shërbeu si kapelan i Regjimentit Maqedonas, një repart ushtarak special i mbretërisë së Napolit që përbëhej vetëm nga ushtarë dhe oficerë të rekrutuar në Shqipëri. Njërit prej tyre, njëfarë Jani Gjika që njohu në Napoli, Keta i dha në vitet 1791-92 dorëshkrimet e tri veprave, tashmë të humbura, që t’ia dorëzonte Careshës së Rusisë, Katerinës II, për t’i botuar atje. Ndërkohë ai kishte pasur letërkëmbim të gjatë me oborrin rus, sepse ushqente shpresa që Rusia, e cila asokohe ishte në luftë me Perandorinë Osmane, mund t’i ndihmonte shqiptarët të çliroheshin nga zgjedha turke.
Kulmi i kësaj veprimtarie ishte ai stad i ri që solli nisja e epokës së pohimeve apo afirmimeve të mëdha shqiptare, që fillon me trajtimin historiko-kulturor të çështjes shqiptare, dhe me kontribuesin më të madh të kësaj rryme Engjëll Mashin (1758-1821), arbëresh nga Kalabria, i cili përveç veprave me karakter juridiko-politik që shkroi në italisht, botoi edhe një vepër me titullin “Sprovë mbi origjinën, zakonet dhe gjendjen aktuale të kombit shqiptar”, e cila u përkthye në frëngjisht e u botua nga Malte-Brun në revistën “Annales des Voyages” në vitin 1809. “Një popull, kaq i famshëm, por kaq pak i njohur, një komb, i cili prej shekujsh nuk i ka ndryshuar aspak doket dhe zakonet e tij, një popull, i cili i gjendur mes popujsh të qytetëruar i ruan ende zakonet barbare, sigurisht që e meriton t`i kushtosh vëmendje. Asgjë e saktë nuk është shkruar deri tani për këtë komb dhe ajo çka është thënë kalimthi ngjan me një mjegullnajë të dendur gabimesh, e cila e fsheh më shumë se kurrë të vërtetën”. (223) Kjo është arsyeja pse Mashi ulet të shkruajë e të shpjegojë, sikurse edhe pararendësit, historinë e lashtë e të lavdishme të shqiptarëve si edhe të vërtetojë përmes analizave gjuhësore se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre në Perëndim të Ballkanit dhe nuk vijnë prej Kaukazit, sikurse thotë ndonjë autor para tij.“Ky popull nuk ka asgjë të përbashkët me Albanais (Shqiptarët) e Azisë”, shpjegon autori, “pasi është një popull vendas në atë pjesë të Europës, e cila sot mban emrin e vet dhe që në kohët e lashta ka qenë pjesë e Ilirisë. Maqedonasit, Epirotët dhe Ilirët ishin të të njëjtit trung. Ata flisnin një gjuhë të ndryshme nga gjuha e grekëve dhe kjo gjuhë, e ruajtur ndër Shqiptarët, tregon zanafillën e tyre të përbashkët”.(224)
Interesante janë edhe elementët e veçantë etnologjikë, që jep Ëngjëll Mashi për karakterin historik të shqiptarëve. “Shqiptari është natyrshëm i hareshëm; ai i pëlqen gostitë e mëdha dhe dëfrimet; mbi të gjitha pëlqen vallen. Ai e ka zakon të rrugëtojë me shpatë në dorë, duke kënduar vargje që i kujtojnë bëmat e guximshme të njerëzve të kombit të tij. Ai i përpunon zërin dhe gjestet e tij sipas temës që këndon. Zemërgjerë për nga karakteri, ai e shpërfill idenë e bërjes së pasurisë: ai ia jep me dëshirë atë çka zotëron cilitdo që ia kërkon; por po aq lehtë ai lëshohet edhe në jetën e lypësit”. (225) Apo, diku gjetkë, kur edhe kritikon doket e këqija, kur thotë: “ Shqiptarët nuk kanë aspak karakter servil; ata ruajnë midis tyre një frymë lirie, pavarësisht shtypjes nën të cilën rënkojnë. Për ata është pothuajse e pamundur që t`i venë në zbatim zotësitë e tyre; ata me zor binden që të punojnë tokën dhe të marrin prej saj frytet, qoftë ky një zanat po aq i nderuar sa edhe zanati i armëve dhe i luftimeve. Për ata bujqësia ngjan me një punë përtaci: ata parapëlqejnë atë që e arrijnë me gjak kundrejt asaj që e arrijnë me djersë”. (226) Të habisin që këto fjalë janë shkruar në fillim të viteve ‘800, por që do të jenë subjekt kryesor jo vetëm për Rilindasit, por edhe për mendimtarët e viteve 30-të. Njëlloj si Çabeji, Pashko Vasa dhe Sami Frashëri shumë vite më vonë ai do të shprehet: “Shqiptarët janë të gjithë ushtarë; nuk ka moshë apo sëmundje që mund t`i përjashtojë nga të qenit ushtar. Pa shpresuar për shpërblim, pa marrë edhe më të voglën pagesë, secili prej tyre kryen një detyrim që të shquhet në luftime për nga guximi i tij, trimëria e tij dhe hareja e tij: dëshira për lavdi dhe frika nga emri i keq e fusin në nisma nga më të rrezikshmet”. (227)
Edhe një tjetër rrymë, ajo e afirmimit gjuhësor, si mjet i afirmimit kulturor dhe kombëtar, do të gjejë në këtë periudhë korifeun e saj më të madh, te Zef Krispi (1781-1859) profesor i greqishtes në Universitetin e Palermos, i cili ka lënë pas disa vepra të rëndësishme. Në “ Kujtesë mbi origjinën dhe themelimin e Pallatit Adriano”, botuar në vitin 1827, Krispi, duke theksuar nevojën e mësimit dhe të lëvrimit të shqipes, thotë hapur se “Gjuha i mban gjallë zakonet dhe traditat e kombit, dhe s’ka dyshim se kombet rrojnë a vdesin në atë masë që rron a vdes gjuha e tyre”.
Gjuhës shqipe ai i kushton veprën e tij më të rëndësishme Memoria sulla lingua albanese, ( “Kujtesë për gjuhën shqipe”) botuar në vitin 1831, ku, duke marrë shkas edhe nga vepra e Mashit, përmes krahasimesh gjuhësore dhe analizash etimologjike përpiqet të vërtetojë lashtësinë e shqipes, të cilën jo vetëm që e nxjerr vijuese të drejtpërdrejtë të pellazgjishtes dhe e sheh të lidhur ngushtë me frigjishten dhe maqedonishten, por e konsideron si mëmën e greqishtes. Qëllimin e vet parësor autori e parashtron që në hyrje: “Do t’ju flas për një gjuhë pak të njohur nga studiuesit, për arsyen se ajo vetë nuk ka pasur shumë studiues, një gjuhë që ka alfabet, por, ashtu si dhe vetë karakteri i saj, ende nuk është përcaktuar dhe vendosur mirë. E megjithatë, kjo gjuhë është jashtëzakonisht e përhapur në rajonet lindore, ku flitet në disa provinca. Kjo gjuhë është shqipja, që e merr emrin nga Shqipëria, ku edhe mbizotëron, por që flitet edhe në Epir (ku quhet edhe epirote), në Maqedoni dhe në disa vende të tjera, si në disa pjesë të Rumelisë, të mbretërisë së Serbisë, në disa pjesë të Bullgarisë e të Dalmacisë dhe, së fundi, haset edhe në shumë fshatra të Napolit dhe të Sicilisë”. (228)Pasi, ka paraqitur këtë panoramë të shtrirjes së të “folmes shqipe”, ai jep edhe një shtjellim interesant të shkrimit të gjuhës shqipe: “shkrimi i saj nuk është astiform, por mbizotëron vija e drejtë, si në dorëshkrimet greke; prandaj besojmë se, siç është në formën e sotme, ky shkrim është vepër e priftërinjve të krishterë, ose të shekullit të dytë, në kohën e përhapjes së krishterimit, ose të shekullit të nëntë, kur kisha e krishterë e shqiptarëve u bashkua përfundimisht me kishën romane”. (229) Pyetja, që parashtron autori në këtë vepër, e që do t’i shërbejë si premisë gjatë gjithë trajtimit të saj, është e mëposhtmja: “ Duke gjurmuar origjinën e gjuhës greke, është një gjë e bukur të shohësh se si ajo të kthen, në pjesën e saj më të madhe, te shqipja. Si nuk u dashka, pra, të ngjallë një interes të madh kjo gjuhë, mbase më e lashtë se greqishtja dhe, në thelb, gjuha me të cilën flitej në shekujt para Homerit , kjo gjuhë që, edhe sikur të ishte një e folur gjysmë-greke, përsëri prej saj, edhe pse jo plotësisht, të paktën në pjesën më të madhe, ka rrjedhur gjuha e helenëve, e cila nuk ndryshon rrënjësisht nga gjuha më e lashtë, më e palatuar dhe me njërrokëshe që flisnin pellazgët”? (230)
Për të vërtetuar tezën e vet, Krispi mendon së së pari është i nevojshëm shqyrtimi i natyrës së gjuhës shqipe të zanafillës dhe, po ashtu, i ndonjë gjuhe tjetër të lindur po aq herët sa ajo, siç është hebraishtja. Së dyti, ai vlerëson se duhet nxjerrë në dritë fakti që dardanët frigj dhe pellazgët, popuj, pa dyshim, më të lashtë se helenët, kishin të njëjtën gjuhë, gjurmët e së cilës vërehen sot te gjuha shqipe dhe se gjurmët e disa zakoneve frigje, bashkë me ato të gjuhës, mund të jenë ruajtur që nga kohët e sovranëve maqedonas, sepse kombi i lashtë i ruan, si gjuhën, ashtu dhe zakonet, ndërsa helenët u ndanë prej të vjetërve duke u qytetëruar dhe duke kultivuar të folurën e quajtur, më pas, greko-helene. Në këtë mënyrë, rezulton se gjuha shqipe ka qenë një nga trungjet e parë, prej nga buroi më pas ajo gjuhë hyjnore e helenëve që mahnit dhe kënaq pa pushim të gjithë njerëzit me shije.
Së fundi, për të pohuar të gjithë këtë teori, ai sjell këtu edhe rrënjët më panjohura të gjuhës greke që gjenden në gjuhën shqipe, duke bërë dallimin e tyre nga fjalët e sotme, të cilat janë ndërfutur më vonë, e ku duket se janë po të njëjtat rrënjë që kanë shërbyer si tema për fjalët e gjuhës heleno-greke. Nga pjesa më e madhe e studiuesve, nuk vihet në dyshim se gjuha hebraishte është gjuha e parë. Edhe historia e shenjtë na tregon se, para rrëmujës babilonase, të gjithë njerëzit flisnin një gjuhë ndërsa, pas ngatërrimit, dolën gjuhë të ndryshme: disa prej tyre i ngjanin hebraishtes, sidomos ato të popujve pranë Babilonisë, prej nga rrodhën të gjitha të folurat. Të tilla ishin gjuhët kaldaike, arabike, siriake dhe etiopiane.
Edhe shqipja për nga pastërtia, konsiderohet e krahasueshme me hebraishten dhe me gjuhën kaldaike. Ky është përfundimi në të cilin arrin Krispi, madje ai jep edhe një analogji biblike, që sot mund të konsiderohet edhe gjeniale. “Por, për ta parë më nga afër gjenialitetin e kësaj gjuhe epirote të shkurtër, njërrokëshe dhe kaq energjike, që më shumë shpreh vetëm tinguj se sa fjalë, do të më pëlqente të shtoja këtu disa rreshta mbi përkthimin e pjesës kryesore të kreut të tretë të Kantikës, aty ku nusja ankohet që ka kaluar natën duke kërkuar të dashurin e saj dhe nuk e ka gjetur dot atë.Pikërisht këtë dua të bëj, sepse, meqë gjuha hebraishte shpreh me pak fjalë shumë mendime, e vendosur përballë saj, do të dukej më mirë dhe më qartë se në ndonjë krahasim tjetër, se si gjuha shqipe hahet me gjuhën hebraishte për sa i përket fjalëve të shkurtra, madje, me më pak fjalë, ajo ngërthen më shumë gjëra dhe, në këtë mënyrë, atë mund ta vendosim në kategorinë e gjuhëve natyrore.”(231) Sikur të merrje në dorë lapsin e të numëroje rrokjet në të dy shkrimet, do të shihje se në gjuhën shqipe janë më pak se në atë hebraishte, duke llogaritur edhe të pazëshmet. Kështu që, mund të arrihet në përfundimin se “tingujt,në gjuhën shqipe, duke qenë të shumtë dhe të papërcaktuar, na qartësojnë natyrën origjinare të saj, siç është, pa dyshim, vetë gjuha që Zoti i dha njeriut të parë”.(232)