Napoli arriti fitoren e dytë në kampionatin italian, duke iu bashkuar Interit në krye të renditjes me 6 pikë të plota, teksa derbi toskan midis Empolit dhe Fiorentinës përfundoi në barazim pa gola. Skuadra e Spallettit mposhti 4-0 Monzën, që duhet të presë akoma për të marrë pikën e parë në histori në Serie A.
Ylli i ndeshjes ishte Khvicha Kvaratskhelia. Talenti gjeorgjian realizoi dy herë, teksa të dy golat ishin fantastikë. 21-vjeçari është përshtatur për mrekulli te Napoli dhe pas golit në takimin e parë kundër Hellas Veronës, debutoi me dygolësh në “Diego Maradona”.
Victor Osimhen realizoi golin e dytë në minutat shtesë të pjesës së parë. Në fund festë edhe për Min-Jae Kim. Qendërmbrojtësi nga Koreja e Jugut, i cili zbarkoi te Napoli për të zëvendësuar Kolulibaly, vulosi suksesin me “poker” në minutën e 94’.
Monza gjeti golin me anë të “ish”-it Petagna në mesin e pjesës së dytë, por VAR-i e anuloi. Amir Rrahmani e nisi sfidën si titullar si zakonisht për ekipin vendas. Fiorentina nuk arriti dot të merrte maksimumin në transfertë ndaj Empolit.
Vendasit luajtën me një lojtar më pak pas daljes me të kuq të Sebastiano Lupertos (68’), por ia doli të sigurojë një pikë, duke i bërë ballë sulmuesve të skuadrës nga Firence. Dy lojtarët e kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami dhe Ardian Ismajli luajtën si titullarë për Empolin në këtë ndeshje.