MENU
klinika

Sulmuesi shqiptar mbetet në merkato

Chelsea ofron edhe Brojën për të marrë Leaon

26.08.2022 - 12:03

Në Londër po planifikojnë ofensivë. 126 milionë euro në një transaksion të vetëm drejt “Casa Milan”. Objektivi që nuk është më mister, është Rafael Leao. Portugezit i skadon kontrata pas dy vjetësh dhe në orvatje e para për rinovim ka pasur vështirësi.

Kuqezinjtë kanë arritur t’i ofrojnë deri në 5 milionë euro, ndërkohë që pretendimi i menaxherit, Jorge Mendes, është për 2 milionë më tepër. Situata është ende pezull dhe etja milionere është e bazuar në faktin se Leao i detyrohet 19.6 milionë euro Sportingut të Lisbonës për prishjen e njëanshme të kontratës në verën e 2018-ës.

Portugezi ndjehet mirë për rolin brenda skuadrës dhe dëshira është që të vijojë karrierën në Milano, por nëse nuk vjen propozimi i duhur, rrugët mund të ndahen.

Nëse nga Chelsea ofrohen 150 milionë euro, që përkojnë me klauzolën e prishjes së kontratës së sulmuesit, Milani edhe mund të dorëzohet. Koha për ta zëvendësuar do të ishte e pakët, por nuk mund të rrezikohet që një tjetër yll të largohet falas si Donnarumma apo Kessie.

Ndërkohë, në Angli janë të bindur se Chelsea mund të ofrojë milionat, por edhe të bëjë një lëvizje “zbutëse” për të mos e paguar të gjithë shumën. Sipas “Daily Express”, klubi londinez mund t’i propozojë Milanit të zgjedhë mes gjashtë futbollistëve dhe pjesën tjetër ta kompensojë me para.

I fundit në këtë listë është edhe Armando Broja. Bomberi shqiptar është gjithashtu një lojtar, i cili është përmendur pranë Milanit në të kaluarën. Mosha e re dhe talenti përbëjnë cilësitë kryesore që Maldini kërkon në çdo goditje merkatoje.

Ai nuk është përdorur në miqësoret e verës nga trajneri Tuchel dhe në këtë sezon nuk ka qëndruar në fushë më shumë se 16 minuta për janë total prej dy prezencash, çka bën që Chelsea të mos hezitojë ta përfshijë në operacionin “Leao”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN