MENU
klinika

“Nga 15 vizita, 5 nxënës kanë nevojë për syze”

Fëmijët e klasave të para vizitë të detyrueshme për sytë

28.08.2022 - 13:19

Kontrolli i detyruar i syve për fëmijët e klasave të para, ka nxjerrë në pah problemet që u janë shkaktuar fëmijëve duke i lënë me kohë të zgjatur para pajisjeve elektronike. Mjekët okulistë thonë se nga rreth 15 vizita, 1 në 3 fëmijë kanë pasur nevojë për syze.

Me regjistrimin për herë të parë në shkollë, prindërve u lind nevoja që përveç raportit të vaksinave, të paraqesin në shkollë edhe rezultatin e vizitës së fëmijës tek okulisti. Një ekzaminim i tillë ka zbuluar shumë raste të fëmijëve që kanë probleme me shikimin. Mjekët okulistë thonë se nga rreth 15 vizita në ditë, 1 në 3 fëmijë kanë nevojë për syze.

“Kemi kohë që po bëjmë depistim të fëmijëve që futen në klasë të parë. Kemi filluar që në maj që mos të bëjmë dyndje në korridore për të mas marrë mikrobe. Konstatojmë që shumë kanë nevojë për syze. Nëse do bëjmë një mesatare, nëse kemi 15 fëmijë që ekzaminojmë, 5-6 kërkojnë syze. Ka ndihmuar shumë që ekzaminimi në klasë të parë sepse ka bërë parandalimin e ambliopisë, korrigjohet me syze dhe ndiqet tek mjeku okulist dhe kemi bërë parandalimin e ambliopisë. Qëllimi jonë është të parandalojmë. Duan më shumë kohë për tu ndjekur nga mjeku. Prandaj insistojmë që vizitat të bëhen parashkollor dhe në kopsht”, tha mjekja okuliste Suzana Zhuka.

“Këshillohet vizitë para shkollës, sepse ka të bëje me performancën në mësime”, tha mjeku okulist, Rubin Topi.

Miopia, apo probleme me të parin nga larg, janë rastet më të shumta të konstatuara, dhe për mjekët shkak është bërë përdorimi në kohë të zgjatur i pajisjeve elektronike.

“Përdorimi i teknologjisë ka ndikuar negativisht. Në anamnezën që merrnim pyesim a ka pasur prindërit syze, por tani konstatojmë që prindërit nuk kanë pasur syze. Për sa i përket teknologjisë, kemi vendosur një limit kohor maksimumi 20 deri në 30 minuta”.

“Fatkeqësisht shumë fëmijë po afrohen me pajisjet digjitale, po r pasojat janë të rënda, pasi fillojnë që te sytë se krijon miopi dhe fëmijë u lind nevoja të mbajnë syze. Pasojat janë edhe tjera. Fillon kërrusje, probleme me qëndrimin por krijon dhe një varësi”, tregoi Topi.

Specialistët kërkojnë nga prindërit që mos të zgjidhin rrugën e shkurtër për të qetësuar fëmijët.

“Në 10 vjeçarin e fundit, fëmijët kërkojnë me insistim të përdorin pajisje elektronike, nga të cilët janë të varur. Teorikisht deri në 10 vjeç nuk duhet të lihen të kalojnë me orë të tëra në telefon. Unë pyes vazhdimisht prindërit sa kohë harxhon fëmija juaj dhe askush nuk të jep informacion. Syri duhet të jetë në gjelbërim, natyrë dhe jo të rrijë gjithë ditën në telefon. Ka ndikuar edhe periudha e pandemisë, Covid sepse edhe mësimet u bënë online. Ndikoi negativisht në pamje. Pas COVID, filluan kontrolle duke konstatuar vështirësi në shikim. Më e përhapur është miopia. 3-5 vjeç kanë më shumë strabizëm, devijim të muskujve”

“Unë e kuptoj që është një rrugë e shkurtër që prindërit të gjeje qetësi, por duhet të kenë parasysh se pasojat janë të mëdha tek shëndeti i fëmijës”, tha mjeku okulist.

Për fëmijët me probleme me syze, vizitat duhet të bëhen çdo 4 muaj, ndërsa për ata që janë të shëndetshëm çdo 6 muaj. Depistimet në kohë të hershme, parandalojnë ambliopinë, që pas moshës 10-vjeçare korrigjohet me vështirësi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Afati dhe procedura që duhet ndjekur

Vit i ri shkollor/ Nis faza e dytë e regjistrimit online