MENU
klinika

Si ndryshoi numri i pasagjerëve gjatë sezonit turistik

Raporti i INSTAT/ Pëson rënie volumi i transportit të mallrave!

30.08.2022 - 13:26

Volumi i transportit të mallrave ka pësuar rënie edhe për muajin korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke konfirmuar dhe një herë tjetër rënie të konsumit si pasojë e krizës.

Sipas INSTAT, volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte është 334,5 mijë tonë, duke u ulur me 28,1 %, krahasuar me Korrik 2021. Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1.615 mijë tonë kilometër, duke u ulur me 4,2 %, ndërsa volumi i mallrave të transportuar me ajër është 152,0 tonë, duke pësuar rënie me 12,2 %, në krahasim me Korrik 2021.

Sa u takon të dhënave për 7 mujorin e parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë sërish vihet re tkurrje. Në këtë pjesë të parë të vitit, referuar INSTAT volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 2.414,1 mijë tonë, duke u ulur me 14,1 %, krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2021. Volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 11.690 mijë tonë-kilometër, duke u ulur me 29,7 %, krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2021. Volumi i mallrave të transportuar me ajër është 1.133,2 tonë, duke u ulur me 0,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

PASAGJERËT

Por ndërsa volumi i transportit të mallrave ka pësuar rënie, numri i pasagjereve është rritur. Në muajin korrik janë regjistruar një numër më I lartë pasagjerësh krahasuar me një vit më parë por kjo lidhet edhe me çlirimin nga kufizimet e pandemisë. Konkretisht, në muajin korrik numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 219.701 pasagjerë. Krahasuar me Korrik 2021, ky tregues është rritur me 71,9 %. Transporti ajror i pasagjerëve zë 73,6 % të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore muajin e kaluar është 614.340 pasagjerë, duke u rritur me 44,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithnjë e më pak i preferuar është transporti hekurudhor që është ulur me rreth 91 për qind krahasuar me një vit më parë. Sa u takon të dhënave për 7 mujorin e parë të vitit, me linjë detare kanë udhëtuar 564.041 pasagjerë, duke u rritur me 74,2 %. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në shtatëmujorin e vitit 2022 është 2.712.918 pasagjerë, duke u rritur me 2,3 herë, krahasuar me vitin e kaluar.

EKSPORTET DHE IMPORTET

Por në çfarë raporti janë eksportet dhe importet? Nga të dhënat e INSTAT, në korrik 2022, volumi i mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 674,4 mijë tonë ku 50,7 % e tyre u transportua me det. Në shtatëmujorin e vitit 2022, volumi i mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 5.171,3 mijë tonë ku 53,8 % e tyre u transportua me det. Për muajin që lamë pas volumi i mallrave të eksportuara me tokë zë 59,0 % dhe me det 41,0 %. Volumi i mallrave të eksportuara me tokë për muajin korrik është ulur me 22,7 %, krahasuar me Korrik 2021.

Në shtatëmujorin e vitit 2022, volumi i mallrave të eksportuara me tokë zë 54,7 % dhe me det 45,2 % dhe 0,1 % me hekurudhë. Volumi i mallrave të eksportuara me tokë është ulur me 12,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Në Korrik 2022, volumi i mallrave të importuara me det zë 58,2 % dhe me tokë 40,8 % dhe të tjera 1,0 %. Volumi i mallrave të importuara me tokë në Korrik 2022 është ulur me 13,6 %, krahasuar me Korrik 2021. Në shtatëmujorin e vitit 2022, volumi i mallrave të importuara me det zë 61,0 %, me tokë 38,2 %, me hekurudhë 0,1 % dhe të tjera 0,7 %. Volumi i mallrave të importuara me tokë është ulur me 8,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Rënia e konsumit në korrik

Të ardhurat në buxhet janë rritur me rreth 45 miliardë lekë ose 400 milionë dollarë në 7 mujorin e parë të vitit. Por efektet e krizës duket se janë ndjerë në muajin korrik, ku nga treguesit e bërë publikë nga Ministria e Financave, vihet re një tkurrje e të ardhurave buxhetore kjo si pasojë direkte e rënies së konsumit.

Rritja e çmimeve veçanërisht për produktet e shportës dhe karburantet u reflektua në periudhën e parë të vitit duke sjellë më shumë para në arkën e shtetit. Por, kjo tendencë rritëse ka ardhur në rënie. Kështu në muajin korrik të ardhurat e arkëtuara kanë pësuar rënie me 0.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Por nga ana tjetër edhe pse të ardhurat në buxhet janë rritur me rreth 400 milionë dollarë në 7 mujorin e parë të vitit, qeveria ka adresuar vetëm 12 miliardë lekë ose rreth 100 milionë dollarë për paketën e dytë antikrizë. Për të përfituar kompensimin pensionistët dhe familjet në nevojë do të duhet që të presin vjeshtën.

Mbështetja financiare me gjasë pritet të jetë sërish në vlerën e 3 mijë lekëve për një periudhë 3 mujore, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe më lartë kjo për shkak të rritjes së inflacionit që për muajt qershor dhe korrik arriti vlerat rekord, përkatësisht 7.4 dhe 7.5 për qind.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rama: Sezoni turistik me mbulimin më të madh në mediat ndërkombëtare

CNN fton turistët që të vizitojnë rivierën shqiptare!

Takimi me kryebashkiakët dhe prefektët

Rama: Turizmi ka rritur punësimin

Çel sezonin e ri turstik

Vlora ‘u hap derën’ vizitorëve