MENU
klinika

Moj e Bukura More!

Shumë shqiptarë e këndojnë… një këngë brenge

31.08.2022 - 17:26

      Për herë të parë, dokumenti i këngës arbëreshe “Moj e bukura more” u gjet në dorëshkrimin e Kieutit, botim i vitit 1708 – më pas, këtë material do ta ribotonte në librin e tij, filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), në vitin 1866. 

Në këtë dokument është publikuar teksti i kësaj kënge shkruar në shqip, por me alfabet grek.

Botim i këtij libri u realizua në Itali në vitin 1866 nga shtëpia botuese “F. ALBERGUETI E.C.”, i cili mban si titull: “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese” (Shtojcë e esesë së gramatikës e blerë në gjuhën shqipe) përgatitur me shumë kujdes nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), duke pasur për bazë dorëshkrimin e Kieutit (1708).

Papa Piu II i shkruante Dukës së Burgonjës, Filipit: “Nuk mund t’i shohë njeriu pa derdhur lot këta refugjatë nëpër limanet e Italisë, të uritur e të zhveshur, të shpërngulur nga vatrat e tyre që rrinë anës detit e ngrenë në qiell duart. Qajnë e vajtojnë në një gjuhë që s’ua marrim dot vesh.”

Sipas G. Schirò di Maggio, “O e Bukura More, përpara se t’i nënshtrohej ripunimit ideologjik të romantizmit të vonë, ishte pjesë e këngëve të festave të lashta të atdheut” dhe u interpretua, veçanërisht nga Arbëreshët e Siçilisë, me rastin e disa festimeve rituale.

Në Palazzo Adriano u këndua në Malin e Trëndafilave në fund të pranverës, çdo vit në qershor, në të njëjtën periudhë në Mezzojuso u këndua në majë të një prej maleve me pamje nga qyteti, në Contessa Entellina u interpretua në majë të malit me pamje nga Santa Maria del Bosco dhe në Horën e Arbëreshëve, më në fund, në ditët e Rrëshajëve, në rrëzë të malit Pizzuta. Për faktin se kënga u interpretua nga maja e një mali përballë Lindjes, në një periudhë e cila nuk shkon para Pashkëve dhe përtej fundit të pranverës, si dhe për faktin se teksti i dedikohet të afërmve më të ngushtë të varrosur në vendlindjen e braktisur.

Sipas filologut arbëresh, Dhimitër Kamarda, kënga e ka origjinën tek arbëreshët e Italisë, të cilët sipas studimit të tij, u detyruan të largohen nga toka greke, duke lënë trojet e tyre në vendin e quajtur More.

More! Është një pasthirrmë?!… Një vajzë e bukur?! Jo! More është Peloponezi i sotëm i Greqisë. Sipas filologut arbëresh Dhimitër Kamarda, Moreja është një trevë e madhe, që grekët i kanë ndryshuar emrin dhe e kanë quajtur Peloponez. Kënga “O e bukura More” i këndon atdheut të humbur dhe Kamarda këtë e cilëson si toponimin e vendit nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.

Teksti burimor popullor me ritëm tresh është i vetmi version dhe tekst original i këngës “O e bukura More”. Kjo këngë këndohet prej 600 vitesh dhe ka marrë më shumë përmasat e një kënge mërgimtarësh, e njohur dhe shumë e dashur jo vetëm për arbëreshët, por edhe për arvanitasit e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave.

Moj e Bukura More! Shumë e këndojnë, por pak e dinë se kujt i kushtohet kjo këngë.

O E BUKURA MORE

Petkat e të mirat tona

Na i lam te Korona

Krishtin na kemi me ne

Oj e bukura More

Thell të plas, me lot ndër si

Na të lipisnjëm, Arbëri!

Petkat e të mirat tona

Na i lam te Korona

Shën Mërin kemi me ne

Oj e bukua More!

Thell të plas, me lot nder si

Na të lipisnjëm, Arbëri!

Petkat e të mirat tona

Na i lam te Korona

Papën na kemi me ne

Oj e bukura More!

Thell të plast, me lot ndër si

Na të lipisnjëm, Arbëri!

Malet tan me lis e driza

Të bukur sheshe me muriza

Të bukur kroje, të bukur gropa

Të bukur gjerdhe me fallopa!

Jemi e vemi ndë Itali

E më s’ju shomi me këta si!

Dherat të huaj hare s’kan

Se s’mbllin printët tan

Prindë, luftuat me thik më dor

Ndërpër shi e ndëpër bor

Ni ju lëm pa një qiri

E pa një vajim. Oj Arbëri!

Luajtim valle nd’atë More

Shtum kangjele ndë ato hje

Klisht e tona të bukuruara

Shpizit tona të nderuara!

Ni vjen Turku, Turku i zi

E tërpron klish e shpi

Qeti: Shihni jet e re,

Na tha Dorja, zoti Ndre,

Lipim qellnjëm ka do vemi

Se buartim mallin e s’e kemi

Me kët zemër, me këta si

Klajëm keq kët Arbëri!

Ndallandishe e ler e ler

Kur të vish ti njatër hjer

Vjen të vish ti te Korona

E s’gjën më shpit e tona!

Më së gjën trima hajdhjar

Po ngë një qen, çë kloft i vrar!

Kur u nistin gjith anit

E dherat tan iktin ka sit

Burrat gjith me një vajtim

Thirrtin grat me një vajtim,

Dil e hana ti, Stihji!

Oj More! Oj Arbëri!

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen