MENU
klinika

Kriza e çmimeve

Qeveria jep 100 € në muaj për qytetarët e saj

06.09.2022 - 11:35

Mbështetja financiare e ofruar në Kosovë si pasojë e rritjes së çmimeve dhe krizës energjetike është së paku dyfish më e lartë nga ajo që pritet të ofrohet në Shqipëri përmes paketës së dytë antikrizë.

Kështu, për kompensimin e familjeve në nevojë qeveria Kurti ka vënë në dispozicion fondin prej 150 milionë euro. Mbështetja financiare direkte do të jetë nga 50 euro për punonjësit buxhetor dhe 100 euro për pensionistët dhe studentët, ndërsa do të dyfishohet asistenca sociale për familjet që janë pjesë e skemës.

Nga ana tjetër, lehtësi do të aplikohen dhe për energjinë, duke stimuluar përmes subvencionit familjet që në kushtet e krizës, të harxhojnë më pak. “Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatorë në shtatorin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 100 kilovatëve, ose 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, tha gjatë një komunizmi me mediat ministri i Financave, Hekuran Murati.

NË SHQIPËRI

Por në Shqipëri, pavarësisht se të ardhurat në buxhet janë rritur me rreth 400 milionë dollarë në 7 mujorin e parë të vitit, qeveria ka adresuar vetëm 12 miliardë lekë ose rreth 100 milionë dollarë për paketën e dytë antikrizë. Për të përfituar kompensimin pensionistët dhe familjet në nevojë do të duhet që të presin vjeshtën.

Mbështetja financiare me gjasë pritet të jetë sërish në vlerën e 3 mijë lekëve për një periudhë 3-mujore, pavarësisht kulmimit të normës së inflacionit që për muajt qershor dhe korrik arriti vlerat rekord, përkatësisht 7.4 dhe 7.5 për qind. Detajet e paketës së dytë antikrizë do të bëhen publike në ditët në vijim, por ajo çka mund të thuhet me siguri deri më tani është se rreth 10 milionë dollarë nga fondi i alokuar do të shkojnë si mbështetje për fermerët dhe peshkatarët si rimbursim për karburantin. Veç kësaj, 1.67 miliardë lekë, apo rreth 14 milionë dollarë do të adresohen si kompensim për kompanitë e angazhuara në punë publike.

PAKETA E PARË

Përmes paketës së parë të rezistencës sociale të prezantuar nga qeveria në muajin mars kishte një efekt financiar rreth 50 miliardë lekë ose rreth gjysmë miliardi dollarë. Por, pjesa dërrmuese e kësaj fature shkoi për sektorin energjetik, për të mos ndryshuar çmimin e energjisë. Ndërsa ndihmë e drejtpërdrejtë për pensionistët dhe kategoritë në nevojë ishte bonusi në vlerën e 3 mijë lekëve ose 9 mijë lekë për 3 muaj që qeveria akordoi si kompensim për rritjen e çmimeve që pësuan produktet e shportës.

Mbështetja që qeveria ofroi është konsideruar më e ulëta në krahasim me vendet e rajonit. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria shpenzoi vetëm 1.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Nga ana tjetër, edhe për ekspertët, paketa e parë në ndihmë të qytetarëve ishte minimaliste, dhe pa efekt neto në xhepat e tyre.

FONDI MONETAR NDËRKOMBËTAR

Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi nga qeveria që të rrisë mbështetjen për familjet në nevojë, të cilat prej fillimit të këtij viti po përballen me valën në rritje të çmimeve. Kjo sipas FMN-së nuk duhet bërë përmes Bordit të Transparencës që është ngritur për fiksimin e çmimeve, duke sugjeruar më tej shkrirjen e kësaj strukture. “Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Financial Times": Sa keq mund të bëhet?

Goditja globale e stagflacionit të vitit 2022