MENU
klinika

Pse i themi bukës, "bukë"?

Gjuha: nga frigasit e faraonit Psamtik, te pellazgët dhe ilirët

06.09.2022 - 11:50

         Fjalën bukë, si dihet, e kanë lidhë së parit me fjalën e ditun të Herodotit bekos, që e paskan pasë përdorë Frigast, nji komb i Azisë së Vogël, fis me ilirët.

Por G. Meyer-i në Fjalorin e tij etimologjik të shqipes e qit prej latinishte bucca ( = goië ), e mendimin e këtij duket se e kanë pranue edhe gjithë albanologët e tjerë. Në këtë kohë i ndjeri linguist italian Ribezzo në të përkohshmen e vlertë «Rivista d’Albania» (V. I. Fasc. II, f. 140) përmend prapë fjalën e Herodotit bekos tue e lidhë me shqipen bukë; por Tagliavini, nji tjetër albanolog e linguist i shquem italjan, e kundërshton këtë mendim të Ribezzo-s po n’atë të përkohshme (V. II. Fasc. II, f. 188), tue pranue atë të Meyer-it.

Nuk dij pse fjala e jonë bukë dalka nga lat. bucca e nuk mund t’u – lidhka me gjermanishten backen, që do të thotë edhe me pjekë ose me shqipen me pjekë, e atëhere bukë do të thotë gja e pjekme.

Si mbas etimologjisë pra të Meyer-it të pranueme prej të gjithëve del se fjalën shqip a ilirisht të bukës e kemi tretë gjatë shekujvet tue marrë latinisaten bucca e tue i dhanë kësaj kuptimin e bukës. Por, deri sot të pakën, nuk mund të dijmë me siguri se ç’fjalë kanë pasë përdorë Ilirët për fjalën bukë që përdorim na sot . Për t’u vrejtë asht se fjala bukë ka hy edhe në greqishten e re tue u-formue emnat femnorë vuka e buja = cop e vogël, kafshore buke dhe folja bukonomal = ha bukë. Porse bashkë me ne edhe Grekët e rij e kanë humbë fjalën bukë, se edhe këta nuk përdorin atë të vjetrën artos, as ndonji formë tjetër të kësaj fjale të ndryshueme fonetikisht, sikurse ka ndodhë me shumë fjalë të tjera që greqishtja e re i ka prapë prej të vjetrës, por të ndryshueme tmershëm prej saj; por përdorin fjalën psomi, që deri sot nuk kanë mundë me e gjetë me siguri se prej kah e ka rranjën.

Mue më thotë mendja se fjala bukë, që, si thamë, asht e huej, mund ta gjêjmë ke fjala shqipe shûjtë, mund të lidhet etimologjikisht me fjalën e greqishtes së vjetër stos, që do të thotë: ushqim, grun, miell, bukë. Për këte fjalë të greqishtes së vjetër dikush ka thanë se nuk asht greqishte, por e huej (krhs. E Boisocq, Dictionnaire etymologique de la langue grecque, f. 267), sikurse edhe fjalë të tjera të greqishtes së vjetër të fillueme me si (sigma iota) qenkan të hueja, si sidheros, sindhon, etj.

Por fjala sitos e greqishtes së vjetër mund të lidhet edhe me foljen shqipe me shi (=trebbiare), sikurse e ka përmendë, më duket, edhe Thomopuli në librin e tij «Pelasgiká». E sikurse sitos-i i greqishtes së vjetër e ka kuptimin e ushqimit, të grunit, të miellit e të bukës, kështu edhe fjala e jonë shujtë mund të ketë pasë veshtrimin e bukës, e mbasandaj e bori ketë domethanë, u-bâ e rrallë e gadi u harrue (edhe sot pakëkush e din) dhe muer kuptimin e përgjithshëm t’ushqimit.

 

Aleksandër Xhuvani

“Studime gjuhësore”,  1956

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale