Me firmën e tij u ndërtua Tirana me sheshet, bulevardet, ministritë, universitetin etj. Në vitin 1945 në moshën 60-vjeçare u dënua me 20 vjet burg në Spaç dhe 10 vite internim në fshatrat e Myzeqesë. Abedin Nepravishta, ishte diplomuar më 1912, në universitetin elitar të Stambollit. Nga viti 1927 deri në 1933, ka qënë prefekt i Durrësit, Korçës e Vlorës. Në vitin 1933 deri në pushtimin fashist, ishte kryebashkiaku i Tiranës.
Abedin Nepravishta lindi në vitin 1889 në Kuç të Vlorës, në një familje me origjinë nga fshati Nepravishtë i Libohovës. Familja e tij ishte zhvendosur në Kuç, pasi i ati punonte në cilësinë e nënprefektit në Nënprefekturën e Kurveleshit. Kreu studimet në Shkollën e Lartë të Administratës në Stamboll në vitet 1908–1912, në universitetin më elitar në Turqi.
Nepravishta është drejtori i parë i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, në vitin 1925 e si i tillë është ndër themeluesit kryesorë të sistemit financiar të Shqipërisë. Ka mbajtur disa pozicione të larta në administratën shtetërore. Në vitet 1927–1929, ai do të emërohej Prefekt i Durrësit. Më pas, në vitet 1929–1931 do të emërohej po njëlloj, në Korçë.
Në vitet 1931–1933 ka kryer funksionin e prefektit të Vlorës. Gjatë kësaj kohe, kreu edhe funksionet e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, në vitet 1932–1933. Ishte pikërisht kjo periudha e 20-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kur Abedin Nepravishta ndërtoi “Sheshin e Flamurit” dhe lulishten, duke u njohur si autori i këtyre dy simboleve të rëndësishme të qytetit të Vlorës.
Përveç tyre ai ndërtoi edhe nulevardin Vlorë–Skelë: një monument urbanistik i Vlorës. Abedin Nepravishta zhvendosi, nga Kanina në qytetin e Vlorës, eshtrat e Ismail Qemalit, për t’i dhënë një vendprehje dinjitoze themeluesit të shtetit shqiptar, vendi ku ai prehet edhe sot.
Në vitet 1933–1939, Abedin Nepravishta do të kryente funksionin e kryetarit në Bashkinë e Tiranës. Ishte pikërisht kjo periudhë, kur Nepravishta jep kontributin e tij më të madh për vendin e tij. Rrjeti kryesor urbanistik i Tiranës, ai kompleks rrugësh dhe godinash që u ngritën në gjysmën e dytë të viteve ‘30, fytyra e përjetshme e zemrës së Shqipërisë, me objektet e saj kryesore, si sheshi “Skënderbej”, Banka e Shqipërisë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Rruga e Dibrës, Rruga e Elbasanit, vilat monumentale që gjenden buzë tyre, janë skalitur të gjitha, në kohën që Abedin Nepravishta drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, në prill të vitit 1939, Abedin Nepravishta u burgos dhe u internua në Itali, duke u kthyer kështu në antifashistin e parë shqiptar të dënuar penalisht. Por, si për ironi të fatit, ky intelektual i madh shqiptar, që ka lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë, u bë edhe një ndër të burgosurit dhe të dënuarit e parë të diktaturës komuniste.
Në prill të vitit 1945, Nepravishta u dënua me 20 vite burg, në burgun e Burrelit dhe me 10 vite internim në fshatrat e Myzeqesë, dënime këto që i vuajti në moshë të thyer (60–90 vjeç). Me gjithë kërkesat e të afërmve, vendimi për burgosjen dhe dënimin e tij, nuk u bë publik kurrë. Ky vendim ka mbetur një mister. Ende edhe sot, nuk është gjetur në arkiva asnjë vendim penal për Abedin Nepravishtën.