MENU
klinika

Champions League

Bayern nuk fal Inter, Lewa e nis me tripletë

07.09.2022 - 23:00

Edhe nata e dytë e Champions League ka dhuruar emocione dhe spektakël. Vëmendje ishte tek Inter-Bayern, me bavarezët që nuk falën, duke fituar 0-2, fitorja e katërt në Milano në historikun e përballjeve mes tyre nga katër të zhvilluara në “San Siro”.

Kampionët e Gjermanisë shënuan nga një gol për secilën pjesë. Në të parën ishte Sane që veproi mirë dhe nuk fali në minutën e 25-të pas pasimit të Kimmich, kur Muller pati humbur 3 raste të mira shënimi.

Pjesa e dytë nisi shumë mirë për Inter, që pati disa raste të mira për barazim, por nuk ia doli dot. Dhe në 66’ vjen një superaksion me 6 pasime teke dhe Sane që konkludon, por që goli konsiderohet autogol, teksa ishte D’Ambrosio ai që shtyu topin në rrjetë. Në fund Inter u përpoq shumë, por nuk ia doli të shënonte të paktën golin e nderit.

Ndërsa Napoli bëri surprizën e madhe të mbrëmjes, duke mposhtur 4-1 Liverpool, finalistin e sezonit të kaluar. Tri herë në pjesën e parë dhe një herë në të dytën, krijuan një festë në stadiumin “Maradona”. Goli i Diaz pas katër golave të pësuar, ishte thjesht statistikë për miqtë.

Barcelona e nis direkt me “marshin” e pestë, duke fituar 5-1 me modestët e Viktoria Plzen të Cekisë. Lewandowski shënoi 3 gola në këtë sfidë, duke konfirmuar vazhdimësinë e tij të mirë edhe në Champions League.

Në ndeshjet e tjera, Tottenham fitoi 2-0 në shtëpi ndaj Marseille, që në pjesën e dytë mbeti me 10 lojtarë. Atletico Madrid vuajti shumë më Porton dhe kur mendoi se e fitoi 1-0 në 92’, portugezët barazuan në 96’ me penallti 1-1. Megjithatë, ndeshja mbaroi këtu, në minutën e 11 shtesë, Atletico shënon golin e fitore me Griezmann. Ndërsa Club Brugge fitoi 1-0 ndaj Leverkusen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN