Duke dashur të çlirohemi nga sëmundja e komunizmit, në Shqipëri pretendohet të fshihet nga kujtesa, sikur të mos qe, ajo periudhë kohore. Artit, nuk i duhet të zhduket e historia, nuk mund të fshihet nga dokumentet… Po as të zhbëhet, nuk është e mundur. Në mesin e zërave kundër krijimtarisë artistike gjatë socializmit, ku shumica e “argumentuesve” nuk kanë lidhje me artin, ata të mëdhenjtë e skenës dhe ekranit, sigurisht që kanë se ç’thonë. Në fakt, kanë shumë për të thënë…
Me një përvojë skenike të gjatë dhe role që janë rrënjosur thellë në kujtesën e çdo shqiptari, aktori mjeshtër i karakterit dhe një loje krejt origjinale, Luftar Paja, “Artisti i popullit”, në 45 vjet jetë artistike, ka interpretuar në shumë gjini, si: monolog, dialog, pantomimë, parodi, mikrokomedi, komedi, role në dramë dhe kinematografi etj. Gjithmonë vlerësuar shumë pozitivisht, por dalluar në interpretimin e mjaft roleve të karaktereve: 700 role mbi supe dhe 130 premiera estrade, janë vite pune dhe pasioni.
Aktori i mirënjohur, nuk ka qëndruar indiferent ndaj debatit që zgjohet shpesh,.. mbi ndalimin e filmave të kohës së komunizmit, pa hezituar që të jetë i vërtetë, i sinqertë dhe objekiv.
Ai vëren dhe u drejtohet “kritikëve”:
“Pas vitit 1990, ky sulm ndaj kinematografisë është më i turpshmi, që kam parë dhe dëgjuar. Pse e them këtë?
Nuk sulmohen vetëm artistët që bënë atë art të madh e të papërsëritshëm, por sulmohen dhe fyhen në mënyrë të paimagjinueshme, të gjithë qytetarët e këtij vendi, që janë edukuar me ata filma dhe vazhdojnë t’i pëlqejnë.
Këta që sulmojnë kinematografinë, janë njëkohësisht rrënues të historisë. Historia ka etapat e veta, që nuk mund të zhbëhen.
Këta thonë, të bllokohen filmat. Po me veprat e Ismail Kadaresë dhe të Dritëro Agollit, çfarë do të bëhet?
Prite kur të dalin ndonjë ditë, këta myteberë, që të ndalohen të gjithë autorët e kohës së realizmit socialist, pavarësisht se, pa ata nuk mund të imagjinohet historia e kulturës sonë kombëtare.
Më ka pëlqyer qëndrimi i Pëllumb Kullës, në lidhje me krijimtarinë e tij, të kohës së diktaturës. Nuk u heq asnjë presje, atyre që kam krijuar, – tha Pëllumbi, pavarësisht se shumica e krijimtarisë së tij është e mbushur me ballistë dhe komunistë.
Po kështu, ka deklaruar edhe i madhi Dritëro Agolli, kur ishte gjallë dhe nuk i ndryshoi veprat e tij.
Kështu është sjellë me krijimtarinë e tij gjigante, Ismail Kadareja dhe të gjithë autorët seriozë, të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare.
Por, le të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Kush janë këta, që e ngrenë këtë çështje? Janë ca anonimë, që nuk i njeh kurrkush. Ata kërkojnë të na bëjnë anonimë.
Unë, Luftar Paja, u them: Bëni ca filma më të mirë nga ata që kemi bërë ne dikur dhe unë do të bashkohem me ju, t’i ndalojmë filmat që doni ju.
Po jo të dalin ca … e të kërkojnë ndalimin e filmave tanë”, – thotë artisti i një jete.