MENU
klinika

Miratohet pezullimi i plotë i marrëveshjes për vizat

Europa “i mbyll derën” rusëve

09.09.2022 - 15:26

Këshilli Europian zyrtarizoi pezullimin e plotë të marrëveshjes ekzistuese për lehtësimin e vizave mes BE-së dhe Rusisë.

Kjo do të thotë se tashmë, qytetarët rusë nuk do të përfitojnë dot nga lehtësimet e mëparëshme për të qarkulluar në territorin e bllokut europian.
Për qytetarët rusë, tani do të zbatohen rregullat e përgjithshme të kodit të vizave, cka do të rezultojë edhe me një rritje të tarifës së aplikimit për vizë nga 35 në 80 euro, nevojën për të paraqitur dëshmi shtesë për dokumente, rritjen e kohës për shqyrtimin e kërkesës për viza dhe rregulla më kufizuese për lëshimin e vizave me shumë hyrje, raporton TCH.

Ministri i brendshëm cek, Vít Rakušan , vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE, shpjegoi se me luftën e saj të paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë, duke përfshirë edhe sulmet pa dallim ndaj civilëve, Rusia ka thyer besimin e partnerëve dhe ka shkelur vlerat themelore.
Ndaj ky vendim, u shpreh ai, është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të saj. Vendimi botohet sot në fletoren zyrtare të Bashkimit Europian dhe nis të zbatohet nga data 12 shtator.

Në një njoftim të mëhershëm ndërkohë, sqarohej se “BE-ja do të mbetet e hapur për disa kategori të qytetarëve të Rusisë që udhëtojnë për nevoja esenciale, përfshirë ata që kanë anëtarë të familjes në Bashkimin Europian, gazetarët, disidentët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile”.